Kërko

Konferenca Ipeshkvnore Franceze mbledhur në seancën plenare të pranverës në Lurdë. Konferenca Ipeshkvnore Franceze mbledhur në seancën plenare të pranverës në Lurdë.

Papa u drejtohet ipeshkvijve francezë: «Shqetëson fakti se në Kishë po hapen plagë për liturgjinë»

Mesazh i Leonit XIV, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit Parolin, për seancën plenare të Konferencës Ipeshkvnore Franceze në Lurdë. Papa bën thirrje për gjetjen e "zgjidhjeve konkrete për të përfshirë ata që lidhen me «Vetus Ordo» – rendin e vjetër të Meshës. Lidhur me çështjen e abuzimit, Papa Prevost nxit vëmendjen ndaj viktimave dhe mëshirën ndaj të gjithëve, përfshirë meshtarët fajtorë.

R.Sh. Vatikan

Abuzimi me të rinjtë dhe «Vetus Ordo», që shqip do të thotë: «rendi i vjetër i Meshës», i para Koncilit II të Vatikanit. Dy çështje të brishta dhe të ndërlikuara, që shkaktojnë plagë brenda Kishës, janë në qendër të asamblesë plenare të Konferencës Ipeshkvnore Franceze, që nisi dje në Lurdë dhe mbyllet nesër, të enjten, më 26 mars. Piërisht këto janë dy temat kryesore që shqyrton Papa në mesazhin dërguar ipeshkvijve francezë, të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinal Pietro Parolin. Ati i Shenjtë Prevost bën thirrje aty të merret parasysh çështja e abuzimeve, duke shprehur shqetësim për viktimat por edhe mëshirë  "ndaj të gjithëve", përfshirë meshtarët fajtorë. Më tej, në mesazh, Papa flet për çështjen e Meshës tradicionale, të para Koncilit II të Vatikanit, në mënyrë që të gjendet një "rrugëdalje dhe të përfshihen me zemërgjerësi ata që janë sinqerisht të lidhur me «Vetus Ordo»". Këto dy pika, Papa Prevost i përmend pa e fshehur shqetësimin e tij të thellë se: "një plagë që dhemb, e që është kremtimi i Meshës, vetë sakramentit të bashkimit, po vazhdon të hapet në Kishë".

Tema "e brishtë" e liturgjisë

Kjo frazë e fundit u përsërit edhe nga kardinali Jean-Marc Aveline, kryetar i episkopatit francez dhe kryeipeshkëv i Marsejës, në fjalën e tij të hapjes.

Ipeshkvijtë do ta diskutojnë këtë temë në një konferencë të posaçme kushtuar "Liturgjisë dhe Traditës", në vazhdimësi me të gjitha Koncilet, veçanërisht me Koncilin e Dytë të Vatikanit, tha Aveline. Pikërisht për të shëruar këto përçarje, Papa tregon rrugën e pranimit të ndërsjellë.

Kriza e abuzimit

Po ashtu, Leoni XIV, duke u përmendur çështjen e abuzimit, pohon se "ka ardhur koha për të parë me vendosmëri drejt së ardhmes dhe, meshtarëve të Francës të sprovuar rëndë nga shkandulli i abuzimeve t’u drejtohet një mesazh që u jep zemër dhe shpresë.

"Një pikë e reflektimit tuaj duhet t’i kushtohet vazhdimit të luftës kundër abuzimit të fëmijëve dhe procesit të dëmshpërblimit, gjë që ju keni ndërmarrë me vendosmëri", thekson Papa Leoni mes tjerash në mesazhin e tij.

Mbrojtja e arsimit katolik përball armiqësive

Një tjetër pikë për të cilën Papa shpreh interesimin të drejtëpërdrejtë në punimet e sesionit plenar të Konferencës Ipeshkvnore Franceze është arsimi. Kjo temë, merr rëndësi të veçantë tashti që përgjithësisht vihet re "një armiqësi në rritje kundrejt institucioneve arsimore katolike, aq sa vihet në pikëpyetje identiteti i tyre".

 

 

25 mars 2026, 11:50