Kërko

Në foto: kryeipeshkvi i ri i Canterbury-t, Sarah Mullally (ANSA) Në foto: kryeipeshkvi i ri i Canterbury-t, Sarah Mullally (ANSA)

Papa i drejtohet kryeipeshkvit të ri të Canterbury-t: me dialog, mes sfidave të botës

Leoni XIV i ka dërguar një mesazh urimesh Sarah Mullally-t, autoritetit më të lartë shpirtëror të Kishës Anglikane, me rastin e emërimit të saj zyrtar dje. I dërguari papnor, kardinali Koch, e dorëzoi letrën në fund të një lutjeje të përbashkët ku u kremtua 60-vjetori i takimit midis Papës Palit VI dhe kryeipeshkvit Ramsey në Romë, në vitin 1966.

R.Sh. Vatikan

Përshëndetje, urimet më të mira, nxitje për një shërbim "të vështirë", dhe po ashtu një ftesë për të "vazhduar dialogun tek e vërteta dhe dashuria", në mënyrë që t'i ofrojmë dhuratat e Zotit kësaj bote të plagosur nga tragjedi të ndryshme. Këto rreshta i shkruan Papa kryeipeshkvit të Canterbury-t, Sarah Mullally, autoritetit më të lartë shpirtëror të Kishës Anglikane, e cila u emërua zyrtarisht dje në këtë post, në një ceremoni ku morën pjesë edhe Princat William dhe Kate dhe udhëheqës të ndryshëm fetarë. Gjashtëdhjetë e tri vjeçare, e martuar dhe nënë e dy fëmijëve, Mullally është gruaja e parë që mban këtë detyrë. Në predikimin e saj, ajo foli, mes tjerash, për gratë në Shkrimin Shenjtë të cilat, duke i besuar Zotit, u nisën drejt një të ardhmeje të pasigurt. Nga ana tjetër, kryeipeshkvi Mullally përsëriti gjithashtu se është gjithmonë e ngutshme të arrihet e vërteta dhe drejtësia në Kishë.

Lutja e përbashkët

Këtë mëngjes, në Katedralen e Canterbury-t, u mbajt një lutje e përbashkët, e kryesuar nga kryeipeshkvi i ri dhe i dërguari i Papës, kardinali Kurt Koch, prefekt i Dikasterit për Promovimin e Bashkimit të Krishterë. Të dy u lutën krah për krah, në gjunjë, në kishëzën e Martirizimit të Zonjës Sonë, në të njëjtën stol gjunjëzimi të përdorur për takimin midis Gjon Palit II dhe kryepeshkopit Robert Runcie në vitin 1982. Në fund të liturgjisë, kardinali Koch paraqiti letrën e urimeve të Papës, në të cilën Leoni XIV kujtoi shërbimin "e vështirë" që i është besuar kryeipeshkvit, i cili "ka përgjegjësi jo vetëm për Dioqezën e Canterbury-t, por edhe për të gjithë Kishën e Anglisë dhe Bashkimin Anglikan në tërësi". Mullally zëvendësoi në këtë detyrë të epërme kryeipeshkvin Justin Welby, i cili dha dorëheqjen në vitin 2024. Leoni XIV kujton se primati i ri po i fillon detyrat e veta "në një kohë sfiduese në historinë e familjes anglikane". Prandaj, ai i kërkon Zotit ta "forcojë atë me dhuratën e mençurisë".

Lutem që Ju të udhëhiqeni nga Fryma e Shenjtë në shërbimin ndaj komuniteteve tuaja dhe të frymëzoheni nga shembulli i Marisë, Nënës së Zotit.

Takimi midis Papës Palit VI dhe Ramsey në Romë në vitin 1966

Papa më pas, në mesazhin e tij, kthehet prapa në kohë dhe kujton takimin "historik" në Romë, gjashtëdhjetë vjet më parë, midis Shën Palit VI dhe kryeipeshkvit Michael Ramsey. Ishte viti 1966, dhe takimi u zhvillua gjatë dy ditëve: 23 dhe 24 mars, i fundit në bazilikën e Shën Palit Jashtë Mureve në Romë. Liturgjia e sotme përkujton pikërisht këtë përvjetor.

