13 maj 1981, fjalët e një gazetari ditën kur u trondit bota
R.Sh. / Vatikan
Është maji i vitit 1981, dhe në frontin gjeopolitik, "ulja e fërkimeve" të viteve pararendëse midis Uashingtonit dhe Moskës kishte qenë domethënëse. Megjithatë, tashti në Shtëpinë e Bardhë kishte ardhur presidenti Ronald Reagan. Pushtimi sovjetik i Afganistanit në vitin 1979 e rindezi konfliktin midis dy blloqeve. Nga ana tjetër, Bashkimi Sovjetik e shihte Poloninë me shqetësim në rritje sepse aty u themelua, në verën e vitit 1980, sindikata e pavarur «Solidarność», e udhëhequr nga Lech Wałęsa. Në Itali, një shtet që ishte tronditur nga terrorizmi dhe «Vitet e Plumbave», kishin kaluar vetëm tri vjet që nga rrëmbimi dhe vrasja e ish-kryeministrit dhe sekretarit të Partisë Demokristiane Aldo Moro nga Brigadat e Kuqe.
Të shtënat në shesh
Është e mërkurë, 13 maj 1981. Qielli mbi Romë është i kthjellët. Sheshi i Shën Pjetrit është plot me shtegtarë që kanë ardhur për audiencën. Papa Gjon Pali II, papa i parë polak në historinë e Kishës, kalon sheshin duke përshëndetur besimtarët. Ka klerikë, grupe shkollore, turistë dhe grupe besimtarësh që kanë ardhur nga krahina të ndryshme të Italisë dhe jashtë saj për të marrë pjesë në atë ngjarje. Atmosfera është festive. Pastaj, krejt papritur, qielli pranveror shungullon nga të shtënat. Papa shembet në sedilen e makinës, duke rrjedhur gjak.
Reportazh i drejtpërdrejtë
Një zë i turbulluar, ai i komentuesit të Radio Vatikanit, Benedetto Nardacci, i cili përpiqet të përshkruajë skenat dramatike që zhvillohen para syve të tij. "Turma është e gjitha në këmbë... Turma është e gjitha në këmbë... ata mezi po e kuptojnë skenën tragjike që porsa panë. Janë pothuajse të gjithë të heshtur, duke pritur lajme."
Rrëfimi i gazetarit na ka lënë çaste dramatike të historisë: "Për herë të parë, po flitet për terrorizmin në Vatikan. Po flitet për terrorizmin në një qytet nga i cili gjithmonë kanë buruar mesazhe dashurie, mesazhe harmonie, mesazhe paqëtimi."
Kronika e gazetarit të Radio Vatikanit, Benedetto Nardacci
Siç mund ta keni dëgjuar, ipeshkvijtë dhe prelatët e pranishëm në audiencë e ftuan turmën të lutej për shëndetin e Papës. Duket se Ati i Shenjtë është goditur nga të paktën një plumb në bark. Më duket se karabinierë dhe oficerë policie po shoqëronin ambulancën që, siç ju thashë më parë, hyri në Vatikan... Ambulanca duhet ta ketë marrë Atin e Shenjtë me vete dhe po shoqërohej nga furgonat e policisë, drejt spitalit Gemelli. Kështu më duket mua, por nuk mund ta pohoj këtë lajm sepse gjendem në shesh...
Deklarata e Zyrës së Shtypit të Vatikanit
Bota po ndjek me ankth lajmet që vijnë nga Roma. Në deklaratën e Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, botuar nga gazeta «L'Osservatore Romano», i lihet vend shpresës, me të drejtë.
Sot, Gjon Pali II, i cili po ecte nëpër Sheshin e Shën Pjetrit si zakonisht në rruginën e bardhë të shtruar, para se të fillonte audiencën e përgjithshme, ndërsa ishte në sektorin në të djathtë të Bazilikës, pranë Postës së Vatikanit, u qëllua në bark nga afër, nga një i huaj. Papa u dërgua menjëherë me ambulancë në pavijonin e kirurgjisë së Poliklinikës Agostino Gemelli. Ndërhyrja kirurgjikale është në zhvillim e sipër. Edhe pse gjendja e Papës është shqetësuese, ka shpresa për shërim.
Fjalët e Gjon Palit II
Ato shpresa, me themel, më në fund u vërtetuan. Është 17 maj 1981. Gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa Wojtyła siguron se lutet për atentatorin, Mehmet Ali Ağca, të cilin ai "e ka falur sinqerisht".
