Kërko

Papa, luftërat dhe mbylljet ndërmjet kombeve janë varret që duhen hapur në ditët tona

Në homelinë e tij Natën e Pashkëve, Papa Leoni XIV bën një thirrje të fortë për paqe dhe hapje, duke i krahasuar konfliktet dhe muret e ngritura mes shteteve me "varret" moderne që mbajnë të burgosur shpresën e njerëzimit.

R.SH. / Vatikan

Në mëngjesin e Pashkëve, Maria e Magdalës dhe Maria tjetër, "duke mundur dhimbjen dhe frikën, u vunë në rrugëtim"; "në tërmetin dhe tek engjëlli, i ulur mbi gurin e varrit të rrokullisur, ato panë fuqinë e dashurisë së Hyjit, më të fortë se çdo forcë e së keqes, e aftë për të 'shpërndarë urrejtjen' dhe për të 'thyer ashpërsinë e të pushtetshmëve'". Kështu u shpreh, mes tjerash, Papa Leoni XIV në homelinë e Meshës së Natë së Pashkëve të kryesuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan.

Papa në homeli vuri në dukje se ishin gratë ato që, pavarësisht errësirës dhe trishtimit, patën guximin të shkonin drejt varrit të Jezusit, duke u bërë dëshmitaret e para të shpresës. Guri i Rrokullisur nga varri i Jezusit, simbolizon se asnjë pengesë njerëzore, sado e rëndë si guri i varrit, nuk mund ta ndalë planin e Hyjit për jetën. Në një kohë me konflikte dhe padrejtësi, Papa kujton se "ashpërsia e të pushtetshmëve" nuk e ka fjalën e fundit. Dashuria e Ngjalljes së Jezu Krishtit është forca e vërtetë që transformon historinë.

Në homelinë e tij Natën e Pashkëve, Papa Leoni XIV bën një thirrje të fortë për paqe dhe hapje, duke i krahasuar konfliktet dhe muret e ngritura mes shteteve me "varret" moderne që mbajnë të burgosur shpresën e njerëzimit.

Sipas Atit të Shenjtë Leoni XIV, ashtu si guri i varrit të Krishtit u rrokullis për të lënë dritën të hyjë, edhe sot botës i duhet forca e të Ngjallurit për të thyer:

  • Varret e luftërave shkatërrojnë jetë dhe të ardhmen e popujve.

  • Varret e egoizmit mbyllin kufijtë dhe zemrat ndaj atyre që kanë nevojë.

  • Varret e indiferencës na bëjnë të shurdhër ndaj britmës së të varfërve.

    "Krishti u ngjall për të gjithë! Asnjë komb nuk mund të mbetet i mbyllur në varrin e vetmisë apo të urrejtjes. Pashkët janë ftesa për të hapur çdo derë dhe çdo zemër drejt pajtimit."

Në vijim

Homelia e Atit të Shenjtë Leoni XIV

E Diela e Pashkëve "Ngjallja e Zotit"

Vigjilja e Pashkëve në Natën e Shenjtë

4 Prill 2026

 

"Misteri i shenjtë i kësaj nate [...] e dëbon urrejtjen, e nënshtron ashpërsinë e të fuqishmëve, nxit harmoninë e paqen" (Shpallja e Pashkëve).

Kështu, të dashur vëllezër e motra, diakoni, në fillim të këtij kremtimi, e lavdëroi dritën e Krishtit të Ngjallur, të simbolizuar nga Qiriu i Pashkëve. Nga ky Qiri i vetëm ne të gjithë ndezëm qirinjtë tanë dhe, secili duke mbajtur një flakë të nxjerrë nga i njëjti zjarr, e ndriçuam këtë bazilikë të madhe. Është shenja e dritës së Pashkëve, e cila na bashkon në Kishë, si llambat për botën. Njoftimit të diakonit iu përgjigjëm "amen", duke pohuar angazhimin tonë për ta rrokur këtë mision, e së shpejti do ta përsërisim "po"-në tonë duke i përtërirë Premtimet e Pagëzimit.