Ato duar të kapura atëherë midis Montinit dhe Ramsey-t "i përfshinë katolikët dhe anglikanët në një fazë të re të zhvillimit të marrëdhënieve vëllazërore, bazuar te dashuria e krishterë", theksoi Papa.

Ajo faqe e re e hapjes plot respekt për njëri-tjetrin ka dhënë shumë fryte gjatë gjashtëdhjetë viteve të fundit dhe vazhdon ta bëjë këtë edhe sot.

Puna e komisionit anglikano-katolik

Në atë takim, Papa dhe kryeipeshkvi anglikan "ranë dakord gjithashtu të nisin një dialog teologjik". Kështu lindi Komisioni Ndërkombëtar Anglikano-Katolik (KNAK), i cili, "që nga krijimi i tij, ka dhënë një kontribut të madh në rritjen e mirëkuptimit të ndërsjellë".

Frytet e kësaj pune të vlefshme na kanë mundësuar të dëshmojmë së bashku në mënyrë më prodhimtare. Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh sfidat e shumta me të cilat përballet familja jonë njerëzore sot.

Përparime, me gjithë pengesat e njohura.

Papa Leoni thotë se është "mirënjohës" që "ky dialog i rëndësishëm vazhdon", dhe vijon sadoqë "udhëtimi ekumenik nuk ka qenë gjithherë pa pengesa", pranon Papa. Ai kujton të kaluarën më të afërt, më saktësisht, marrëdhëniet ndërmjet Papa Françeskut dhe kryeipeshkvit Welby – të cilët gjithashtu vizituan Sudanin e Jugut së bashku gjatë udhëtimit të tyre në vitin 2023 – dhe që, pavarësisht përparimeve, "pranuan hapur se rrethanat e reja kanë sjellë mosmarrëveshje të reja midis nesh". "Megjithatë, ne kemi vazhduar të ecim së bashku, sepse dallimet nuk mund të na pengojnë të njohim njëri-tjetrin si vëllezër e motra në Krishtin për shkak të Pagëzimit tonë të përbashkët", nënvizoi Papa Leoni XIV.

Nga ana ime, unë besoj ngultas se duhet të vazhdojmë të dialogojmë tek e vërteta dhe dashuria, sepse vetëm tek e vërteta dhe dashuria mund të vërejmë së bashku hirin, mëshirën dhe paqen e Zotit dhe kështu të jemi në gjendje t'ia ofrojmë këto dhurata të çmuara botës.

Dëshmi e bashkimit

"Bashkimi që kërkojnë të krishterët nuk është kurrë një qëllim në vetvete", përfundon mesazhin e vet Ati i Shenjtë Prevost. Ai kujton gjithashtu Papë Françeskun kur, duke iu drejtuar Parisë së Bashkimit Anglikan në vitin 2024, pati deklaruar se "do të ishte një shkandull nëse, për shkak të përçarjeve, nuk do ta përmbushnim thirrjen tonë të përbashkët për ta bërë të njohur Krishtin".

Vetëm nëpërmjet dëshmisë së një bashkësie të krishterë të pajtuar, vëllazërore dhe të bashkuar, shpallja e Ungjillit do të jehojë më qartë.

Delegacioni katolik

Delegacioni katolik në Canterbury, të cilit i printe kardinali Koch, përbëhej nga sekretari i Dikasterit për Nxitjen e Bashkimit të Krishterë, kryeipeshkvi Flavio Pace, zyrtari Martin Brown dhe kardinalët Vincent Nichols dhe Timothy Radcliffe. Gjithashtu të pranishëm ishin kryeipeshkvi Bernard Longley i Birminghamit, bashkëkryetar i Komisionit të Dialogut Anglikano-Katolik (ARCIC), kryeipeshkvi Richard Moth i Westminsterit, kryeipeshkvi John Wilson i Southwarkut, kryeipeshkvi Leo William Cushley i St Andrews dhe Edinburgut, ipeshkvi Kenneth Anthony Adam Nowakowski i Kishës Katolike Greke Ukrainase në Mbretërinë e Bashkuar dhe Ante Vidović, i Ngarkuari me Punë në Nunciaturën Apostolike në Londër.

26 mars 2026, 13:01