Kërko

Më 28 mars, Leoni XIV do të shkojë në Principatën e Monakos

Principata, Shteti i dytë me sipërfaqe më të vogël, pas Vatikanit, është më i madhi në botë për nga të ardhurat për frymë dhe me dendësinë më të lartë të popullsisë. Një përqendrim prej afërsisht 150 etnish që, edhe pse duken se jetojnë në luksin material, shpresojnë që vizita e Leonit XIV do t’i lehtësojë vështirësitë e atyre, të cilët mendojnë se i kanë të gjitha, ndonëse vijojnë ta ndjejnë veten në terr, ​​kur kërkojnë diçka më shumë.

R.SH. / Vatikan

Monako, "siç e vërejti revista New York Times, mund të hynte lehtësisht në Central Park". Në librin e saj, The Banality of Evil (Banaliteti i së keqes), Hannah Arendt përdori këtë paralele për të përshkruar madhësinë e vogël të "principatës së vogël", e dyta vetëm pas asaj të Qytetit të Vatikanit. Çka i sfidon stereotipet rreth këtij shteti të vogël - i cili shtrihet vetëm 2.08 km² - është multietniciteti i tij: mbi 150 kombësi bashkëjetojnë në një hapësirë ​​kaq kompakte sa, pas Makaos, Monako është vendi i dytë më i dendur i populluar në botë.

"Harmonia në diversitet" e komuniteteve të ndryshme

Shkurt, "bota e madhe është e pranishme - në këtë hapësirë ​​të vogël", siç pohoi Kryeipeshkvi Imzot Dominique-Marie David për mediat e Vatikanit, kur paraqiti vizitën e Papës, që nis nesër, më 28 mars. Kjo përzierje etnish, që bashkohet nën një ideal të përbashkët, katolicizmin - fe shtetërore në Principatë, duke respektuar plotësisht lirinë e ndërgjegjes, siç është edhe rasti në San Marino e në Maltë - duket se i përgjigjet thirrjes së Papës Leoni XIV për një "harmoni të frytshme në diversitet". "Ne vijmë nga vende të largëta të botës, por kur të gjithë mblidhemi këtu, ndihemi si në shtëpi tonë", thotë Maria, e cila e mishëron në mënyrë të përsosur këtë grumbull etnish: lindi në Spanjë, jetoi për vite me radhë në Londër, e tani jeton në Monako, ku frekuenton Kishën e Zemrës së Krishtit, që shërbeu si strehë për Jezuitët gjatë Luftës II Botërore.

Mesha e mëngjesit në Kishën e Zemrës së Shenjtë në Monako
Mesha e mëngjesit në Kishën e Zemrës së Shenjtë në Monako

Pasqyra e vështirësive të padukshme

Monako duket se po lëviz kundër banalitetit dhe dukjes së jashtme, e bashkë me të, edhe shtegtimit apostolik të Leonit XIV. Nga Kisha e Zemrës së Krishtit, arrihet te simboli par excellence i Principatës, kazinoja, vendi ku u luajtën filma nga GoldenEye te Ocean's Twelve, e deri te filmi Madagascar 3Europe's Most Wanted. Vetëm stili barok i ndërtesës ngjall begati të prekshme: më shumë se 352 milionë euro të fituara në një vit. Por nën sipërfaqe del në pah "varfëria e fshehur" për të cilën foli dikur Kryeipeshkvi David: emergjenca, vetmia dhe marrëdhëniet e brishta, shpesh të lidhura pikërisht me plagën e bixhozit. "Kam parë njerëz që humbasin gjithçka brenda një nate. Nuk është lajm këtu, sepse luksi përreth mbulon gjithçka" - thotë Jean, monegask në pension dhe vullnetar me Caritas-in lokal. Pasqyra e famshme Sky në qendër të sheshit, duket se pasqyron një realitet me të cilin të gjithë mund të identifikohen, pavarësisht nga statusi shoqëror. "Paraja është mjet, duhet të jetë! Pastaj, gjithçka varet nga mënyra si e përdor", shpjegon Atë Fabrice, famullitar i Kishës së Shën Martinit. "Ndërmjet besimtarëve, shoh shumë bujari. Ka shumë organizata bamirësie, si Shoqëria e Shën Vincentit de’Paoli, që punojnë për nevojtarët, e që nuk mungojnë edhe këtu, në Principatë".

