Papa: vdiq Ilia II, bari i devotshëm, që e shoqëroi Gjeorgjinë në kohë të vështira
R.SH. - Vatikan
Zë bashkimi, i aftë të kumbojë edhe më thellë përmes fuqisë së muzikës: stimul për kërkimin e atij uniteti, që është edhe më i nevojshëm në kohë të vështira dhe në ndryshime epokale, ndaj të cilave Gjeorgjia nuk mbeti indiferente. Kjo është trashëgimia e Ilisë II, catholicos-patriark i mbarë Gjeorgjisë, kujtuar nga Papa Leoni XIV në një mesazh të lexuar nga Kardinali Kurt Koch, Prefekt i Dikasterit për Promovimin e Unitetit të të Krishterëve, gjatë shërbesës mortore, e publikuar sot, e diel, 22 mars.
Patriarku Katolik ndërroi jetë në Tbilisi mbrëmjen e së martës, 17 mars, në moshën 93 vjeç. Lajmi u njoftua këtë mëngjes nga Patriarkana Gjeorgjiane.
Mirësi, urti e forcë ungjillore
Papa bashkohet me ngushëllimet e Sinodit të Shenjtë dhe të mbarë Kishës Ortodokse të Gjeorgjisë në kujtimin e "bariut e atit". Patriarku, shkruan Papa, e udhëhoqi popullin e tij "me mirësi, mençuri dhe forcë ungjillore" për shumë vite - duke u bërë Primat i Kishës Ortodokse Apostolike Autoqefale Gjeorgjiane në vitin 1977, me titujt catholicos-patriark i mbarë Gjeorgjisë, Kryepeshkop i Mtskheta-Tbilisit dhe Mitropolit i Abkazisë dhe Bikhvintës - edhe nëpër "kohë të vështira" e "ndryshime të thella epokale", duke mos humbur kurrë dashurinë e tij për traditën e, në të njëjtën kohë, për shpresën e zemrave.
"Zëri i Pajtimit"
Leoni XIV kujton, më pas, edhe pasionin e thellë të Ilia-s II për muzikën, "stimul për kërkimin e bukurisë së Zotit" dhe instrument i aftë për të bashkuar popujt, duke i afruar Kishat përtej dallimeve kulturore dhe teologjike. Kujton edhe takimin me Shën Gjon Palin II - ditë historike për ekumenizmin, pasi ishte hera e parë që një Katolik-Patriark i Kishës Apostolike të Gjeorgjisë vizitonte Vatikanin, për të shkëmbyer një puthje paqeje me Ipeshkvin e Romës – e edhe me Papën Françesku, "në frymë përzemërsie dhe vëllazërie".
Për shumë njerëz, ai ishte atë shpirtëror, zë pajtimi, ndërtues i palodhur i unitetit.
"Jeta nuk merret, por shndërrohet"
Papa Leoni na nxit të mos i dorëzohemi dëshpërimit të humbjes, por të jemi të sigurtë "se jeta nuk merret, transformohet". E na kujton: “Ndërsa ia besoni këtë shërbëtor besnik Zotit, fjalët e Apostullit Pal jehojnë fuqishëm, duke na kujtuar se ringjallja e Jezusit është themeli i fesë sonë dhe burimi i shpresës sonë”.
Urimet më të mira për Zëvendësin e Selisë Patriarkale
Leoni XIV më në fund i drejtohet Mitropolitit të Senaki e Chkhorotsku, locum tenens i Selisë Patriarkale, duke u lutur që, me dritën, gjykimin dhe forcën, të cilat vijnë nga Zoti, ta udhëheqë Kishën Ortodokse të Gjeorgjisë me të njëjtën bamirësi baritore, që e frymëzoi Patriarkun e ndjerë.
