Leoni XIV në vigjiljen e Pashkëve: Jezusi u ringjall, le të krijojmë një botë të re paqeje dhe bashkimi.
R.Sh. Vatikan
Kjo është "nëna e të gjitha vigjiljeve", plot dritë, më e vjetra në traditën e krishterë. Është nata që përkujton atë gur që u rrokullis larg varrit nga i cili ringjallet Jezusi. Është nata që çliron, nata që shpëton, që "davarit urrejtjen, then gjunjët e të fuqishëmve, kthen harmoninë dhe paqen", siç thuhet te “Exultet” – himn i lavdeve në nder të Zotit. Drita nis e ndriçon errësirën në Bazilikën e Shën Pjetrit të mbushur me gjashtë mijë vetë (katër mijë ndjekin kremtimin nga ekranet në Sheshin e Shën Pjetrit). Kjo është drita "që na bashkon te një Kishë, që të jemi si llambë për botën", thotë Papa Leoni XIV në predikimin e tij.
Lexo këtu homelinë e plotë të Papës Leoni XIV
Në tremen e Bazilikës, një zjarr digjet në mangall. Papa e bekon për të ndezur në zemrat e besimtarëve dëshirën për bashkim me Krishtin, ngadhnjyesin mbi mëkatin dhe vdekjen. Një zakon ky i pranishëm qysh më parë në kulturat të parakrishtera, i cili kthehet në mundësi për të lavdëruar Zotin dhe për të përtërirë vëllazërimin dhe harenë. Sipas ritit të "lucernariumit", domethënë “ritit të Dritës”, Papa Leoni XIV gdhend një kryq në qiri, shkronjat e para dhe të fundit të alfabetit grek, Alfa dhe Omega, si edhe numrat e vitit 2026. Pastaj, Ati i Shenjtë ngul pesë kokrra kèmi në qiri në formën e një kryqi.
Drita e Krishtit, që ngrihet në lavdi, shpërndaftë terrin e zemrës dhe të shpirtit!
Kjo është lutja që ndërthuret, në zemrat e besimtarëve, me jehonat e konflikteve dhe të dhunës që po kallin botën mbarë. Me Papën, një grup kardinalësh, ipeshkvijsh dhe meshtarësh ecën në heshtje drejt Altarit të Rrëfimit, secili duke mbajtur një qiri. Shenjtërorja e krishterë ndriçohet aq shumë sa bëhet ditë atëherë kur diakoni brohoret për herë të tretë: "Lumen Christi". Vijon pastaj rrjedhshëm e shtruar latinisht himni i gjatë i Pashkëve, «Exultet», himn i lavdisë që përshëndet ngadhnjimin e Krishtit të ringjallur.
"O faj i lumtur që meritove një Shëlbuesi të tillë të madh!". Kështu, edhe këtë të Shtunë të Madhe, ushton ai paradoks i mrekullueshëm, ai qark i shkurtër që bëri Provania në histori, e cila nuk lejoi vdekjen të thoshte fjalën e fundit.
Zoti nuk na braktis kurrë
A ka bamirësi më të madhe?! Një bujari më të plotë se kaq?! Ai që u Ngjall është Krijuesi i gjithësisë i cili, ashtu si në agimin e historisë na dhuroi ekzistencën nga asgjëja, ashtu edhe në kryq, për të na dëshmuar dashurinë e Tij të pakufishme, na dha jetë.
Kur këndohet himni i «Lavdisë», populli i Zotit kremton. Llambat ndizen te këmbët e altarit të zbukuruar me qindra lule të çdo lloji dhe me ngjyrat e pranverës. Është nderi, solemniteti, shenja e jashtme e një rilindjeje që Kisha kremton dhe lutet për të gjithë botën. Në predikimin e tij, Papa përsërit ngjarjet e historisë së shpëtimit të cilat nënvizohen nga Liturgjia e Fjalës. Pikërisht kjo është shenja dalluese e natës së gjatë të Pashkëve, kur kujtojmë veprën e krijimit hyjnor: nga kaosi del kozmosi; nga çrregullimi lind harmonia. Njerëzimit i është besuar detyra që të qëndrojë roje e këtij Krijimi. "Madje edhe kur, nëpërmjet mëkatit, njeriu nuk iu përgjigj këtij plani, Zoti nuk e braktisi por i zbuloi në një mënyrë edhe më të çuditshme – nëpërmjet faljes – fytyrën e Vet të mëshirshme."
