Papa: në Kishë, profeci e paqes dhe e unitetit, ka vend për të gjithë
R.SH. – Vatikan
“Është një shenjë e madhe shprese – sidomos në ditët tona, të përshkuara nga kaq shumë konflikte dhe lufra – të dish se Kisha është një popull në të cilin bashkjetojnë, në saje të fesë, gra dhe burra të ndryshëm nga kombësia, gjuha apo kultura: është një shenjë e vendosur në vetë zemrën e njerëzimit, një thirrje dhe profeci e atij uniteti dhe e asaj paqeje në të cilën Zoti Atëi thërret të gjithë bijtë e vet”.
Është zemra e mesazhit të Papës Leoni XIV në katekizmin e tretë të audiencës së sotme tl përgjithshme, kushtuar Kushtetutës dogmatike të Koncilit II të Vatikanit, Lumen Gentium. Në Sheshin e Shën Pjetrit, pas një rrotullimi të gjatë dhe të duartrokitur në Papamobile ndërmjet besimtarëve, Papa u përqendrua në kapitullin e dytë, kushtuar popullit të Zotit.
Populli i Abrahamit, i zgjedhur nga Zoti si fanar
Papa kujtoi se Zoti Krijues, që dëshiron "ta shpëtojë çdo njeri", kryen "veprën e tij të shpëtimit në histori duke zgjedhur një popull konkret dhe duke banuar në gjirin e tij". Për këtë arsye, ai e thërret Abrahamin, i premton pasardhës të shumtë dhe, më pas, lidh besën me bijtë e tij, popullin e Izraelit. Identiteti i këtij populli, thekson Leoni XIV, "jepet nga veprimi i Zotit e nga feja në Të" dhe është i thirrur, sipas Isaisë profet, "të bëhet dritë për kombet e tjera, si fanar, që do të tërheqë drejt vetes mbarë popujt, gjithë njerëzimin".
Kisha, me njerëz të të gjithë popujve të Tokës
Por kjo, pohon Koncili në Lumen Gentium, ndodh në përgatitje "për atë besëlidhje të re dhe të përsosur, që do të përfundohej me Krishtin". Është ai që, “në dhuratën e Korpit të tij dhe të Gjakut të tij, e mbledh së bashku në vetvete dhe përfundimisht këtë popull”, të përbërë tashmë nga njerëz të ardhur nga çdo komb, por “të bashkuar nga besimi në Të”.
"Kjo është Kisha: populli i Zotit, që e nxjerr ekzistencën e tij nga Korpi i Krishtit, e që edhe ai vetë është Korpi i Krishtit. Jo një popull si të tjerët, por popull i Zotit, i thirrur prej Tij dhe i përbërë nga gra e burra prej të gjithë popujve të tokës.
Një popull i bashkuar nga feja në Krishtin
Një popull i bashkuar nga feja në Krishtin, jo nga gjuha, nga kultura apo nga etnia, si "asamble e atyre që shikojnë me besim në fenë e Jezusit ", siç lexojmë në Lumen Gentium.
Është një popull mesianik, pikërisht sepse ka për krye Krishtin, Mesinë. Ata që bëjnë pjesë në të, nuk mburren me merita, as me tituj. Kanë vetëm një dhuratë: janë në Krishtin e, përmes Tij, bija e bij të Zotit.
Në Kishë, marrëdhëniet frymëzohen nga dashuria ndërmjet vëllezërve
Kështu, pohoi Papa, ajo që ka vërtet rëndësi në Kishë, përpara çdo funksioni, është "të jesh bir i Zotit, me anë të hirit". Jemi në Kishë, shpjegoi, "për të marrë pa pushim jetë nga Ati dhe për të jetuar si bijtë e vëllezërit e tij ndërmjet nesh".
Ligji që i jep jetë marrëdhënieve në Kishë, është dashuria, ashtu siç e pranojmë dhe e provojmë në Jezusin; e caku i saj është Mbretëria e Zotit, drejt së cilës ajo shtegton së bashku me mbarë njerëzimin.
Një popull i hapur edhe për ata që ende nuk janë ungjillëzuar
E bashkuar në Krishtin, vazhdoi Papa Leoni, Kisha nuk mund të "paloset në vetvete", por "është e hapur për të gjithë, e është për të gjithë". Prandaj, nëse i përkasin besimtarët në Krishtin, të gjithë njerëzit, në mbarë botën dhe në të gjithë shekujt, shkruajnë etërit konciliarë, "janë të thirrur të formojnë popullin e ri të Zotit". Edhe kush nuk e ka pranuar akoma Ungjillin është, kujton Papa, në një farë mënyre, "e orientuar drejt popullit të Zotit".
"Kisha, duke bashkëpunuar në misionin e Krishtit, është e thirrur të përhapë Ungjillin kudo dhe tek të gjithë, në mënyrë që të gjithë të mund të vijnë në kontakt me Krishtin".
Duhet të ketë vend për të gjithë në Kishë
Kjo do të thotë, përfundoi Leoni XIV, se në Kishë "ka, e duhet të ketë vend për të gjithë", dhe se çdo i krishterë "është i thirrur ta shpallë Ungjillin dhe të japë dëshmi në çdo mjedis në të cilin jeton e punon" ai ose ajo!
Katoliciteti i këtij populli për Koncilin, shihet pikërisht në "mirëpritjen e pasurive dhe të burimeve të kulturave të ndryshme" e, njëkohësisht, "duke u ofruar atyre risinë e Ungjillit për t'i pastruar e për t’i lartuar". Në këtë kuptim, "Kisha është një, por i përfshin të gjithë".
