Kërko

Leoni XIV në Monako: "të mbrohet jeta nga fillimi deri në fundin e saj natyror"

Papa komunitetit katolik monegask: "Kisha është e thirrur të bëhet avokate, domethënë të mbrojë njeriun"

R.SH. / Vatikan

Pasi u takua me Princin Albert II, Papa Leoni XIV mbërriti në Katedralen e "Zojës së Papërlyer" për kremtimin e lutjes së Orës së Mesme me Komunitetin Katolik, në etapën e dytë të udhëtimit apostolik në Principatën e Monakos.

"Pranë Zotit dhe para Zotit – e nisi fjalën e tij Papa – ne kemi një avokat: Jezu Krishtin, të drejtin. Me këto fjalë, Gjoni apostull na ndihmon të kapim misterin e shëlbimit. Në brishtësinë tonë, të rënduar nga barra e mëkatit që shënon njerëzimin tonë, ne jemi arritur nga vetë Hyji përmes Birit të tij Jezu Krishtit", i cili "është qendra dinamike, është zemra e fesë sonë".

Jezusi – kujtoi Papa – "nuk vjen për të kryer një gjykim që dënon, por për t’u ofruar të gjithëve mëshirën e tij që pastron, shëron, transformon dhe na bën pjesë të familjes unike të Hyjit Atë. Tipari i tij i dhembshur dhe i mëshirshëm e bën atë avokat në mbrojtje të të varfërve, të mëkatarëve, sigurisht jo për të bashkëpunuar me të keqen, por për t’i çliruar ata nga shtypja dhe skllavëria e për t’i bërë bij të Hyjit dhe vëllezër mes tyre. Personi i shëruar riintegrohet, me tërë dinjitetin e tij, në bashkësinë njerëzore dhe fetare nga e cila, shpesh pikërisht për shkak të gjendjes së sëmundjes apo mëkatit, ishte përjashtuar".

“Ky bashkim – theksoi Ati i Shenjtë – është shenja parësore e Kishës, e thirrur për të qenë në botë pasqyrim i dashurisë së Zotit, i cili nuk bën dallime mes personash. Kisha juaj, këtu në Principatën e Monakos, zotëron një pasuri të madhe: të qenit një vend, një realitet në të cilin të gjithë gjejnë mirëpritje dhe mikpritje, në atë përzierje shoqërore dhe kulturore që është tipari juaj karakteristik”.

“Principata e Monakos – vërejti Leoni XIV – është një shtet i vogël, i banuar megjithatë në mënyrë të larmishme. Një shtet i vogël kozmopolit, në të cilin shumëllojshmërisë së prejardhjeve u bashkohen edhe dallime të tjera të natyrës shoqëroro-ekonomike. Në Kishë, dallime të tilla nuk bëhen kurrë shkak për ndarje në klasa shoqërore, por, përkundrazi, të gjithë mirëpriten si persona dhe bij të Zotit, dhe të gjithë janë marrës të një dhurate hiri Tënzot që inkurajon bashkimin, vëllazërinë dhe dashurinë e ndërsjellë. Kjo është dhurata që vjen nga Krishti, avokati ynë pranë Atit Qiellor”.

Më pas, Papa Leoni XIV foli për rëndësinë e “shpalljes së Ungjillit në mbrojtje të njeriut. Jezusi rreshtohet si avokat mbi të gjitha në mbrojtje të atyre që konsideroheshin të braktisur nga Hyji dhe që gjykohen si të harruar e të margjinalizuar, duke u bërë zëri dhe fytyra e Hyjit të mëshirshëm”. Atëherë – tha më tej Papa – Kisha është e thirrur “të bëhet avokate, domethënë të mbrojë njeriun: tërë njeriun dhe të gjitha qeniet njerëzore”.

“Dëshiroj t’ju inkurajoj – nxit Papa Leoni – të ofroni një shërbim plot pasion dhe bujari në ungjillëzim. Shpallni Ungjillin e jetës, të shpresës dhe të dashurisë; çojuni të gjithëve dritën e Ungjillit në mënyrë që të mbrohet dhe të promovohet jeta e çdo burri dhe çdo gruaje, që nga ngjizja e saj deri në fundin natyror; ofroni harta të reja orientimi të afta për të frenuar ato shtysa të shekullarizimit që rrezikojnë ta reduktojnë njeriun në individualizëm dhe ta bazojnë jetën shoqërore te prodhimi i pasurisë. Është e rëndësishme që shpallja e Ungjillit dhe format e fesë, aq të rrënjosura në identitetin dhe shoqërinë tuaj, të ruhen nga rreziku i reduktimit në zakon, qoftë edhe i mirë. Një fe e gjallë është gjithmonë profetike, e aftë për të ngjallur pyetje dhe për të ofruar provokime”.

“Të mbajmë vështrimin e ngulitur te Jezu Krishti, avokati ynë pranë Atit – përfundoi Papa Leoni XIV – kjo gjeneron një fe të rrënjosur në marrëdhënien personale me Të, një fe që bëhet dëshmi, e aftë për të transformuar jetën dhe për të përtërirë shoqërinë. Kjo fe ka nevojë të shpallet me mjete dhe gjuhë të reja, edhe digitale, dhe në të gjithë duhet të hyjnë e të formohen me vazhdimësi dhe kreativitet. Kjo vlen veçanërisht për ata që po hapen drejt takimit me Zotin, për katekumenët, ndaj të cilëve ju porosis të keni një vëmendje të veçantë”.

Në fjalën e tij të përshëndetjes, Kryeipeshkvi i Monakos, Imzot Dominique-Marie David, kujtoi se: “Si çdo Katedrale, kjo ndërtesë prej guri është zemra rrahëse e dioqezës sonë. Është gjithashtu një edhe pikë referimi për mbarë vendin tonë, një vend i respektuar, i dashur dhe i frekuentuar nga të gjithë. Këtu ne ndajmë orët e gëzueshme dhe ato të dhimbshme që shënojnë jetën e vendit tonë. E ndërtuar mbi Shkëmbin e famshëm të Principatës, ajo na kujton se Krishti është Shkëmbi ynë i vërtetë, themeli dhe guri i qoshes i Trupit të tij që është Kisha”.

28 mars 2026, 12:39