Papa: në mes të radikalizimeve e konflikteve, të krishterët dhe myslimanët të punojnë për paqen
R.SH. – Vatikan
Në një kontekst global të karakterizuar nga "radikalizimi fetar, përçarja dhe konflikti", bashkëpunimi ndërmjet feve të ndryshme mund t'i bëjë besimtarët "profetë" të një epoke të re, në të cilën lulëzon paqja dhe thyhen zinxhirët e paragjykimeve dhe të urrejtjes. Për këtë shpresë e ngriti zërin Papa Leoni XIV paraditen e sotme, më 25 mars, ndërsa priti delegacionin e Programit për Marrëdhëniet Kristiano-Myslimane në Afrikë (PROCMURA), në studion e Sallës Pali VI.
Kisha bën thirrje për mirëkuptim të ndërsjellë
Papa, duke iu drejtuar të pranishmëve në anglisht, vlerësoi punën e kësaj organizate, me seli në Kenia, së bashku me atë të Dikasterit për Dialogun Ndërfetar, që i mundëson Kishës të forcojë marrëdhëniet me fetë e tjera, duke nxitur paqen dhe vëllazërimin.
“Kisha Katolike bën thirrje për mirëkuptim të ndërsjellë dhe për respekt ndaj besimtarëve të feve të tjera, duke pohuar se nuk hedh poshtë asgjë nga ç’është e vërtetë dhe e shenjtë në këto fe, pasi ato shpesh pasqyrojnë një rreze të asaj të vërtete, që i shndrit të gjithë burrat dhe gratë”.
Lulëzoftë paqja, drejtësia dhe shpresa
Papa kujton se çdo rrugëtim drejt bashkimit, i ndërmarrë nga të krishterët, por në përgjithësi nga të gjithë njerëzit vullnetmirë, frymëzohet nga Shpirti Shenjt, prandaj, ka nevojë për "zemra të hapura" ndaj dialogut dhe takimit, të afta për ta parë njëri-tjetrin "me vëllazërim të vërtetë".
“Përmes këtyre përpjekjeve, paqja, drejtësia dhe shpresa do të mund të lulëzojnë gjithnjë e më shumë në shoqëritë afrikane dhe më gjerë”.
Paqja mund të jetohet
Papa Leoni XIV shpreh besimin se sinergjia ndërmjet PROCMURA dhe Dikasterit vatikanas do të sjellë nisma të reja për të promovuar "miqësinë shoqërore", duke forcuar bashkëpunimin dhe caktimin e fushave, që kërkojnë "ndërhyrje urgjente".
“Në një botë të shënuar gjithnjë e më shumë nga radikalizimi fetar, përçarja dhe konflikti, dëshmia juaj e përbashkët tregon se mund të jetohet dhe të punohet së bashku në paqe dhe harmoni, pavarësisht nga dallimet kulturore dhe fetare”.
