Leoni XIV: drejtësia duhet të respektojë dinjitetin e të gjithëve; jo torturës dhe dënimit me vdekje
R.Sh. / Vatikan
"Parandalimi dhe luftimi i krimit të organizuar" është thelbësor për "ndërtimin e shoqërive të sigurta, të drejta dhe të qëndrueshme", por e gjithë kjo punë duhet bërë duke respektuar dhe duke mbrojtur "të drejtat universale të njeriut". Kjo kërkon "zbatimin e ligjit" dhe "përfshirjen" e shoqërisë "si një e tërë, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar". Këto tematika ua theksoi Leoni XIV pjesëmarrësve në Konferencën e Dytë Ndërparlamentare për Luftimin e Krimit të Organizuar në Rajonin e OSBE-së, të cilët i priti në audiencë këtë mëngjes, më 15 maj, dhe të cilët morën pjesë në këtë takim në Romë dje dhe sot. Pjesëmarrësit diskutuan rreth temës «#STOPDROGA – Lufta kundër trafikut të drogës, Së Bashku për të mbrojtur sigurinë, shëndetin dhe ligjshmërinë.»
Bashkërendimi ndërmjet parandalimit të krimit dhe drejtësisë penale
Në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, Papa, duke përshëndetur të pranishmit, "të cilët vijnë nga shumë shtete anëtare të OSBE-së, nga Vankuveri deri në Vladivostok", vuri në dukje, duke folur anglisht, se një përfaqësim i tillë "dëshmon vullnetin kolektiv për të shqyrtuar një dukuri që mban gjallë rrjetet kriminale" dhe kompromenton të ardhmen e shoqërive, dhe rekomandoi angazhimin për respektimin e drejtësisë.
"Selia e Shenjtë është e bindur fuqimisht se sundimi i ligjit, parandalimi i krimit dhe drejtësia penale duhet të ecin së bashku, dorë për dorë. Në të vërtetë, sundimi i ligjit mbetet i domosdoshëm për zhvillimin e plotë njerëzor".
Drejtësia e vërtetë
Papa paralajmëroi gjithashtu se "asnjë shoqëri vërtet e drejtë nuk mund të zgjasë nëse ligji nuk është sovran", se "nuk duhet të mbizotërojë vullneti arbitrar i individëve" dhe se "asnjë person ose grup, pavarësisht nga pushteti ose statusi, nuk mund t’i njohë kurrë vetes të drejtën për të shkelur dinjitetin dhe të drejtat e të tjerëve, ose të bashkësive të tyre". Më tej, Papa shtoi se "Selia e Shenjtë mbështet" nismat që synojnë krijimin e një sistemi efektiv, të drejtë, human dhe të besueshëm të drejtësisë penale, të aftë për të parandaluar dhe luftuar prodhimin dhe trafikimin e narkotikëve.
"Drejtësia e vërtetë nuk mund të arrihet vetëm përmes dënimit. Qëndrime të tilla duhet të marrin në konsideratë edhe veprimet që karakterizohen nga këmbëngulja dhe dashuria, të cilat synojnë rehabilitimin dhe riintegrimin e plotë në shoqëri të shkelësve të dënuar".
Për më tepër, në fushën e drejtësisë penale, sipas Leonit XIV, respekti për "dinjitetin e çdo personi, përfshirë ata që kanë kryer krime, përjashton përdorimin e dënimit me vdekje, torturën dhe çdo formë të dënimit mizor ose poshtërues".
Një qasje multidisiplinore
Dhe për të ndihmuar ata që janë "skllavëruar nga droga", Papa rekomandon "programe gjithëpërfshirëse" që japin "kujdes mjekësor, mbështetje psikologjike dhe një program rehabilitimi afatgjatë", "një qasje të shumëanëshme" që e konsideron "njeriun në tërësinë e tij, ose të saj" dhe që nuk mbaron vetëm me "masat thjesht represive dhe zgjidhjet alternative". Sepse ne duhet të sigurohemi që çdo individ të mund të "rizbulojë dhe të përjetojë plotësisht dinjitetin" që i është dhënë nga Zoti.
Roli i arsimimit
Sipas Papa Leonit, edukimi luan një rol kyç për parandalimin, "themeli i zhvillimit integral njerëzor", i cili u ofron "fëmijëve dhe të rinjve mjetet për të njohur" pasojat e përdorimit të drogës.
"Në kohën tonë, kur mediat sociale përhapin kaq shpesh informacione të rreme, që i zvogëlojnë këto rreziqe, edukimi duhet të fillojë në familje dhe të forcohet në shkolla, duke përcjellur njohuri të sakta shkencore rreth pasojave të dëmshme të narkotikëve në tru, trup, sjellje personale dhe në shoqëri".
Nderim për zbatuesit e ligjit dhe sistemin gjyqësor
Duke paraqitur reflektimet e tij mbi parandalimin dhe luftimin e krimit, Papa gjithashtu i kushtoi disa fjalë "të gjithë oficerëve të zbatimit të ligjit dhe anëtarëve të gjyqësorit që kanë sakrifikuar jetën e tyre ose kanë pësuar sulme në ushtrimin guximtar të detyrës së tyre". Kjo "dëshmi" duhet të frymëzojë tek secili prej nesh "ndjenja mirënjohjeje, përgjegjësie dhe vendosmërie të ripërtërirë".
"Kisha Katolike, përmes institucioneve të saj të shumta në të gjithë botën dhe duke u mbështetur në përvojën e saj të gjatë në ndihmën e atyre që vuajnë nga varësia prej lëndëve narkotike, është e gatshme ta thellojë më tej bashkëpunimin e frytshëm me shoqërinë civile".
Të punojmë së bashku për të mirën e të gjithëve
Kisha dhe shoqëria civile, nënvizoi Papa, munden "së bashku, në një frymë respekti të ndërsjellë dhe përgjegjësie të përbashkët", të nxisin "politika që i shërbejnë vërtet të mirës së përbashkët dhe dinjitetit të patjetërsueshëm të çdo qenieje njerëzore". Prej këndej buron edhe shpresa se Konferenca Ndërparlamentare për Luftimin e Krimit të Organizuar në Rajonin e OSBE-së do të "japë fryte të bollshme dhe të qëndrueshme në strategjitë për bashkëpunim ndërkombëtar, parandalim efektiv dhe shpresë të vërtetë".