Kjo, të dashur, është Nata pa gjumë përplot me dritë, më e vjetra e traditës së krishterë, e quajtur "nëna e të gjitha netëve". Në të, ne rijetojmë përkujtimin e fitores së Zotit të jetës mbi vdekjen dhe mbi ferrin. E bëjmë, pasi kemi përshkuar, në ditët e kaluara, si në një festë të vetme të madhe, misteret e Mundimeve të Zotit, që u bë për ne "njeriu i dhembjeve" (Is 53:3), "i përbuzur e i dëbuar nga njerëzit" (ibid.), i torturuar dhe i kryqëzuar.

A ka bamirësi më të madhe? E dhurim më të plotë? I Ngjalluri është i njëjti Krijues i universit i cili, ashtu si në agimin e historisë, na dha jetë nga hiçi, e ashtu edhe në kryq, për të na treguar dashurinë e Tij të pakufishme, na dhuroi jetën.

Na e kujtoi Leximi i parë këtë, me historinë e zanafillës. Në fillim, Zoti krijoi qiejt dhe tokën (shih Zan 1:1), duke nxjerrë kozmosin nga kaosi, harmoninë nga çrregullimi dhe duke na e besuar neve, të krijuar sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së tij, detyrën që të jemi rojtarët e tyre. E  edhe kur, me mëkatin, njeriu nuk iu gjegj këtij plani, Zoti nuk e braktisi, por e zbuloi në një mënyrë edhe më të habitshme, nëpërmjet faljes, fytyrën e tij të mëshirshme.

"Misteri i shenjtë i kësaj nate", pra, i ka rrënjët e tij edhe aty ku ndodhi dështimi i parë i njerëzimit,  e shtrihet përgjatë shekujve si rrugë pajtimi dhe hiri.

Liturgjia na propozoi disa faza të këtij udhëtimi nëpërmjet teksteve të shenjta që i kemi dëgjuar. Na kujtoi se Zoti e ndaloi dorën e Abrahamit, gati të flijonte birin e tij, Isakun, për të na treguar se nuk e dëshiron vdekjen tonë, por që ne ta shenjtërojmë veten për të qenë, në duart e tij, anëtarë të gjallë të prejardhjes të të shpëtuarve (shih Zan 22,11-12, 15-18). Ai na ftoi edhe të reflektojmë mbi mënyrën se si Zoti i çliroi izraelitët nga skllavëria në Egjipt, duke e bërë detin vend vdekjeje dhe  pengesë të pakapërcyeshme, e portë hyrjeje për fillimin e jetës së re e të lirë. I njëjti mesazh u kthye si jehonë në fjalët e Profetëve, në të cilat dëgjuam lavdet e Zotit, si dhëndri që thërret e mbledh (shih Isaia 54:5-7), burimi që shuan etjen, uji që fryton (shih Is. 55:1, 10), drita që tregon rrugën drejt paqes (shih Bar 3:14), Shpirti që i shndërron e i përtërin zemrat (Ezekia 36:26).

Në të gjitha këto çaste të historisë së shëlbimit, pamë se si Zoti i përgjigjet ashpërsisë së mëkatit, që ndan e vret, me fuqinë e dashurisë, që e bashkon dhe e rikthen jetën. I kemi kujtuar së bashku, duke e ndërthurur rrëfimin me psalme e lutje, për t’i kujtuar vetes se, nëpërmjet Pashkëve të Krishtit, “të varrosur me të në vdekje [...] edhe ne mund të ecim në një jetë të re [...] të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Zotin, në Krishtin Jezus” (Rom 6,4-11), të shenjtëruar në Pagëzim për dashurinë e Atit, të bashkuar në bashkësinë e shenjtorëve, të bërë përmes hirit, gurë të gjallë për ndërtimin e Mbretërisë së tij (krh. 1 Pj 2,4-5).

