Papa: luftërat janë fryt i idhujtarisë. Sa llogari bëhen për të vrarë të pafajshëm!
R.SH. – Vatikan
"Sa llogari bëhen në botë për të vrarë të pafajshëm; sa arsye të rreme pretendohen për t'i zhdukur ata!"
Në pjesën e pasme të bluzave të disa besimtarëve në Stadiumin Louis II në Monako, ku Papa Leoni XIV kryesoi meshën, që i dha fund udhëtimit të tij apostolik në Principatë, ishin stampuar fjalët Daghe Munegu. Në gjuhën lokale: "Forca Monako". Nxitje për ekipin monegask të futbollit, shpesh, shoqëruar nga motoja e vetë Principatës: Deo Juvante, "Me ndihmën e Zotit". Ndoshta, pikërisht nëpërmjet kësaj shprese, mund të vazhdojmë të kërkojmë rreze drite, ndoshta të largëta, por gjithmonë më të shndritshme se ajo, që Papa e quan "dritëshkurtësi" e atyre që përgjakin të tashmen dhe "gllabërojnë" idhuj, "ide të vogla", "një pushtet, që është bërë dominim", një pasuri "që degradon në lakmi", një bukuri "me makiazhin e kotësisë".
Luftërat, pushteti dhe "llogaritë", që vrasin
Në zemër të homelisë së Leonit XIV, një denoncim i fuqishëm: luftërat dhe dhuna lindin nga një logjikë e shtrembëruar, e nxitur nga interesat, nga frika, nga idhujtaria e pushtetit dhe e parasë. Ashtu si dënimi me vdekje i Jezu Krishtit, rezultat i një "llogaritjeje politike", një vendim i ftohtë dhe racional i marrë për të mbrojtur pushtetin, edhe me koston e eliminimit të një personi të pafajshëm.
Papa e lidhi këtë episod të Ungjillit me realitetin bashkëkohor, duke sugjeruar se i njëjti mekanizëm përsëritet edhe sot: vendime strategjike dhe justifikime, që çojnë në shkatërrimin e jetëve njerëzore. Kjo logjikë ushqehet nga idhujtaria, denoncoi Ati i Shenjtë: pushteti, pasuria dhe prestigji bëhen absolute, duke e shtrembëruar realitetin dhe duke e transformuar çka është e mirë në mjete dominimi dhe shtypjeje.
“Idhujtarët janë dritëshkurtër: shikojnë çka ua magjeps sytë, duke i mjegulluar. E kështu, pikërisht gjërat e mëdha e të mira të kësaj toke bëhen idhuj, të transformuar në forma skllavërie jo për ata që nuk i kanë, por për ata që sa s’mbyten me to, duke i lënë të tjerët në mjerim dhe trishtim. Liria nga idhujt bëhet atëherë çlirim nga një pushtet i kthyer në dominim, nga pasuria që degradon në lakmi, nga bukuria e shndërruar në kotësi”.
Shtrembërimi i fesë dhe fytyra e Mëshirës
Papa u përqendrua më pas në kontradiktën ndërmjet mesazhit të Zotit dhe sjelljes njerëzore, madje, edhe të asaj të autoriteteve fetare. Krerët fetarë dhe doktorët e ligjit, pavarësisht se e njohin urdhërimin "Mos vrit!", e justifikojnë vdekjen e Jezusit, duke dëshmuar një devijim të thellë shpirtëror. Leoni XIV e përshkroi këtë konflikt si takimin e dy lëvizjeve kundërshtare: nga njëra anë, Zoti që jep jetë dhe shpëtim; nga ana tjetër, pushteti njerëzor që shtyp dhe shkatërron.
"Jemi kështu dëshmitarë të dy lëvizjeve me kahe të kundërt: nga njëra anë, zbulesa e Zotit... nga ana tjetër, veprimtaria e fshehtë e autoriteteve të pushtetshme, gati të vrasin pa skrupuj".
Në këtë tension, del në pah thelbi i mesazhit të krishterë: gjithëpushteti i Zotit manifestohet jo përmes forcës, por përmes mëshirës. Është mëshira që shpëton, që kujdeset për çdo jetë dhe kundërshton "kulturën e përjashtimit", duke ofruar një rrugë tjetër në krahasim me logjikën e dhunës.
Të lirohemi nga idhujt dhe të punojmë për paqen
Boshti i tretë i homelisë së Papës në Pincipatën e Monakos kishte të bënte me nevojën për kthesë personale dhe kolektive. Idhujtaria u përshkrua nga Leoni XIV si një "vizion i zvogëluar" i realitetit, i cili e bën njeriun skllav të pasurivsë dhe e nxit t’i lërë pas dore të tjerët. Çlirimi nga kjo idhujtari do të thotë të kesh sërish një vizion më të gjerë dhe më të vërtetë të jetës, në të cilin pushteti bëhet shërbim, pasuria ndahet me të tjerët dhe bukuria bëhet vërtetësi. Kjo rrugë çlirimi është edhe baza për arritjen e paqes. Papa fton të mos mësohemi me luftën dhe dhunën, por ta shohim çdo njeri si vëlla e si motër, që duhet mbrojtur.
"Çdo jetë e vuajtur është plagë në Korpin e Krishtit. Të mos mësohemi me shungullimën e armëve... paqja nuk është thjesht një ekuilibër forcash, është vepër e zemrave të spastruara".
Së fundi, Ati i Shenjtë kujtoi përgjegjësinë e besimtarëve: të dëshmojnë gëzimin e vërtetë, të themeluar mbi dashurinë e Zotit dhe mbi kujdesin për jetën në të gjitha fazat e saj. Vetëm në këtë mënyrë është e mundur të kalojnë nga idhujtaria në fenë e vërtetë dhe të kontribuojnë në ndwrtimin e një bote më të drejtë dhe mw njerëzore.
