Kërko

Papa u drejtohet të rinjve: kujdes nga mania e reel, chat, like. Mos kini frikë të impenjoheni

Mos e teproni me të thëna e me të bëra, por shijojeni bukurinë e të ndenjurit së bashku. Kjo është një nga porositë e Papës gjatë takimit me të rinjtë dhe katekumenët në sheshin përpara kishës së Shën Devotës. Leoni XIV përsëriti shprehjen e Shën Augustinit, të mirënjohur, por ndonjëherë të keqkuptuar nga brezat e rinj: "Duaje, e bëj çfarë të duash". Një ftesë për të lënë mënjanë "nevojën pothuajse të detyrueshme për ndryshim të vazhdueshëm", për fjalë e për gjeste

R.SH. - Vatikan

Përshëndetja nga anijet e ankoruara në Rivierën Franceze e ndërpreu për ndonjë sekond fjalimin frengjisht të Papës Leoni sot, 28 mars, i përshëndetur nga entuziazmi i shumë të rinjve, që e prisnin nën diell, në oborrin e kishës së Shën Devotës, "e re guximtare", kujtuar, së bashku me Shën Carlo Acutis, "një i ri tjetër", "i dashuruar me Jezusin". Këto janë shembujt që u përmendi Ati i Shenjtë të rinjve dhe katekumenëve, që i sollën vështirësitë e një jete shenjuar nga dritat lëbyrëse, nga dukja, të cilat në mënyrë të pashmangshme e shpërqendrojnë vëmendjen nga gjërat e rëndësishme dhe të sjellin një ndjenjë të madhe boshllëku.

Monako është vend i mrekullueshëm, por bukurinë e vërtetë e sjell ti, kur di ta shikosh në sytë e atij që vuan, ose atij që ndihet i padukshëm ndërmjet dritave të qytetit.

E mira është më e fortë se e keqja

Papa e njeh mirë brishtësinë e të rinjve, por na fton të shikojmë Devotën, martire e fesë dhe bartëse e "një mesazhi paqeje dhe dashurie të Ungjillit". "Feja" - kujton Papa - has sfida dhe pengesa, por asgjë nuk mund t’ia errësojë bukurinë dhe të vërtetën".

E mira është më e fortë se e keqja, edhe kur duket sikur në atë çast, e ka humbur davanë. Jo vetëm kaq, por na kujton edhe se dëshmia e fesë është një farë, që mund të arrijë e të fekondojë zemra dhe vende të largëta, shumë përtej pritjeve dhe mundësive tona.

Oborri i Kishës së Shën Devotës (@Vatican Media)
Oborri i Kishës së Shën Devotës (@Vatican Media)   (@Vatican Media)

Dashuria që shpëton

Leoni XIV u përgjigjet pyetjeve të katër të rinjve, që flasin për vështirësitë e kohës së tyre, të një bote me ritëm të shpejtë, "kultivuese", thotë Papa, "e një lëngshmërie pa kufizime, shënuar nga një nevojë pothuajse kompulsive për ndryshim të vazhdueshëm: në modë, në pamje, në marrëdhënie, në ide e madje edhe në aspekte të personit, përbërëse të vetë identitetit të tij". Në vijim kujton se ajo që shpëton dhe i jep qëndrueshmëri jetës, është dashuria e Zotit e, më pas, dashuria e të tjerëve, e kultivuar me "besnikëri, qëndrueshmëri dhe gatishmëri për t'u flijuar në jetën e përditshme".

Vetëm në këtë mënyrë shqetësimi gjen paqe - edhe ne e dëshirojmë paqen! - e mund të mbushet boshllëku i brendshëm, jo me gjëra materiale dhe kalimtare, as me miratimin virtual të mijëra pëlqimeve, ose me përkatësi kushtëzuese, artificiale dhe ndonjëherë edhe të dhunshme.

 Era e Shpirtit

"Nga këto gjëra", shton ai, duhet të pastrohet porta e zemrës, në mënyrë që ajri i shëndetshëm dhe oksigjenues i Hirit të mund të rifreskojë dhe të rigjallërojë përsëri dhomat e saj, e në mënyrë që era e fortë e Shpirtit Shenjt të mund t’i fryjë përsëri velat e jetës sonë, duke e shtyrë drejt lumturisë së vërtetë". Një pamje, e cila duket se është frymëzuar nga vetë deti, që lag Principatën e Monakos.

Të gjitha këto karizma, të dashur, kanë nevojë për lutje, hapësira heshtjeje, dëgjimi, për ta bërë të heshtë maninë e të bërit dhe të thënit, të mesazheve, të reel dhe të chat, si dhe për ta thelluar e për ta shijuar bukurinë e qenies vërtet dhe konkretisht bashkë.

Shija e re e jetës

Papa na nxit kështu ta jetojmë Javën Shenjte, "në një klimë dëgjimi të zërit të Shpirtit dhe të asaj që ndodh në zemrat tona"; një mundësi për të shqyrtuar jetën tonë. Jeta shpirtërore dhe lutja janë rrugët që duhet të ndjekim, por edhe "ushtrimi i bamirësisë" që vjen nga një marrëdhënie e thellë me Zotin është gjithashtu i nevojshëm. Fjalët e Papës drejtuar të rinjve janë të ndërthurura me frazën augustiniane "Duaj e bëj çfarë të duash", që do të thotë të jesh dhuratë falas për të tjerët, i palëkundur edhe përballë vështirësive.

Të dashur të rinj, mos kini frikë t'i jepni gjithçka - kohën tuaj, energjinë tuaj - Zotit dhe vëllezërve e motrave tuaja, që të mund ta shkrini veten plotësisht për Zotin dhe për të tjerët. Vetëm në këtë mënyrë do të gjeni  shije gjithmonë të re dhe kuptim gjithnjë e më të thellë në jetë. Bota ka nevojë për dëshminë tuaj, për të kapërcyer tekat e kohës sonë, për t'u bërë ball sfidave të saj dhe, mbi të gjitha, për të rizbuluar mirësinë e dashurisë për Zotin dhe të afërmin.

  (@Vatican Media)

Dritarja e shpresës

Leoni e përfundoi fjalimin duke i nxitur të rinjtë të jetojnë një jetë të plotë "në fe, shpresë, drejtësi e bamirësi", duke qenë ndërtimtar të paqes dhe "fytyra rinore e kësaj Kishe - shtoi ai – dhe e këtij Shteti".

Monako është vend i vogël, por mund të jetë laborator i madh solidariteti e dritare shprese. Silleni Ungjillin në zgjedhjet tuaja profesionale, në angazhimin tuaj shoqëror dhe politik, për t'u dhënë një zë atyre që nuk e kanë, duke përhapur kulturën e kujdesit. Bëjeni gjithçka  dhuratë për Zotin dhe jetojeni gjithçka si mision, i cili ju thërret të jeni miq në Krishtin dhe shokë besnikë për njëri-tjetrin në udhëtim.

28 mars 2026, 14:09