Një angazhim i përbashkët për Krijimin

Edhe kjo mund të duket e parëndësishme, por pikërisht prej kësaj duhet të shkundemi. Një "coup de pied aux fesses", a një "shkelm në pantallona", siç e quan Philippe, monegask me origjinë nga Filipinet. Bashkësia e tij, së bashku me dominikanët, gjallëron Saint-Charles de Monte-Carlo, e mbiquajtur "famullia më e pasur në botë". Nga kazinoja, arrini atje duke u ngjitur në Avenue de la Madone, emër që të kujton Virgjërën Mari - një nga  shenjat e vogla të lidhjes së katolicizmit me Monakon, motoja e së cilës është "Deo Iuvante""Me ndihmë të Zotit". Gjelbërimi përgjatë rrugës është mbresëlënës, në kontrast me ndërtesat ngjyrë-kremi ​​dhe me një pikë takimi ndërmjet vizionit të Papës Leoni XIV dhe atij të Princit Albert II të Monakos kushtuar kujdesit të shtëpisë së përbashkët, për të cilën u fol gjatë audiencës në Vatikan më 17 janar. Fondacioni i sovranit ka financuar mbi 830 projekte mjedisore, për një total prej 118 milionë eurosh. Ndër zonat më të kërkuara janë polet, me një rekord kurioz që dëshmon për angazhimin personal: Albert II është i vetmi sovran që ka arritur si në Polin e Veriut, ashtu edhe në atë të Jugut.

Karrigia për Papa Leonin  XIV
Karrigia për Papa Leonin XIV

Ndërmjet sportit dhe fesë

Për të arritur në Katedralen e Zojës së Papërlyer - ku Papa do të shkojë pas vizitës së mirësjelljes te princi dhe princesha - zbritet drejt detit. Në vitrinat e dyqaneve të qendrës, ndërmjet orëve dhe parfumeve, duken disa pamje të Papës: i matur, pothuajse për të sugjeruar se edhe këtu, mes luksit, ka pritje për diçka të ndryshme. Përshkohet përgjatë Avenue d'Ostende, pjesë e qarkut të Grand Prix të famshëm. Edhe këtu duket  lidhja e mëtejshme ndërmjet identitetit fetar dhe jetës së përditshme: përpara Kishës së Sainte-Dévote - ku Papa do të takohet me të rinj dhe katekumenë, rreth mesditës – është kthesa me të njëjtin emër në pistë, një nga më tekniket për tifozët e Formula 1.

 Kujotjmë se Shën Devota (Sainte-Dévote), është martire dhe Pajtore e Principatës së Monakos.Shën Devota ishte një e re e krishterë nga Korsika, e cila jetoi në shekullin IV (rreth vitit 304 pas Krishtit). Ajo pësoi martirizimin gjatë persekutimeve të egra të perandorit Dioklecian.

"Shpresojmë se Papa do të ringjallë besimin dhe shpresën e popullit të Principatës", thotë Atë Dominique Arz, famullitar i Kishës kushtuar shenjtores, martire e re dhe për këtë arsye "shembull i një feje, që të bën të aftë për t'u dhuruar plotësisht".

Rrugët e Monakos, të zbukuruara me flamuj të Vatikanit
Rrugët e Monakos, të zbukuruara me flamuj të Vatikanit

Dëshirat e Monegaskëve

Duke vazhduar përshkrimin e udhëtimit që Leoni XIV do të bëjë nesër në Monako, mund të devijoni në lagjen Fontvieille, ku ndodhet stadiumi Stade Louis II, shtëpia e ekipit lokal Ligue 1.  Të shtunën, do të kremtohet aty Mesha e fundit, e kryesuar nga Papa. Më në fund, arrihet në Katedralen e Zojës së Papërlyer, në lagjen e Monakos së Vjetër - "Le Rocher", Shkëmbi - një nga vendet që monegaskët dëshirojnë t'ia tregojnë Papës.

"Duam t'u tregojmë njerëzve jetën. Këtu, jeta nuk është gjithmonë ëndërr, përrallore", kujton një famullitar. Jo gjithçka është e magjepsur, pra. Por ndoshta diçka më e rrallë: një vend që, nën mbulesën e luksit, kërkon fytyrën e vet autentike. Një principatë që, në prag të një vizite historike si ajo e Papës, duket se shikon në pasqyrë - njësoj si në punën përpara kazinosë - për të njohur, përtej reflektimit verbues, "kuptimin e jetës", siç e përcaktoi dikur Kryepeshkvi Imzot David.

Leoni XIV do të mbërrijë nesër në një Shtet që i ka të gjitha e që, pikërisht për këtë, e di sa e vështirë - dhe e nevojshme - është të vijojë kërkimi. Jo banaliteti i së mirës. 

27 mars 2026, 11:53