Papa: armëpushim, autoritetet duhet të punojnë për paqe përmes dialogut
R.SH. - Vatikan
"Armëpushim" dhe "punë për paqen, jo me armë", përkundrazi "me dialog, duke kërkuar vërtet zgjidhje për të gjithë". Papa Leoni XIV e përtëriu thirrjen e tij për paqe në një deklaratë të shkurtër, në mbrëmjen e 24 marsit, drejtuar grupit të gazetarëve, që e prisnin jashtë Vilës Barberini, rezidencës së tij në Castel Gandolfo, ku kaloi ditën e tij të zakonshme të pushimit e të punës individuale.
Papa pati parasysh skenarin ndërkombëtar, ku, kujtoi, "urrejtja po shtohet, ndërsa dhuna po keqësohet" e "më se një milion" njerëz janë "të izoluar", ndërsa regjistrohen "shumë vdekje". "Duam të lutemi për paqe, por i ftoj të gjitha autoritetet të punojnë vërtet për të zgjidhur problemet" përmes dialogut, nxiti Papa.
Thirrja në Engjëllin e fundit të Tënzot
Në Engjëllin e Tënzot të së dielës së kaluar, Leoni XIV shprehu nga dritarja e Pallatit Apostolik "shqetësimin" për situatën në Lindjen e Mesme dhe në rajone të tjera të botës, të shkatërruara nga lufta e nga dhuna. Nuk mund të heshtim përballë vuajtjeve të kaq shumë njerëzve, viktima të pambrojtura të këtyre konflikteve" - kujtoi Papa - "Çka i lëndon ata, plagos mbarë njerëzimin. Vdekja e dhimbja e shkaktuar nga këto luftëra janë shkandull për të gjithë familjen njerëzore - e thirrje drejtuar Zotit!".
Ipeshkvi i Romës na nxit të "këmbëngulim në lutje, që armiqësitë të pushojnë e shtigjet e paqes, të bazuara mbi dialogun e sinqertë dhe mbi respektin për dinjitetin e çdo personi njerëzor, të hapen më në fund".
