Kërko

18 maji 2025 shënoi fillimin e papnisë së Papa Leonit XIV

Mesha që shënoi fillimin e papnisë së Leonit XIV (Robert Francis Prevost), i zgjedhur më 8 maj 2025, u kremtua të dielën, më 18 maj 2025, në orën 10:00 paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, në Qytetin e Vatikanit. Ky kremtim shënoi edhe fillimin zyrtar të shërbesës së tij në fronin e Shën Pjetrit, me ritet e vendosjes së paliumit dhe dhënies së unazës së peshkatarit, i flet sërish Kishës: madhështia e shërbesës lind nga vetëdija e të qenit i zgjedhur pa asnjë meritë.

R.SH. / Vatikan

Në përvjetorin e parë të papnisë, gjesti i heshtur i Leonit XIV përpara unazës së peshkatarit i flet sërish Kishës: madhështia e shërbesës lind nga vetëdija e të qenit i zgjedhur pa asnjë meritë.

Leoni XIV përfundoi vitin e tij të parë të papnisë më 8 maj. Sot, më 18 maj kremtohet fillimi zyrtar i shërbesës së tij në Selinë e Shën Pjetrit. Një vit ky i karakterizuar nga ndryshime por duke ruajtur vijimësinë e mëparshme. Duke u përshkuar nga Stambolli, te pallatet e Monakos, e deri te plagët e Afrikës, "paqja e tij e paarmatosur dhe çarmatosëse" është zëri më kritik që ngrihet kundër shekullarizmit, idhujtarisë së parasë dhe riarmatimit botëror.

Zgjedhja e Leonit XIV: Pasardhësi i 266-të i Pjetrit

Leoni XIV, me emrin shekullar Robert Francis Prevost, është papa i 267-të i Kishës Katolike, sovrani i nëntë i Shtetit të Qytetit të Vatikanit, amerikani i parë dhe i pari Papë i Urdhrit të Shën Augustinit. "Paqja qoftë me ju të gjithë... Kjo është paqja e Krishtit të Ngjallur, një paqe e çarmatosur, një paqe çarmatosëse, e përulur dhe këmbëngulëse", ishin fjalët e tij të para, të thëna nga lozha e Bazilikës së Shën Pjetrit drejtuar të gjithë botës.

Gjestet e tij të para, të ndërthurura me petkat që parashikon tradita liturgjike, e klasifikojnë Leonin si një papë të ndryshimit brenda vazhdimësisë. Ndryshimi, krahasuar me paraardhësin e tij, vihet re në respektimin e tij të palëkundur të magjisterit papnor, "duke vendosur Krishtin në qendër". Ndërsa vazhdimësia është e dukshme në thirrjet e shpeshta të tij për një paqe të drejtë, që duhet kultivuar gjithmonë, duke i kushtuar vëmendje të veçantë të varfërve dhe të mënjanuarve, si edhe në lidhje me zbatimin e politikave që respektojnë krijimin.

Nga ana tjetër, emri i zgjedhur është një manifest programatik i papnisë së tij, një peng nderimi për Leonin XIII, papën e «Rerum Novarum», të enciklikës që mishëroi doktrinën shoqërore të Kishës. Ky vizion i ripërtërirë, i rëndësishëm sot e kësaj dite, e peshon njeriun  vetëm përsa i përket dobisë së tij dhe të të tjerëve, por si një veprimtar konkret, që vepron në bashkësi si mbajtës i të drejtave dhe i detyrave, dhe ku autoritetet thirren të ndërhyjnë, duke kryer funksione ndihmëse, vetëm atëherë kur liria nuk gjendet në drejtpeshim me barazinë.

Kjo është pra një bashkësi thellësisht e krishterë, ku njeriu nuk shkëputet nga Zoti, sepse humanizmi nuk mund të ekzistojë pa Zotin. Këto parime themelore leoniane do të përbëjnë bazën e enciklikës së shumëpritur për të cilën po punon Papa Leoni XIV, kushtuar inteligjencës artificiale. Ndikimi i kësaj Inteligjence tek mbarë njerëzimi është mjaft i ngjashëm me atë të Revolucionit Industrial, duke e kuptuar plotësisht rëndësinë epokale të risive teknologjike në zhvillim e sipër.

18 maj 2026, 13:17