Zoti nuk dëshiron që të vdesim
Leximi i teksteve të shenjta sonte (shtatë lexime nga Besëlidhja e Vjetër me po aq psalme, Letra e Shën Palit drejtuar Romakëve, Ungjilli i Mateut, kapitulli 28) do të thotë të sjellim ndërmend se Zoti "nuk e do vdekjen tonë", por se ne jemi "gjymtyrë të gjalla të një fare njerëzore të shëlbuarish". Ky mesazh del fare qartë nga libri i parë i Shkrimit të Shenjtë, i cili shpreh kënaqësinë e plotë që ka Zoti kur vëren atë që ka krijuar, posaçërisht pastaj te rrëfimi i librimit të izraelitëve nga skllavëria e Egjiptit, kur deti, "vend vdekjeje dhe pengesë e pakapërcyeshme", u bë "porta drejt fillimit të një jete të re dhe të lirë", kujton Papa. Profetët Isaia, Baruku dhe Ezekieli flasin për Zotin si një dhëndërr që grish dhe mbledh njerëzit, një burim që shuan etjen, ujë që pllenon, një dritë që na tregon rrugën drejt paqes, një Shpirt që shndërron dhe përtërin zemrat. Ndër psalme, kumbon shprehja se Zoti, i cili "e do drejtësinë dhe të drejtën", nuk i braktis bijtë e Vet në botën e të vdekurve.
"Misteri i shenjtë i kësaj nate", pra, i ka rrënjët e tij edhe aty ku njerëzimi dështoi për herë të parë, dhe përshkon shekujt si rrugëtim pajtimi dhe hiresh.
Asnjë varr nuk mund ta mbajë si në burg Hyjin e dashurisë
Më tej, Papa Leoni ndalet te thelbi i mëkatit: "një pengesë shumë e rëndë që na mbyll dhe na ndan nga Zoti, duke kërkuar të vrasë brenda nesh fjalët e Tij të shpresës ". E pra, prej grave që shkuan te varri, Maria Madalenë dhe Maria tjetër, marrim guximin për të kapërcyer çdo frikë. Ky është guximi i dëshmitareve të para të Ngjalljes, tek të cilat kthehemi sot. Ato, thotë Papa, nuk u frikësuan aspak se do të gjenin atje vetëm një gur që mbyllte varrin. “Zoti, ashpërsisë së mëkatit që përçan dhe vret, i përgjigjet me fuqinë e dashurisë që bashkon dhe rikthen jetën”, thekson Pasardhësi i Pjetrit, Papa Prevost, i cili pastaj nënvizon:
Njeriu mund ta vrasë trupin, por jeta e Zotit të dashurisë është jeta e amëshuar, e cila shkon përtej vdekjes dhe që nuk ka varr që ta burgosë.
Mos ta lëmë veten të paralizohemi!
Më tej, grishja për mision, për të çuar fjalën e “lajmit të mirë se Jezusi është ringjallur dhe se me forcën e tij, të ringjallur me të, edhe ne mund t’i japim jetë një bote të re paqeje dhe bashkimi”. Vijojnë pastaj, dy fjalë për kohën tonë:
Edhe në ditët tona, nuk mungojnë varret që duhen hapur, dhe shpesh gurët që i mbyllin janë aq të rëndë dhe të ruajtur mirë sa duken të palëvizshëm. Disa sish, si mosbesimi, frika, egoizmi, pakënaqësia e ndrydhin njeriun mu në zemër; të tjerë gurë si lufta, padrejtësia dhe izolimi i popujve dhe kombeve, rrjedhim i atyre të brendshmve, i këpusin lidhjet midis nesh. Le të mos e lejojmë veten të paralizohemi prej tyre!
Pagëzimi dhe Krezmimi i dhjetë katekumenëve
Nën dritën e qiriut të Pashkëve, ndrikullat dhe nunët zgjasin dorën për të ndezur qirinjtë për dhjetë katekumenët që morën Pagëzimin në këtë natë të shenjtë. Pesë prej tyre janë burra dhe gra nga dioqeza e Romës, një nga Koreja, dy nga Britania e Madhe dhe dy nga Portugalia. Uji derdhet në kokën e secilit prej tyre, pastaj ata veshin një rrobë të bardhë para se të marrin shenjën e vojit të shenjtë, vulën e Shpirtit të Shenjtë. "Ecni gjithmonë si bij të dritës", u thotë Ipeshkvi i Romës, Papa Prevost këtyre rishtarëve të Kishës që gjithashtu marrin edhe sakramentin e Krezmimit. Pikërisht këta sjellin dhuratat e Eukaristisë te altari.
Në vijim, Lutja Universale shpreh një qëllim shumë të përzemërt për qeveritarët, duke i kërkuar Atit t'u dhurojë atyre "dëshirën për një paqe të çarmatosur dhe të drejtë". Pastaj, vijon thirrja që njerëzimi të shfaqë dashuri për të varfrit dhe për të mënjanuarit.
Guri që ndërtuesit nuk pranuan u bë guri i themelit, lexohet te Psalmi 117.
Populli është në festë!
