Leoni XIV: Kisha të jetë "në dalje", laikët të dëshmojnë paqen dhe drejtësinë

Në audiencën e përgjithshme mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa vazhdon ciklin e katekizmit mbi kushtetutën e Koncilit II të Vatikanit Lumen Gentium dhe ndalet te natyra e “popullit mesianik”: jo një “masë e pafajshme”, por një bashkësi “e strukturuar organikisht”, që jeton nga marrëdhënia midis meshtarëve dhe laikëve. Duke përshëndetur besimtarët e gjuhës arabe, Papa ftoi më pas për t'u lutur për "viktimat e pafajshme të luftërave".

R.SH. / Vatikan

"Christus totus. Populli i Zotit nuk është kurrë masë pa formë", por bashkësi e strukturuar organikisht në "marrëdhënien e frytshme" ndërmjet dy formave të pjesëmarrjes në meshtarinë e Krishtit: meshtaria e përbashkët e besimtarëve dhe meshtaria shërbyese. Prandaj, laikët nuk kanë vetëm një dhuratë, por edhe një angazhim: ta dëshmojnë, "këtu e tani", paqen dhe drejtësinë "që do të jetë e plotë në Mbretërinë e Zotit", duke i sjellë këto vlera në jetën e përditshme, në marrëdhëniet ndërpersonale, në vendin e punës dhe në shoqërinë civile. Kështu e përshkroi Papa Leoni XIV "popullin mesianik" në katekizmin e tij sot paradite, e mërkurë, 1 prill, në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Reflektimi, i titulluar "Gurë të gjallë në Kishë e dëshmitarë në botë: laikët në popullin e Zotit", ndjek gjurmët e dokumenteve të Koncilit II të Vatikanit, veçanërisht të Kushtetutës Dogmatike Lumen gentium.

Dinjiteti i përbashkët i anëtarëve të Kishës

Papa Leoni XIV paraqiti temën e apostullimit laik duke ripohuar përkufizimin e dhënë nga Papa Françesku në Nxitjen Apostolike Evangelii Gaudium: laikët janë "shumica dërrmuese e Popullit të Zotit", e trajtuar në kapitullin e katërt të Lumen gentium, duke u përqendruar “pozitivisht” në natyrën dhe misionin e tyre, "pas shekujsh në të cilët quheshin thjesht ata që nuk janë klerikë ose të  shuguruar".

Ekziston, prandaj, vetëm një Popull i Zotit, i zgjedhur prej Tij: një Zot i vetëm, një fe e vetme, një pagëzim i vetëm; dinjiteti i anëtarëve është i përbashkët nëpërmjet rilindjes së tyre në Krishtin, hiri i birësimit birnor është i përbashkët, thirrja për përsosmëri, e përbashkët; ekziston vetëm një shëlbim, një shpresë dhe një bamirësi e pandarë.

Dhurata e përgjegjësia e misionit

Prandaj Koncili Dytë i Vatikanit, pohoi Leoni XIV, riafirmon "barazinë e gjithë të pagëzuarve", mbi çdo ndryshim "të shërbesës ose gjendjes në jetë", duke e vendosur si "gjendjen e popullit mesianik" "dinjitetin dhe lirinë e bijve të Zotit". Dhuratë po aq e madhe, sa angazhimi që rrjedh prej tij. Për këtë arsye, Koncili II i Vatikanit përshkruan edhe misionin e laikëve në Kishë e në botë.

Me emrin "laikë" nënkuptohen të gjithë besimtarët e krishterë të cilët, të përfshirë në Krishtin përmes pagëzimit dhe të formuar si Popull i Zotit, u bënë, sipas mënyrës së tyre, pjesëmarrës në detyrën meshtarake, profetike dhe mbretërore të Krishtit, e ushtrojnë në Kishë e në botë, në anën që i takon, misionin e të gjithë popullit të krishterë.

Bashkësi e mbështetur nga misioni

Qoftë larg të jesh "masë pa formë", populli i Zotit paraqitet më tepër si "korpi i Krishtit": bashkësi që rritet organikisht, i mbështetur nga marrëdhënia ndërmjet meshtarisë së përbashkët të besimtarëve dhe asaj shërbyese.

Në sajë të Pagëzimit, besimtarët laikë marrin pjesë në vetë meshtarinë e Krishtit. Jezu Krishti, Kryemeshtar i përjetshëm, dëshiron të vazhdojë dëshminë dhe shërbimin e tij përmes laikëve; prandaj i gjallëron ata me Shpirtin e tij dhe i nxit pa pushim të ndërmarrin çdo vepër të mirë dhe të përsosur.

Faqet e Koncilit kushtuar laikëve

Leoni XIV, më pas, citoi Nxitjen apostolike të një paraardhësi tjetër, Shën Gjon Palit II: Christifideles Laici. Ajo të rikujton faqet "jashtëzakonisht të shkëlqyera" të kushtuara nga Koncili II i Vatikanit  "natyrës, dinjitetit, përshpirtërisë, misionit dhe përgjegjësisë së besimtarëve laikë", duke i bërë jehonë thirrjes së Jezusit për t’i mbledhur të gjithë besimtarët, burra e gra, "e për të punuar në vreshtin e tij".

"Bukuria e jetës së krishterë" në botë

Fusha e apostullimit laik ka horizonte shumë më të gjera se ato thjesht kishtare: shtrihet në mbarë botën, nga vendi i punës - deri te shoqëria civile, duke përfshirë marrëdhëniet njerëzore. Në këto fusha çdo laik, përmes zgjedhjeve të tij, paraqet bukurinë e jetës së krishterë, "e cila parashikon këtu dhe tani drejtësinë e paqen, që do të jetë e plotë në Mbretërinë e Zotit".

Bota ka nevojë të mbushet me shpirtin e Krishtit dhe të arrijë më efektivisht qëllimin e saj në drejtësi, bamirësi dhe paqe. Edhe kjo është e mundur vetëm me kontributin, shërbimin dhe dëshminë e laikëve!

"Kisha në lëvizje"

E gjithë kjo, përfundoi katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme Papa Leoni XIV, sjell në mendje konceptin e "Kishës në dalje", aq të dashur për Papën Françesku: bashkësi "e mishëruar në histori", vazhdimisht e hapur për misionin, në të cilin çdo njeri është dishepull misionar, mbartës "i gëzimit të Krishtit", të cilin e ka jetuar.

01 prill 2026, 11:22

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >