Kërko

Të rinjtë dhe katekumenët në dialog me Papën: "të dëshmojmë dashurinë që ndryshon jetën"

Në Sheshin përpara Kishës së Shën Devotës martire, u zhvillua takimi i Papës me gjeneratat e reja dhe me shumë djem e vajza që po përgatiten të marrin Pagëzimin. Benjamin, Andreia, Ethan dhe Sophie i drejtuan Atit të Shenjtë pyetje se si ta pajtojnë fenë katolike me vështirësitë e një shoqërie të shpërndarë ndaj jetës së brendshme dhe indiferente ndaj nevojave të më të brishtëve.

R.SH. - Vatikani

Si të qëndrojmë besimplotë dhe ta ruajmë shpresën në qendër të fesë së krishterë, si të kemi një marrëdhënie të përditshme dhe të thellë me Krishtin, si të dëshmojmë si të pagëzuar një dashuri "që ndryshon jetën" dhe si të rritemi në bamirësinë e vërtetë ndaj atyre që kanë nevojë? Me këto katër pyetje, dy vajza dhe dy djem mirëpritën Leonin XIV në sheshin para Kishës së Shën Devotës, gjatë takimit me brezat e rinj dhe katekumenët e Principatës së Monakos.

Në gjurmët e shenjtorëve të rinj

Një vend kujtese dhe lutjeje, tha në hapje kryeipeshkvi Imzot Dominique-Marie David, "aq i dashur për të krishterët e Monakos", të cilët kujtojnë Devotën, vajzën e re që, në agimet e shekullit IV, në Korsikë dëshmoi besnikërinë ndaj Krishtit deri në flijimin e jetës së saj. Një histori, ajo e vajzës, trupi i së cilës mbërriti pikërisht aty ku sot ngrihet tempulli i dedikuar asaj si "një oaz shpirtëror", shtyllë e religjiozitetit vendas, aq sa populli monegask dhe princat e tij "kanë dashur ta vendosin familjen, vendin dhe dioqezën nën mbrojtjen e saj".

Kryeipeshkvi shpjegoi se zgjedhja e këtij vendi për të bashkuar djemtë dhe vajzat me Papën u bë sepse aty nuk shkëlqen vetëm dëshmia e Shën Devotës, por prej disa vitesh aty nderohet edhe një tjetër shenjtor i ri, Carlo Acutis. Prelati prezantoi më pas të rinjtë e Monakos, të cilët, "si gjithë të rinjtë e sotëm, mishërojnë dinamizmin dhe bujarinë", por janë gjithashtu "plot pyetje" dhe "shqetësime" mbi situatën e botës dhe të ardhmen që i pret.

Ndërmjet privilegjeve dhe mundit

I pari që mori fjalën ishte 22-vjeçari Benjamin, aktiv në jetën dioqezane dhe shoqatave, i cili u shpreh mirënjohës që mund ta "jetojë dhe shprehë lirisht" fenë e tij në një mjedis favorizues për katolicizmin.

"Në Principatë ka shumë Kisha, kemi një numër të madh meshtarësh, prani të Kishës në të gjitha institucionet shkollore, propozime të ndryshme dhe mundësi për t'u angazhuar në ndihmë të të tjerëve. Por kjo nuk e mohon faktin se duhet të përballemi me vështirësi, edhe sepse bota evoluon, çorientimet dhe hutimet janë gjithnjë e më të shumta dhe është gjithnjë e më e lehtë të largohemi nga vetvetja, nga të tjerët dhe nga Zoti", rrëfeu Benjamin, ndonëse i vetëdijshëm për kontekstin e privilegjuar në të cilin është rritur.

Shpresa në qendër

Si student mjekësie, ai tregoi se si përballet me vuajtjen e njerëzve, me vetminë, vulnerabilitetin dhe varfërinë e jetës: "E gjithë kjo më ndihmon të qëndroj me këmbë në tokë, në kontakt me atë që jeta njerëzore ka më të çmuar".

Megjithatë, kur vështrimi kthehet nga ajo që ndodh në botë — mes konflikteve dhe problemeve mjedisore — dëshpërimi mund të marrë epërsinë, sepse "situata aktuale nuk parashikon asgjë të mirë". Për këtë arsye, Benjamin i kërkoi Atit të Shenjtë disa këshilla se si të qëndrojnë "besimplotë" dhe ta ruajnë "atë shpresë që është në qendër të fesë së krishterë".

Feja të mos jetë zakon

I njëjta ankth për të ardhmen doli edhe nga fjalët e Andreia-s, një 24-vjeçare portugeze, e cila iu drejtua Papës në emër të shumë të rinjve të brezit të saj, të zhytur në një botë "plot me stimuj, rrjete sociale dhe tendenca që na modelojnë, shpesh pa e kuptuar as vetë".

