Kërko

2026.03.21 Partecipanti all'Assemblea Generale del Movimento dei Focolari

Papa - Fokolarëve: të jeni shenjë uniteti e prite për kë mbjell sot urrejtje në botë

Papa Leoni XIV priti anëtarët e Lëvizjes që morën pjesë në Asamblenë e Përgjithshme në Rocca di Papa dhe i nxiti ta mbanin gjallë "karizmën e unitetit" të themelueses Chiara Lubich, si shenjë për botën e dërmuar nga dhuna dhe barbarizmi. Papa, më pas, bëri thirrje për transparencë e përfshirje të të gjithëve brenda bashkësisë dhe shprehu mirënjohjen për shumë Lëvizje Fokolare që "me përkushtim heroik, vazhdojnë të jetojnë në botë një jetë lutjeje, dialogu, pune"

R.SH. - Vatikan

Uniteti është "ferment" për një botë, në të cilën "helmi i përçarjes dhe i konfliktit synon t’i ndotë zemrat dhe marrëdhëniet shoqërore" e është edhe  "pengesë" për shumë "mbjellës të urrejtjes, që e tërheqin përsëri njerëzimin në format e barbarizmit e të dhunës". Unitet brenda Lëvizjes për t’i dalluar aspektet "jo-themelore" ose "problematike" të karizmës dhe, për këtë arsye, për t'i braktisur ato dhe për t'iu kushtuar "transparencës" maksimale dhe "përfshirjes së të gjithëve". Është mision i dyfishtë, si i jashtëm, ashtu edhe i brendshëm, dhe gjithmonë me synim drejt qëllimit të unitetit, që Papa Leoni XIV ua besoi anëtarëve të Veprës së Marisë, e njohur më mirë si Lëvizja Fokolare, grup kishtar - i lindur nga frymëzimi i Chiara Lubich - ndër më të zjarrtit dhe më të përhapurit në botë. Rasti ishte Asambleja e Përgjithshme, mbajtur javën e kaluar në Qendrën Ndërkombëtare në Rocca di Papa, ku Margaret Karram u zgjodh presidente për një mandat të dytë, njëherësh me zgjedhjen e  bashkëpresidentit të ri, priftit italo-argjentinas Roberto Eulogio Almada. "Zoti e bekoftë shërbimin tuaj!" - u tha Leoni në fillim të audiencës, në Sallën Klementine, që filloi paksa me vonesë. "Thua sollët ndonjë drekë pikniku ose diçka tjetër, ndërsa prisnit?" - bëri shaka Papa, mes duartrokitjeve:

“Faleminderit shumë për durimin tuaj. Më vjen keq “për vonesën”, sepse ky mëngjes ishte paksa kështu, por jam i lumtur që pritët. Faleminderit!”.

 Papa gjatë audiencës në Sallën Klementine (@VATICAN MEDIA)
Papa gjatë audiencës në Sallën Klementine (@VATICAN MEDIA)   (@VATICAN MEDIA)

Shpirti i unitetit

Që në fillim, Leoni XIV kujtoi dëshminë e themelueses Lubich,  shërbëtore e Zotit, dhe përpjekjen e saj për unitet, me të cilin formoi jetën e vet dhe jetën komunitare të Lëvizjes: "Ju e jetoni këtë frymë uniteti para së gjithash ndërmjet jush dhe e dëshmoni atë kudo si mundësi të re për jetën vëllazërore, të pajtuar dhe të gëzueshme, ndërmjet njerëzve të moshave, kulturave, gjuhëve dhe besimeve fetare të ndryshme", pohoi Papa.

Është farë e thjeshtë por e fuqishme, që tërheq mijëra gra e burra, frymëzon thirrje, krijon shtysë për ungjillëzim, por edhe vepra sociale, kulturore, artistike dhe ekonomike, e është tharm i dialogut ekumenik dhe ndërfetar.

Helmi i përçarjes

Ky "fermentim" i unitetit është shumë i nevojshëm sot - theksoi Papa - sepse helmi i përçarjes dhe i konfliktit tenton të ndotë zemrat dhe marrëdhëniet shoqërore. Ndaj duhet të kundërshtohet me dëshminë ungjillore të unitetit, dialogut, faljes dhe paqes".

Paqja është koncepti që thekson Leoni XIV: "Edhe nëpërmjet jush, Zoti  përgatiti për vete, në dekadat e kaluara, një popull të madh paqeje, i cili, pikërisht në këtë çast të historisë është i thirrur të veprojë si kundërpeshë dhe pengesë për kaq shumë mbjellës urrejtjeje, që e tërheqin njerëzimin përsëri në format e barbarizmit dhe dhunës".

