Kërko

Papa: të ecim në gjurmët e Krishtit për të përjetuar dashurinë

Leoni XIV udhëheq në Kolose Udhën e Kryqit të së Premtes së Madhe, duke mbajtur kryqin në të gjitha 14 ndalesave. Në meditimet e shkruara nga atë Francesco Patton, bëhet thirrje mbi realitetin e sotëm, ku shpesh abuzohet me pushtetin dhe shkelet dinjiteti njerëzor. Ungjijtë e Mundimeve shoqërohen nga tekstet e Shën Françeskut të Asizit. Dhe me një lutje të "të Varfanjakut të Asizit", Papa nxiti besimtarët që, të gjallëruar nga Shpirti Shenjt, të ndjekin gjurmët e Krishtit.

R.SH. – Vatikan

Është Lutja "Omnipotens" (o Zot i Gjithëpushtetshëm, përpiluar nga shën Françesku) ajo që Papa Leoni XIV lartëson në natën e të Premtes së Madhe, 3 prill, në përfundim të Udhës së Kryqit të kryesuar pranë amfiteatrit romak Koloseut, në Romë.  Lutja Omnipotens është një thirrje e thellë e marrë nga "Letra drejtuar mbarë Urdhrit" e Shën Françeskut të Asizit (Burimet Françeskane 233), është një lutje përulësie dhe shndërrimi të brendshëm, që kërkon hirin e Zotit për të përshtatur vullnetin tonë njerëzor me atë të Hyjit, për t'u pastruar në shpirt dhe për të ndjekur gjurmët e Krishtit, është nxitje për të imituar Krishtin..

Shën Françesku i Asizit na fton ta jetojmë jetën tonë si një rrugëtim të përfshirjes progresive në marrëdhënien e dashurisë që bashkon Atin, Birin dhe Shpirtin Shenjt.

Papa lutet që njerëzit të njëjtësojnë vullnetin e tyre me atë të Hyjit duke imituar Krishtin, për të arritur, përmes hirit të Tij, në takimin me Atë që jeton dhe mbretëron "në Trininë e përsosur dhe në Unitet".

"O Hyj i gjithëpushtetshëm, i amshuar, i drejtë dhe i mëshirshëm, na jep ne të mjerëve që, për dashurinë Tënde, të bëjmë atë që e dimë se Ti dëshiron, dhe të duam gjithmonë atë që Ty të pëlqen, ashtu që, të pastruar së brendësi, të ndriçuar dhe të përflakur nga zjarri i Shpirtit Shenjt, të mund të ndjekim gjurmët e Birit Tënd të dashur, Zotit tonë Jezu Krisht".

Realiteti aktual i Udhës së Dhimbshme (Via Dolorosa)

“Adoramus te, Christe, et benedicimus tibi. Quia per sanctam crucem tuam redemisti mundum” (Të adhurojmë, o Krisht, dhe të bekojmë, sepse me kryqin Tënd të shenjtë e shpëtove botën), këndon kori i Kapelës Sistina, nën drejtimin e monsinjor Marcos Pavan, pas shpalljes së çdo ndalese të Udhës së Kryqit ku shfaqet realiteti aktual. Ky realitet është burimi i frymëzimit për françeskanin Atë Patton, i cili reflekton mbi konceptin e shtrembëruar të pushtetit dhe abuzimin me të.

Ai ballafaqon autoritetin e njerëzve me forcën e dashurisë së Jezusit; kujton vuajtjet e atyre që pësojnë për shkak të luftës dhe ato të nënave në veçanti; si dhe sheh te Cireneu fytyrën e shumë vullnetarëve, punonjësve humanitarë dhe atyre të mediave, që rrezikojnë jetën për t'u kujdesur për dikë ose për të bërë të njohur të vërtetën.

Bekimi i Shën Françeskut

Në heshtjen lutëse që na çon drejt së Shtunës së Madhe – dita e Treditëshit të Pashkëve në të cilën gjithçka hesht – procesioni i udhëhequr për herë të parë nga Papa Leoni XIV, i ndjekur nga kardinali Baldo Reina (mëkëmbës i përgjithshëm për Dioqezën e Romës) dhe besimtarë të tjerë, na kthen pas në kohë, në kulmin e Mundimeve të Krishtit.

Atë Patton në meditimin e tij e ka menduar këtë udhë kryqi për të ndihmuar besimtarët të ecin në gjurmët e Jezusit dhe jobestimtarët të zbulojnë se Jezusi i ka për zemër të gjithë, dhe se tek Ai mund të gjejë shpresë dhe arsye jetese edhe kushdo që e ka humbur atë. Dhe mbi Kodrën Palatine,në Romë, ku përfundon Udha e Dhimbshme, është bekimi biblik i përdorur nga Shën Françesku i Asizit që Papa i jep turmës, duke iu drejtuar me lutjen:

"Zoti ju bekoftë dhe ju ruajtë!
Zoti bëftë që fytyra e Tij të ndriçojë mbi ju dhe t’ju dhashtë hirin e Vet!
Zoti e ktheftë fytyrën e Tij kah ju dhe t’ju dhashtë paqe!"

03 prill 2026, 21:14