Papa u bën thirrje Trumpit e udhëheqësve botërorë: gjeni zgjidhje për t'i dhënë fund luftës
R.SH. / Vatikan
“Më është bërë me dije se presidenti Trump ka pohuar së fundmi se dëshiron t'i japë fund luftës; shpresojmë që ai po kërkon një rrugëdalje, shpresojmë që po kërkon një mënyrë për të reduktuar dhunën, bombardimet, gjë që do të jepte një kontribut domethënës për të eliminuar urrejtjen që po krijohet e po rritet vazhdimisht në Lindjen e Mesme dhe kudo tjetër”.
Pak ditë para kremtimit të Pashkëve, Papa bën nga Castel Gandolfo një apel paqeje për botën e plagosur nga konfliktet dhe dhuna. Me një deklaratë të lëshuar këtë mbrëmje, 31 mars, për gazetarët jashtë rezidencës papnore, Leoni XIV u drejtohet të gjithë liderëve të botës duke i nxitur: “Kthehuni në tryezë për të dialoguar, le të kërkojmë zgjidhje për problemet, le të kërkojmë mënyra për të reduktuar dhunën që po ushqejmë. Dhe që paqja, sidomos për Pashkë, të jetë në zemrat tona”.
Pashkët, kohë paqeje
Pikërisht Pashkët, kujton Papa, “duhet të jenë koha më e shenjtë e gjithë vitit. Është një kohë paqeje, është një kohë reflektimi të thellë, por siç e dimë të gjithë, sërish në botë, në shumë vende po shohim kaq shumë vuajtje, kaq shumë të vdekur, madje edhe fëmijë të pafajshëm”.
“Vazhdimisht bëjmë thirrje për paqe, por fatkeqësisht shumë njerëz duan të promovojnë urrejtjen dhe dhunën, luftën”, nënvizon Leoni XIV, i cili për këtë arsye u kërkon të gjithëve, “veçanërisht të krishterëve”, që “të jetojnë këto ditë duke njohur se Krishti është ende i kryqëzuar sot, Krishti ende vuan sot tek të pafajshmit, veçanërisht tek ata që po vuajnë nga dhuna, urrejtja dhe lufta”.
“Të lutemi për ta, për viktimat e luftës, të lutemi që të ketë vërtet një paqe të re, të përtërirë, që mund t’u japë jetë të re të gjithëve”, është nxitja e Papa Leonit, i cili, i pyetur nga korrespondentët, shpreh shpresën se për Pashkë mund të ketë një armëpushim nga konfliktet.
Kryqi i Udhës së Kryqit
Papës iu bë edhe një pyetje mbi zgjedhjen, e komunikuar sot, që do të jetë ai vetë që do të mbajë Kryqin gjatë 14 ndalesave të Udhës së Kryqit të së Premtes së Madhe, përgjatë rrugëve të amfiteatrit romak Koloseut.
“Mendoj – përgjigjet Leoni XIV – se do të jetë një shenjë e rëndësishme për atë që përfaqëson Papa: një udhëheqës shpirtëror sot në botë, një zë për të thënë se Krishti ende vuan. Dhe unë i mbart të gjitha këto vuajtje edhe në lutjet e mia”. Nga këtu, edhe një apel për “të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, njerëzit që besojnë, që të ecim së bashku, të ecim me Krishtin që vuajti për ne, për të na dhënë shpëtimin, dhe të kërkojmë edhe ne të jemi bartës të paqes”.
Udhëtimi në Spanjë
Përpara se të përshëndeste grupin e madh të njerëzve të pranishëm në Castel Gandolfo, mes tyre edhe kryetarin e bashkisë së Albanos, Papës iu bë edhe një pyetje se çfarë pret nga udhëtimi në Spanjë i programuar për qershorin e ardhshëm: “Fe, shumë dashuri, mikpritje dhe një pritje të ngrohtë”.
“E vizitoj Spanjën prej më shumë se 40 vjetësh dhe kam gjetur gjithmonë një popull me besim të madh dhe vullnet të mirë”, thotë Leoni, duke u uruar “që të mund t’i kremtojmë të gjitha këto edhe në këtë vizitë”.
