Kërko

Zoti që gjunjëzohet: mësimi i Papës Leoni XIV në të Enjten e Madhe të Pashkëve

Në meshën e Darkës së Mbrame në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, Papa kujton atë, që është zemra e krejt Ungjillit: jo një Zot të pushtetit, por të shërbimit. Larja e këmbëve bëhet "forma e jetës" së krishterë, e aftë ta shndërrojë njerëzimin dhe botën

R.SH. – Vatikan

 Në zemër të Romës, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, E Enjtja e Madhe është jo vetëm dita e parë e Treditëshit të Pashkëve, por një hyrje liturgjike dhe ekzistenciale në udhën, që i çon gjithë besimtarët drejt Ringjalles së Krishtit. Në orën 17.30, Papa Leoni XIV kryesoi meshën "in Coena Domini" dhe u lau këmbët dymbëdhjet vetëve, gjest, që dëshiron të jetë shenjë konkrete e një Zoti që gjunjëzohet.

Larja e këmbëve nuk është thjesht shembull moral

Homelia e përgatitur nga Ati i Shenjtë ndoqi pikërisht këtë linjë themelore: jo spektatorë, por të përfshirë. Jo besimtarë të shpërqendruar, por të ftuar në një Darkë, që ta ndryshon jetën. Buka dhe vera, kujtoi ai, bëhen "Sakramenti i shpëtimit", ndërsa dashuria e Krishtit bëhet gjest dhe ushqim i dukshëm, deri në ekstremin "i deshi deri në fund", që përmbledh gjithë logjikën e Ungjillit.

Ka një pasazh kyç, që e shndrit gjithë reflektimin papnor: larja e këmbëve nuk është thjesht shembull moral. Është shumë më tepër. Është, sipas fjalëve të Atit të Shenjtë, "forma e jetës" e vetë Zotit. Një Zot që nuk dominon, por shërben. Që nuk imponohet, por e përvuan veten. Që afirmohet me autoritet jo përmes pushtetit, por përmes dhurimit falas të vetvetes.

Zbulesë konkrete e Hyjit

Termi grek i përmendur nga Shën Gjoni ungjilltar - ὑπόδειγμα (hypódeigma) - bëhet atëherë thelbësor: është dëshmia, që e shohim me sy, është ajo larje e këmbëve, që kujton larjen e këmbëve të 12 apostujve në Ungjill, e cila na tregon si është Zoti. S’është ide abstrakte, por një zbulesë konkrete e Hyjit. Legeni, uji, përparësja: shenja të thjeshta, që zbulojnë të vërtetën më të thellë. Zoti është kështu. Dhe ajo "kështu" i bën të bien, njëra pas tjetrës, imazhet e shtrembëruara, që njeriu krijon në mendjen e vet.

Homelia nuk e shmang konfrontimin me rezistencat e brendshme njerëzore. Ashtu si Pjetri, edhe ne luftojmë për ta pranuar Zotin, që gjunjëzohet. Preferojmë - vërejti Papa, duke u bërë jehonë fjalëve të Benediktit XVI - një Zot të suksesshëm, të frytshëm, ndoshta, edhe të fuqishëm, një Zot sipas standardeve të kësaj bote. Një Zot të dobishëm. Por Ungjilli na lë pa fjalë: gjithëpushteti i Zotit duket përmes shërbimit e jo përmes dominimit.

"Na duhet shembulli i Krishtit për të mësuar si të duam"

Reflektimi i Leonit XIV bëhet këtu më i mprehtë e arrin majën e gjithë homelisë. Larja e këmbëve nuk sqaron vetëm idenë e Zotit, por edhe atë të njerëzimit. Ajo e hedh poshtë iluzionin e një madhështie të ndërtuar mbi forcën, mbi fitoren, madje, edhe mbi  dhunën. Dhe propozon një masë tjetër: atë të përkushtimit, të kujdesit dhe të dashurisë konkrete.

Nuk është ideal i lehtë, por një rrugëtim i gjatë. "Na duhet shembulli i Krishtit për të mësuar si të duam", pohoi Papa, duke u kërkuar gjithë besimtarëve edukimin e vazhdueshëm të zemrës. Nuk është fjala për të imituar nga jashtë një gjest si ai i larjes së këmbëve, por për t’u shndërruar prej tij.

Vetëm dashuria e bën shërbimin autentik

Konteksti në të cilin Jezusi e kryen atë gjest – në natën e tradhtisë kundër tij – s’është aspak dytësor. Pikërisht aty, në terrin e keqkuptimit dhe të dhunës, dashuria e zbulon veten ashtu siç është në të vërtetë: e lirë, e aftë të parashikojë e të falë. Nuk duam thjesht sepse na kanë dashur: na kanë dashur që të mësojmë si të duam.

Që këtej, lind thirrja konkrete për gjithë bashkësinë e krishterë: "lajini këmbët njëri-tjetrit". S’është urdhër formal, por dinamikë jete. Papa Leoni XIV kujtoi fjalët e Papës Françesku, i cili e pati quajtur këtë gjest si diçka, që "vjen nga zemra". Vetëm dashuria, në fakt, e bën shërbimin autentik. Pa të, mbetet shfaqje boshe.

T’i lejosh të tjerët të të shërbejnë

Ka pastaj, një hap tjetër vendimtar, pothuajse një kusht: duhet t’i lejosh të tjerët të të shërbejnë. "Nëse nuk më lë të të laj...": fraza, që Jezu Krishti i thotë Pjetrit e përmbys perspektivën. Para se të veprosh, duhet ta pranosh tjetrin. Para se të shërbesh, duhet të prekesh nga mëshira. Kështu lind çdo bamirësi e vërtetë.

Më pas, vështrimi i Papës shtrihet mbi të gjithë botën, mbi njerëzimin e plagosur, shpesh të shtypur nga brutaliteti dhe padrejtësia. Përballë këtij realiteti, përgjigjja e krishterë nuk është ikja, por pjesëmarrja në fatin e të tjerëve: gjunjëzimi pranë të shtypurve, siç bëri Krishti.

Gjunjëzimi pranë të shtypurve

E Enjtja e Madhe bëhet kështu kujtesë e gjallë. Jo nostalgji, por aktualitet. Eukaristia dhe meshtaria - të kujtuara së bashku në kremtim - zbulohen si dhuratë e plotë, si "Sakrament dashurie", që sjell unitet e bamirësi.

Së fundi, besimtarëve të pranishëm në meshën “in Coena Domini”, në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, u mbeti një ftesë e thjeshtë, por radikale e Papës Leoni XIV: ndaluni, adhuroni, meditoni. Gjunjëzohuni para gjestit të larjes së këmbëve, duke i kërkuar Zotit hirin për ta jetuar. Sepse, siç tha Ati i Shenjtë në homeli, pikërisht aty - në atë shërbim të përvuajtur dhe konkret - kalon rruga për të hyrë vërtet në Pashkët e Krishtit.

02 prill 2026, 18:45