Kërko

Leoni XIV: Fjala e Zotit i jep vërtetësi jetës sonë, rrethuar tepër nga zbraztësia

Papa e vazhdoi katekizmin mbi Kushtetutën e Koncilit II të Vatikanit 'Dei Verbum' gjatë audiencës së sotme të përgjithshme mbajtur paradite, në Sallën Pali VI, në Vatikan. Sot Leoni XIV theksoi se Kisha është "vendi i duhur" për hermeneutikën e Biblës dhe përhapjen e saj besimtarëve: mision që synon ta bëjë të njohur "personin e Jezu Krishtit".

R.SH. / Vatikan

Kisha është "vendi i duhur" ku domethënia e Fjalës së Zotit shpaloset për të arritur tek të gjithë njerëzit, duke ua shuar "etjen për kuptim" e duke ua rikthyer "të vërtetën" në jetë, për të mos mbetur të zhytur në zhurmën e përhapur të një morie "fjalësh boshe".

Papa Leoni XIV reflektoi mbi këtë dinamikë centrifugale të Fjalës së Zotit në katekizmin, mbajtur gjatë audiencës së sotme të përgjithshme, 11 shkurt, në Sallën Pali VI, në Vatikan, kushtuar rishtas Kushtetutës së Koncilit të Dytë të Vatikanit 'Dei Verbum'.

Në bashkësinë e krishterë, ajo [Fjala, red.] ka, si të thuash, strehën: në jetë dhe në fe të Kishës gjen hapësirën për të zbuluar kuptimin e saj dhe për të treguar forcën e saj.

Ndarja e bukës me besimtarët

Koncili II i Vatikanit - shpjegoi në vijim Papa leoni XIV - kujtoi se Kisha u ushqye gjithnjë "me bukën e jetës nga tryeza e Fjalës së Zotit dhe e Korpit të Krishtit", e më pas, e ndau këtë bukë me besimtarët.

Reflektimi i Kishës mbi Shkrimet Shenjte, pra, theksoi Papa, është i vazhdueshëm. Vetëm në "fenë e Kishës", argumentoi Leoni XIV, duke cituar nxitjen post-sinodale 'Verbum Domini' të Papës Benediktit XVI në vitin 2010, ( Verbum Domini është Nxitje Apostolike pas-Sinodale mbi Fjalën Zotit në Jetën dhe Misionin e Kishës, 30 shtator 2010), ndodh "hermeneutika autentike e Biblës": në Kishë, Fjala vjen më parë e interpretuar, e më pas e ofruar.

Në bashkësinë kishtare, Shkrimi Shenjt gjen kështu fushën e veprimit në të cilën kryen detyrën dhe arrin qëllimin e tij: ta bëjë Krishtin të njohur dhe të hapë dialog me Zotin.

T’i lexojmë Shkrimet, për të njohur Krishtin

"Qëllimi përfundimtar" i leximit, i interpretimit dhe i meditimit mbi Shkrimin  Shenjt është "ta njohësh Krishtin" e, nëpërmjet Tij, "të hysh në marrëdhënie me Zotin", si në një dialog. Është mënyra me të cilën flet Dei Verbum për Zbulesën e Zotit - kujtoi Papa - dialog, me të cilin “Zoti u flet njerëzve si miq”.

Fjala e Zotit, "e besuar Kishës, e ruajtur dhe e shpjeguar prej saj", luan "rolin aktiv", duke i dhënë "mbështetje e forcë bashkësisë së krishterë". Është burim nga i cili jo vetëm "të gjithë besimtarët janë të thirrur të pinë", por që duhet t’i udhëheqë edhe "ata që kryejnë shërbesën e Fjalës: ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët, katekistët".

Një Fjalë e së vërtetës, ndërmjet shumë fjalëve boshe

Shkrimi Shenjt e frymëzon Kishën të lëvizë përjashta: "ia hap rrugën e misionit për të gjithë", pohoi Papa Leoni XIV.

Në të vërtetë, ne jetojmë të rrethuar nga një mori fjalësh, por sa prej tyre janë boshe? Ndonjëherë dëgjojmë edhe fjalë të mençura, të cilat, megjithatë, nuk e prekin fatin tonë të fundit. Fjala e Zotit, ndërkaq, e shuan etjen tonë për kuptim, për të vërtetën e jetës sonë.

Shkrimet Shenjte, prandaj, “shpallin vetjen” e Jezu Krishtit dhe “praninë e Tij që shpëton”- theksoi Papa.

Në përfundim të katekizmit, Leoni XIV na nxiti t’i “hapim zemrat e mendjet, për ta mirëpritur këtë dhuratë”, duke i mbetur gjithmonë besnikë “shkollës së Marisë, Nënës së Kishës”.

11 shkurt 2026, 11:33

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >