Papa mbërriti në Principatën e Monakos, fillon udhëtimi apostolik
R.SH. / Vatikan
Helikopteri me Papën në bord u ul pak pas orës 9:00 të ditës së sotme, 28 mars 2026, në helidromin e Monakos. Atin e Shenjtë e pritën Princi Albert II dhe Princesha Charlene. Kështu fillon udhëtimi i dytë apostolik ndërkombëtar i Leonit XIV në Principatë, një nga Shtetet më të vjetra në botë, i dyti më i vogël pas Qytetit të Vatikanit.
Pas Gardës së Nderit, 21 të shtënave me top dhe prezantimit të delegacioneve përkatëse, Leoni XIV u drejtua për në Pallatin e Princit për ceremoninë e mirëseardhjes, e cila do të pasohet nga vizita e mirësjelljes me Albertin II. Është vetë monarku, bashkë me bashkëshorten dhe fëmijët, që pret Papën në Oborrin e Nderit ku zhvillohet ceremonia. Pas Himneve Kombëtare, parakalimi para Gardës së Nderit, Nderimi i Flamurit të Karabinierëve të Princit dhe prezantimi i delegacioneve.
Në orën 9:40, Papa dhe Princi hynë në Pallat për vizitën e mirësjelljes. Ky është takimi i parë i udhëtimit të Atit të Shenjtë Leonit XIV, i cili do të pasohet gjatë paradites nga takimi me komunitetin katolik në Katedralen e Zojës së Papërlyer dhe ai me të rinjtë dhe katekumenët në sheshin para Kishës së Shën Devotës; më pas, pasdite, do të kremtohet Mesha në Stadiumin "Louis II".