Në këtë situatë, pranoi vajza, "ndonjëherë është e vështirë ta jetosh plotësisht fenë tënde". Midis angazhimeve të studimit, punës, argëtimit, përgjegjësive familjare apo shtëpiake, "ndodh që jeta fetare të kthehet në një zakon", diçka që bëhet "si "automatizëm dhe jo nga një bindje e thellë”, vazhdoi ajo.

Të ecim përpara me guxim

Në ato momente ndjehet "një boshllëk i brendshëm, sikur miqësia jonë me Krishtin po dobësohet", ndoshta edhe për shkak të ngjarjeve të botës apo jetës personale si lufta, dhuna, sëmundjet, humbja e një personi të dashur: realitete këto, shpjegoi Andreia, "që mund të na bëjnë të dyshojmë, të pyesim veten, dhe herë pas here madje edhe të largohemi përkohësisht nga Zoti". E megjithatë, impenjmi është për të pasur një fe "të gjallë, koherente dhe prezente" në të gjitha aspektet e jetës, për të ecur përpara "me guxim dhe shpresë", edhe "në brishtësi dhe pasiguri", shtoi vajza duke pyetur Papën se si të bëjmë që feja, e palëkundur dhe e gjallë, të transformojë vërtet përditshmërinë dhe të ndihmojë për të jetuar një marrëdhënie të sinqertë dhe të thellë me Krishtin.

Një thirrje radikale

I takoi pastaj 25-vjeçarit Ethan t’i drejtohej Papës së Romës: "U bënë 5 vjet që Zoti më ka ftuar ta ndjek në rrugën e pagëzimit", e nisi fjalën i riu duke treguar për atë thirrje "rrënjësore" dhe të papritur që i erdhi në një periudhë të komplikuar të jetës. Edhe pse nuk ishte besimtar, ai ndjente se "mungonte diçka": ajo që bota propozonte — grumbullimi i pasurisë, kërkimi i kënaqësive dhe i pushtetit — "më dukej pa konsistencë dhe pa një themel të vërtetë", derisa "pa pika referimi, rash në një lloj letargjie ku asgjë nuk kishte kuptim vërtet". Pikërisht atëherë, "në atë moment humbjeje dhe dëshpërimi, Krishti më erdhi në takim me një kërkesë shumë të thjeshtë: 'Eja dhe më ndiq!'", kujtoi i riu që punon si përgjegjës kantieri. "Cila kërkesë është më e bukur se kjo? Çfarë gëzimi për të krishterët — dhe për ata që nuk janë ende — të marrin këtë ftesë?", vuri re ai.

Në pritje të Pagëzimit

Ethan iu referua pastaj të gjithë atyre që si ai në botë po përgatiten të marrin pagëzimin, "të bashkuar në të njëjtin vullnet për të ndjekur Zotin tonë". Në emër të të gjithë tyre, i riu i kërkoi Leonit XIV sugjerime se si të përgatiten shpirtërisht për sakramentin dhe si, pasi të pagëzohen, do të mund të "dëshmojnë çdo ditë këtë dashuri që u ka ndryshuar jetën".

Ngushëllimi i vështirë

Javën e ardhshme do të marrë pagëzimin edhe 35-vjeçarja Sophie, mjeke në spitalin e Monakos, ku koordinon kujdesin shtëpiak për pacientët me sëmundje të rënda. Farë e "dëshirës për të përparuar në marrëdhënien me Krishtin, për të kuptuar dhe zbatuar atë që Fjala e Zotit kërkon të na mësojë", i kishte rrënjët e saj më të thella që në vitet e universitetit, rrëfeu gruaja, e cila nisi rrugëtimin e saj të inicimit të krishterë dy vite më parë.

Çdo ditë, në kontakt me vuajtjen dhe brishtësinë, nuk është gjithmonë e lehtë "të gjesh fjalë ngushëllimi për të ndihmuar pacientët besimtarë që ndihen të braktisur nga Zoti kur nuk shërohen", tregoi specialistja, duke pyetur: "Çfarë mund të bëjmë përballë asaj që shumëkujt i duket si një padrejtësi e madhe?"

Bujarë ndaj atyre që kanë nevojë

Dhe përballë "indiferencës së jashtëzakonshme" që mbizotëron në shoqëri, kur dëshirojmë "t'u përgjigjemi me bujari nevojave të shumta të atyre që takojmë", si mund t'ia bëjmë? Së fundi, kjo ishte pyetja e fundit që mjekja i drejtoi Papës – ajo mjeke që herë pas here mund të kurojë vetëm me një përkëdhelje: "Si mund të rritemi në shprehjen e një bamirësie të vërtetë, të afrohemi me vëllezërit e motrat tona dhe t'i duam ata?".

28 mars 2026, 11:39