Kërko

Bibla me atlas, në ekspozitën "La Sapienza dhe Papët" (Shkrepje e Stefania Sepulcri-t, Zyra e Shtypit e La Sapienza-s) Bibla me atlas, në ekspozitën "La Sapienza dhe Papët" (Shkrepje e Stefania Sepulcri-t, Zyra e Shtypit e La Sapienza-s)

«La Sapienza» dhe Papët: Shtatë shekuj historie në ekspozitë

Hapur me rastin e vizitës së Papa Leonit XIV në Universitetin La Sapienza të Romës, ekspozita ndjek fillin e mbi shtatëqind vjet marrëdhëniesh ndërmjet këtij universiteti dhe Papëve. Dokumente, vepra dhe materiale arkivore rrëfejnë evolucionin e këtij institucioni arsimor, që nga zanafilla e tij e deri në kohët tona.

R.Sh. / Vatikan

Pergamena mesjetare, gravura, fotografi, buste dhe dokumente arkivore rrëfejnë një marrëdhënie që rrok shekuj, ku ndërthuret historia e Kishës me atë të universitetit kryesor të Romës. Kjo temë përbën thelbin e ekspozitës "La Sapienza dhe Papët", përuruar sot, më 14 maj, gjatë vizitës së Papa Leonit XIV në universitetin romak.

Një udhëtim nëpër historinë e universitetit

Me mbështetjen e rektores Antonella Polimeni, për ekspozitën janë kujdesuar Eliana Billi dhe Alessandro Zuccari bashkë me Daniela Fugaro-n. Kjo ekspozitë, që u çel në Pallatin e Rektoratit të Qytetit Universitar, do të qëndrojë e hapur deri më 14 korrik. Aty flitet për rreth shtatë shekuj marrëdhëniesh ndërmjet Papëve dhe këtij universiteti të themeluar në vitin 1303 nga Papa Bonifaci VIII. Ekspozita, e organizuar në mënyrë kronologjike, bashkon materiale nga Arkivi Shtetëror i Romës, Biblioteka Universitare Aleksandrine dhe koleksionet e artit të Universitetit Sapienza.

Nga Mesjeta në Epokën Bashkëkohore

Stendat e ekspozitës i çojnë vizitorët nëpër disa nga fazat kryesore në historinë e universitetit romak: nga kultura humaniste, me figura të tilla si Pomponio Leto dhe Lorenzo Valla deri te ringjallja e universitetit nën Leonin X; nga epoka baroke, që u dallua për ndërhyrjet urbane dhe kulturore të Urban VIII, Inocentit X dhe Aleksandrit VII, deri te reformat shkencore të promovuara nga Benedikti XIV. Ekspozita përqendrohet gjithashtu në pikën e kthesës të shënuar nga bashkimi i Italisë, kur Sapienza pushoi së qeni një institucion papnor, dhe në afrimin simbolik pasues, të dëshmuar në shekullin e njëzetë nga ndërtimi i Kapelës së Urtisë Hyjnore, të porositur nga Piu XII.

14 maj 2026, 09:00