Papa: në orën e errët të historisë, të përtërijmë misionin e Krishtit që sjell paqen
R.SH. – Vatikanit
Shkëputja, takimi dhe moskuptimi janë tri dimensionet e misionit të krishterë. Leoni XIV i kujtoi ato në Meshën e Bekimit të Vajrave të Shenjtë kremtuar për herë të parë si Ipeshkëv i Romës, sot më 2 prill, në Bazilikën e Vatikanit. Është e Enjtja e Shenjtë e Pashkës, dita në të cilën Kisha kujton Eukaristinë, por edhe agoninë e Jezusit në Gjetsemani dhe fillimin e Mundimeve që do të çojnë në Pashkët e Ngjalljes. Është gjithashtu dita kur shugurohen vajrat që do të përdoren për Sakramente të ndryshme gjatë vitit – si Pagëzimi, Krezmimi, Meshtaria apo Vajimi i të Sëmurëve – dhe mbi të gjitha është dita meshtarake par excellence, ajo në të cilën ipeshkvijtë dhe meshtarët përtërijnë premtimet e tyre në meshtarinë e shenjtë.
I gjithë populli i Hyjit është misionar
Predikimi i Papës e zgjeron këtë horizont dhe reflekton mbi misionin në të cilin Zoti shuguron mbarë popullin e Tij. “Misioni i krishterë është i njëjtë me atë të Jezusit, jo një tjetër”, pohon Ati i Shenjtë Leoni XIV. Në të “secili merr pjesë sipas thirrjes së vet”, pa e thyer kurrë bashkësinë. Kisha “apostolike” është Kishë e dërguar, e shuguruar në shërbim të të varfërve, të burgosurve dhe të të shtypurve.
Shkëputja: asnjë vend të mos bëhet rrethim
Që kjo të ndodhë, është e nevojshme, në radhë të parë, shkëputja nga “ajo që është e njohur dhe e sigurt”, në mënyrë që “asnjë vend të mos bëhet rrethim, asnjë identitet një strofull”. “Nuk ka paqe pa nisje – nënvizon Papa –, nuk ka vetëdije pa shkëputje, nuk ka gëzim pa rrezik”.
Gatishmëria për të humbur, për t’u zbrazur, nuk është qëllim në vetvete, por kusht për takim dhe afërsi. Dashuria është e vërtetë vetëm nëse është e çarmatosur; ajo ka nevojë për pak ngarkesa, për asnjë mburrje, dhe mbron me delikatesë dobësinë dhe lakuriqësinë.
Takimi: jo logjikave të dominimit dhe shfrytëzimit
Nga këtu rrjedh urgjenca e takimit, përkatësisht përmasës së dytë të misionit të krishterë, shpesh e tjetërsuar gjatë historisë nga “logjikat e dominimit”.
Është prioritare të kujtojmë se as në sferën baritore, as në atë shoqërore dhe politike, e mira nuk mund të vijë nga shfrytëzimi apo shtypja. Misionarët e mëdhenj janë dëshmitarë të afrimeve në majat e gishtave, që kanë si metodë bashkëndarjen e jetës, shërbimin e çinteresuar, heqjen dorë nga çdo strategji llogaritëse, dialogun dhe respektin.
Është mishërimi ai që merr formën e inkulturimit, vëren Papa Leoni XIV: si ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e rregulltare, si të krishterë “ne jemi mysafirë”, të hapur për të mirëpritur dhe për t’u mirëpritur edhe në ato vende ku “shekullarizimi duket më i avancuar”.
Moskuptimi: kryqi është pjesë e misionit
Dëshmi e gjallë e mbarë Korpit të Krishtit, misioni nuk është një “aventurë heroike e dikujt”, por një ecje së bashku në Kishë, duke kaluar edhe përmes moskuptimit dhe refuzimit, përmasës së tretë dhe më dramatike.
Kryqi është pjesë e misionit: dërgimi bëhet më i hidhur dhe i frikshëm, por edhe më falas dhe mi i vrullshëm. Pushtimi imperialist i botës atëherë ndërpritet nga brenda, dhuna që deri më sot bëhet ligj, çmaskohet.
Shembulli i Shën Romeros
Kur në jetë duket se gjithçka ka mbaruar – nënvizon sërish Papa Leoni XIV – atëherë është momenti kur “mund të bëjmë tonën shpresën e shumë dëshmitarëve”. Papa kujton njërin prej tyre, “veçanërisht të dashur” për të: Shën Oskar Arnulfo Romero Galdámez, kryeipeshkvin e San Salvadorit, i vrarë më 24 mars 1980 ndërsa kremtonte Meshën dhe i kanonizuar më 14 tetor 2018. Në kujtim të tij, më 24 mars të çdo viti kremtohet Dita e Misionarëve Martirë. “Shenjtorët bëjnë historinë”, përfundon homelinë Papa Leoni XIV, dhe “në një botë të kontestuar e të ndarë midis fuqive që e shkatërrojnë atë”, lind “një popull i ri, jo viktimash, por dëshmitarësh”.
Në këtë orë të errët të historisë, Zotit i pëlqeu të na dërgonte për të përhapur aromën e Krishtit aty ku mbretëron era e vdekjes. Të përtërijmë “po”-në tonë ndaj këtij misioni që na kërkon unitet dhe që sjell paqen. Po, ne jemi këtu!
