Kërko

Papa: kërcënimi kundër gjithë popullit iranian i papranueshëm

Në një deklaratë të shkurtër nga Castel Gandolfo, Leoni XIV bën thirrje për paqe dhe fton që të kontaktohen e komunikohet me anëtarët e Kongresit për të kërkuar fundin e luftës, duke menduar për viktimat e shumta të pafajshme. “Të gjitha sulmet ndaj infrastrukturave civile – thekson Papa – janë kundër të drejtës ndërkombëtare, por janë edhe një shenjë e urrejtjes, përçarjes dhe shkatërrimit për të cilat njeriu është i aftë”

R.SH. / Vatikan

Sot, siç e dimë të gjithë, ka pasur edhe këtë kërcënim kundër gjithë popullit iranian dhe kjo me të vërtetë nuk është e pranueshme.

Të qarta dhe të drejtpërdrejta fjalët e Leonit XIV jashtë rezidencës papnore në Castel Gandolfo. Në një deklaratë të shkurtër për gazetarët, fillimisht në italisht dhe më pas në anglisht, këtë mbrëmje të 7 prillit, Papa thekson edhe një herë urgjencën e paqes, duke menduar për situatën e rëndë që po përjetohet dhe duke iu referuar ultimatumit të shpallur nga presidenti amerikan Donald Trump ndaj Iranit, me kërcënimin për të shkatërruar gjithçka brenda një nate nëse nuk pranohen kushtet e vendosura më parë dhe të refuzuara nga Teherani lidhur me ngushticën e Hormuzit.

Papa rikujton fjalët për paqen të shprehura të dielën e Pashkëve në mesazhin Urbi et Orbi, kur kishte bërë thirrje për të ulur armët nga “ata që kanë pushtetin të nxisin luftëra”, duke zgjedhur rrugën e dialogut dhe jo të forcës. Ati i Shenjtë thekson se në lojë janë “çështje të së drejtës ndërkombëtare”, por mbi të gjitha ekziston “një çështje morale”, ku duhet mbajtur parasysh e mira e popullit. Mendimi shkon sidomos tek më të brishtët.

Do të doja t’i ftoja të gjithë të mendojnë me zemër për shumë të pafajshëm, shumë fëmijë, shumë të moshuar, plotësisht të pafajshëm.

Viktima të pafajshme

Pra, viktima të një përshkallëzimi, të një lufte në të cilën, që në ditët e para – thekson Papa – është kërkuar që të gjendet zgjidhje përmes dialogut dhe negociatave…

pa arritur në këtë pikë; ndërsa tani jemi këtu dhe duhet të lutemi shumë.

Të lutemi për paqen

“Do të doja t’i ftoja të gjithë të luten, por edhe të kërkojnë mënyra për të komunikuar – ndoshta me ‘kongresistët’ (anëtarët e Kongresit), me autoritetet – për të thënë se nuk duam luftë, duam paqe! Ne jemi një popull që e do paqen. Ka shumë nevojë për paqe në botë!”

Një luftë e cilësuar e padrejtë

Edhe në anglisht, Papa përsërit të njëjtat koncepte dhe fton “të gjithë njerëzit me vullnet të mirë që gjithmonë të kërkojnë paqen dhe jo dhunën, të refuzojnë luftën, sidomos një luftë që shumë e kanë quajtur të padrejtë, që vazhdon të përshkallëzohet dhe që nuk zgjidh asgjë”.

Ati i Shenjtë ndalet më pas te krizat që përshkojnë botën: ajo ekonomike, ajo energjetike, dhe shikon “paqëndrueshmërinë e madhe në Lindjen e Mesme, e cila po shkakton vetëm më shumë urrejtje në mbarë botën”. Disa herë përsërit ftesën për dialog, për të menduar për viktimat e pafajshme dhe se “të gjitha sulmet ndaj infrastrukturave civile janë kundër të drejtës ndërkombëtare, por janë edhe një shenjë e urrejtjes, përçarjes dhe shkatërrimit për të cilat qenia njerëzore është e aftë”. Papa u drejtohet qytetarëve të të gjitha vendeve të përfshira që të bëjnë të dëgjohet zëri i tyre për paqe.

Njerëzit duan paqe.

07 prill 2026, 21:22