Kërko

Palestinezët vajtojnë të vdekurit e tyre në spitalin Deir Al Balah pas një sulmi ajror izraelit në Gazën qendrore (2025) Palestinezët vajtojnë të vdekurit e tyre në spitalin Deir Al Balah pas një sulmi ajror izraelit në Gazën qendrore (2025)

Leoni XIV: të ngulmojmë në kërkimin e dhuratës së paqes

Pas lutjes mariane të "Mbretëreshës Qiellor", thirrja e Pappës është që të vazhdojmë të kërkojmë paqen për mbarë botën, edhe përmes gjuhës universale të vëllazërisë dhe përfshirjes që i përket sportit, të cilit sot i dedikohet, nën patronazhin e OKB-së, Dita Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe. Më pas, ftesa e Leonit XIV për t'i kaluar ditët e Tetëditëshit të Pashkëve me gëzim dhe fe.

R.SH - Vatikan

Të këmbëngulim, të mos lodhemi duke kërkuar të mirën më të çmuar: paqen. Leoni kërkon sot, në këtë të Hënë të Engjëllit, ditën e dytë të Pashkëve, të mos hequim dorë në përgjërim ndaj Zotit. Dhe këtë e bën, pas lutjes mariane të "Mbretëresha e Qiellit", duke parë edhe drejt Ditës Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillim dhe Paqe që festohet sot, 6 prill, nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara. Si sportist që është, Prevost ndjen me një përfshirje të veçantë shpirtin e nismave të organizuara për këtë rast, të cilat ushqejnë pikërisht marrëveshjen, dialogun dhe harmoninë mes popujve dhe kombeve.

Gjuha universale e vëllazërisë së sportit

Shqetësimi i Papës për njerëzimin që vuan nga konfliktet është i fortë.

“Të këmbëngulim në kërkimin e dhuratës së paqes për mbarë botën”

Saktësisht dy muaj më parë, në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore, pikërisht mbi vlerën e sportit u publikua Letra e nënshkruar nga Leoni me titull "Jeta me bollëk". Sot Papa i rikthehet kësaj teme:

Mendimi im tek të gjithë ata që, në pjesë të ndryshme të botës, marrin pjesë në nismat e promovuara me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillim dhe Paqe, duke përsëritur thirrjen që sporti, me gjuhën e tij universale të vëllazërisë, të jetë vend i përfshirjes dhe i paqes.

Letra e Leonit mbetet një dokument i gjerë i cili, duke rianalizuar kontributin themelor të sportit në formësimin historik të qytetërimeve dhe kulturave, dhe duke kujtuar përvojën jubilare kushtuar protagonistëve të kësaj fushe aq vendimtare për rritjen njerëzore integrale, nënvizon se sa shumë sporti – nëse nuk ndotet nga interesat ekskluzive të përfitimit – favorizon kërkimin e së mirës së përbashkët.

Sporti, promotor i dialogut, solidaritetit dhe respektit

Në një botë gjithnjë e më të fragmentuar, lexohet në faqen e OKB-së që promovon këtë Ditë, se gjuha universale e sportit "tejkalon barrierat kulturore, sociale dhe kufitare" dhe shërben si një "katalizator i fuqishëm i transformimit shoqëror". Sporti, nënvizohet aty, lidh komunitetet përtej kufijve dhe gjeneratave, duke reduktuar izolimin e grupeve të margjinalizuara dhe duke krijuar hapësira dialogu, solidariteti dhe respekti reciprok.


Edicioni i këtij viti i Ditës Ndërkombëtare të Sportit fton në ndriçimin e qasjeve të bazuara në të dhëna konkrete dhe praktika të mira, të cilat dëshmojnë se si sporti kontribuon në mënyrë të prekshme në Agjendën 2030 për zhvillim të qëndrueshëm, veçanërisht duke promovuar shëndetin, barazinë gjinore, reduktimin e pabarazive dhe shoqëri paqësore e përfshirëse. Përmes dialogut, partneriteteve dhe ndarjes së përvojave, kjo Ditë do të rikonfirmojë rolin e sportit si një instrument strategjik për të ndërtuar ura mes njerëzve dhe për të rrëzuar barrierat e përjashtimit, pa lënë askënd pas.

Falënderimi i Papës për urimet e Pashkëve të marra

Urimi i Papës është që ta jetohet e kalohet në gëzim dhe fe kjo e Hënë të Engjëllit dhe këto ditë të Tetëditëshit të Pashkëve, "në të cilat – kujton ai – zgjatet kremtimi i Ngjalljes së Krishtit". Leoni XIV falënderon pastaj të gjithë ata që i kanë dërguar urime për Pashkë. "Jam mirënjohës sidomos për lutjet", nënvizon ai. Dhe lutet që, me ndërmjetësimin e Virgjërës Mari, Hyji ta shpërblejë secilin me dhuntitë e Tij.

06 prill 2026, 13:06