Të mbahet e gjallë karizma

Papa Leoni, më pas, kujtoi një sfidë tjetër për Lëvizjen Fokolare, tipike për fazën pas themelimit të një lëvizjeje, për "ta mbajtur gjallë karizmën". Është fazë që, theksoi Papa, nuk përfundon me tranzicionin e brezit të parë,  pas vdekjes së themelueses, por zgjatet më tej". Në këtë kohë, thirrja është pra të "dallojmë së bashku cilat aspekte të jetës suaj të përbashkët dhe të apostullimit tuaj janë themelore, e për këtë arsye, duhet të mirëmbahen, dhe cilat janë, në vend të tyre, mjetet dhe praktikat që, megjithëse të vendosura prej kohësh, nuk janë themelore për karizmën, ose kanë paraqitur aspekte problematike, e për këtë arsye, duhet të braktisen".

Leoni XIV me Presidenten Margaret Karram dhe bashkë-presidentin, don Roberto Eulogio Almada (@VATICAN MEDIA)
Leoni XIV me Presidenten Margaret Karram dhe bashkë-presidentin, don Roberto Eulogio Almada (@VATICAN MEDIA)   (@VATICAN MEDIA)

Transparenca dhe përfshirja e të gjithëve

Kjo fazë kërkon edhe "angazhim të fortë për transparencë nga ata që kanë role përgjegjësie, në të gjitha nivelet".

Transparenca, nga njëra anë është kusht besueshmërie, nga ana tjetër është edhe kërkesë, pasi karizma është dhuratë e Shpirtit Shenjt, për të cilën të gjithë anëtarët janë përgjegjës. Prandaj, ata kanë të drejtën dhe detyrën të ndjehen bashkëpjesëmarrës të Veprës, me të cilën u bashkuan me përkushtim të plotë.

 "Përfshirja e anëtarëve është gjithmonë vlerë e shtuar", theksoi Papa, "stimulon rritjen, si të individëve, ashtu edhe të Veprës, nxjerr në pah burimet dhe potencialin e fshehur të secilit individ dhe fuqizon e nxit kontributin e të gjithëve".

 Të vlerësohen dhuratat e secilit

Leoni XIV vijoi të rekomandojë aftësinë e të dalluarit, për të kuptuar se si ta përkthejmë karizmën e unitetit në stile jetese komunitare, që "e bëjnë të shkëlqejë bukurinë e risisë së Ungjillit " e, në të njëjtën kohë, "respektojnë lirinë dhe ndërgjegjen e individëve, duke vlerësuar dhuratat dhe veçantinë e çdo personi". "Uniteti është dhuratë" e, në të njëjtën kohë, "detyrë dhe thirrje që i sfidon të gjithë", nënvizoi Papa. E të gjithë "duhet ta praktikojnë vëllazërinë, sinqeritetin e, mbi të gjitha, përvujtërinë, lirinë nga vetvetja e edhe nga këndvështrimi i vetvetes.

Uniteti i të gjithëve në Zotin është shenjë ungjillore, forcë profetike për botën. Prandaj, uniteti nuk duhet të kuptohet si uniformitet i mendimit, i opinionit dhe i stilit të jetës, gjë që mund të çojë në zhvlerësimin e bindjeve vetjake, në dëm të lirisë personale dhe aftësisë për të dëgjuar ndërgjegjen tënde.

  (@VATICAN MEDIA)

Faleminderit për shërbimin ndaj Kishës dhe botës

Në përfundim të audiencës, Leoni XIV i shprehu një "falënderim" të përzemërt familjes së Fokolarinëve. Faleminderit të rinjve të pranishëm në grupet e ndryshme, të cilët "e shohin me sy të qartë bukurinë e thirrjes për të qenë mjete të unitetit dhe të paqes në botë".

Faleminderit familjeve, "të ripërtërira dhe të forcuara nga prania e Jezusit në mes të jetës së tyre familjare".

Faleminderit ipeshkvijve, priftërinjve dhe të shuguruarve, "që e panë dhuratën e shërbesës së tyre dhe jetën e tyre fetare të përtërirë përmes kontaktit me Lëvizjen tuaj e përshpirtërinë tuaj".

Faleminderit shumë Fokolarinëve dhe Fokolarineve që, "shpesh me përkushtim heroik, vazhdojnë të jetojnë një jetë lutjeje, pune, dialogu dhe ungjillizimi në të gjithë botën, duke ndjekur modelin e jetës apostolike të brezave të parë të krishterë".

E faleminderit gjithashtu, përfundoi Papa Leoni, "për frytet e panumërta të shenjtërisë, të njohura e të panjohura, që kthimi në Ungjill, i promovuar nga ju, i solli Kishës gjatë gjithë këtyre viteve".

21 mars 2026, 13:39