Në këtë dritë, lexojmë historinë e Ringjalljes, që e dëgjuam në Ungjillin e Mateut. Në mëngjesin e Pashkëve, gratë, duke e mundur dhimbjen dhe frikën, u vunë për udhë. Donin të shkonin te varri i Jezusit. Prisnin ta gjenin të vulosur, me një gur të madh në hyrje e ushtarë që bënin roje. Ky është mëkati: një pengesë e rëndë që na mbyll dhe na ndan nga Zoti, duke kërkuar të vrasë fjalët e tij të shpresës brenda nesh. Megjithatë, Maria Magdalenë dhe Maria tjetër nuk u frikësuan. Shkuan te varri dhe, falë besimit e dashurisë së tyre, qenë dëshmitaret e para të Ngjalljes. Në tërmetin e në engjëllin, ulur mbi shkëmbin e përmbysur, panë fuqinë e dashurisë së Zotit, më të fortë se çdo forcë e së keqes, e aftë të "shpërndajë urrejtjen" dhe të "përkulë ashpërsinë e të fuqishmëve". Njeriu mund ta vrasë trupin, por jeta e Zotit të dashurisë është jetë e përjetshme, e cila e tejkalon vdekjen e asnjë varr nuk mund ta burgosë. Kështu i Kryqëzuari mbretëroi nga kryqi, engjëlli u ul mbi gur dhe Jezusi iu duk atyre i gjallë, duke thënë: “Ju përshëndes!” (Mt 28,9).

Ky, të dashur, është edhe mesazhi ynë për botën sot, takimi që dëshirojmë ta dëshmojmë me fjalët e fesë dhe veprat e bamirësisë, duke kënduar me jetën tonë “Aleluja”, që e shpallim me buzët tona (krh. Shën AUGUSTINI, Predikimi 256, 1). Ashtu si gratë që vrapuan për t’ua kumtuar lajmin vëllezërve dhe motrave të tyre, edhe ne dëshirojmë të nisemi nga kjo Bazilikë sonte për t’u çuar të gjithëve lajmin e mirë se Jezusi është ringjallur dhe se me forcën e tij, e të ringjallur me të, edhe ne mund t’i japim jetë një bote të re paqeje dhe uniteti, si “një shumicë njerëzish së bashku [...]  një njeri i vetëm,  ngaqë edhe pse ka shumë të krishterë, është vetëm një Krisht” (SHËN AUGUSTINI, Enarrationes in Psalmos, 127,3).

Në këtë mision  shenjtërohen vëllezërit e motrat që, këtu të pranishëm, nga vende të ndryshme të botës, së shpejti do të marrin Pagëzimin. Pas udhëtimit të gjatë të katekumenatit, sot rilindin në Krishtin për të qenë krijesa të reja (krh. 2 Kor 5, 17), dëshmitarë të Ungjillit. Për ta, dhe për të gjithë ne,  përsërisim atë që Shën Agustini ua tha të krishterëve të kohës së tij: “Shpalle Krishtin, mbille [...] shpërndaje kudo gjithçka ke zënë në zemrën tënde" (Predikimi 116,23-24).

Motra e vëllezër, nuk mungojnë as në ditët tona varret për t'u hapur, e shpesh gurët që i mbyllin janë aq të rëndë dhe të ruajtur mirë, sa duken të palëvizshëm. Disa e shkelin njeriun në zemër, siç janë mosbesimi, frika, egoizmi, pakënaqësia; të tjerë, pasojë e këtyre të brendshmeve, i këpusin lidhjet ndërmjet nesh, si lufta, padrejtësia, izolimi i popujve dhe i kombeve. Të mos e lejojmë veten të paralizohemi prej tyre! Shumë burra dhe gra, gjatë shekujve, me ndihmën e Zotit, i larguan, ndoshta me shumë vështirësi, ndonjëherë me çmimin e jetës së tyre, por me fryte të mira, nga të cilat përfitojmë edhe sot. Nuk janë personazhe të paarritshme, por njerëz si ne që, të forcuar nga hiri i të Ngjallurit në bamirësi e në të vërtetë, patën guximin të flasin, siç thotë Shën Pjetri Apostull, "me fjalët e Zotit” (1 Pt. 4:11) dhe të veprojmë "me energjinë e marrë nga Zoti, në mënyrë që Zoti të lavdërohet në të gjitha gjërat" (ibid.).

Le të prekemi nga shembulli i tyre dhe, në këtë Natë të Shenjtë, ta bëjmë tonin angazhimin e tyre, në mënyrë që kudo e gjithmonë, në mbarë botën, të rriten dhe të lulëzojnë dhuratat e Pashkëve të harmonisë e të paqes!

04 prill 2026, 15:51