Kërko

Papa në Sallën e Re të Sinodit Papa në Sallën e Re të Sinodit

Leoni XIV: të ruajmë karizmën e shoqatave në rrugëtimin e Kishës

Në Sallën e Re të Sinodit, në Vatikan, Papa fton moderatorët e shoqatave e bashkimeve laike, të mbledhur për Takimin e tyre vjetor, të ecin përpara sipas dëgjimit reciprok, bashkëpërgjegjësisë, transparencës dhe shoshitjes komunitare

R.SH. – Vatikani

Nga njëra anë, thirrja për «të ruajtur dhe vlerësuar kujtesën e një trashëgimie të gjallë»; nga ana tjetër, roli «profetik», në dëgjim të urgjencave baritore për t'u «përgjigjur sfidave të reja dhe ndjeshmërive kulturore, shoqërore e shpirtërore të kohës sonë».

Është kjo «detyra delikate» që Leoni XIV u beson moderatorëve të shoqatave të besimtarëve, të lëvizjeve kishtare dhe të komuniteteve të reja, duke iu bashkuar sot paradite, 21 maj, në Sallën e Re të Sinodit, pjesëmarrësve në Takimin e tyre vjetor që përfundon nesër pasdite. Tema e punimeve, të organizuara si zakonisht nga Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Laikët, Familjen dhe Jetën, është “Të shërbesh, të shoqërosh, të udhëheqësh. Parimet dhe praktikat e qeverisjes në shoqata”.

Pilotimi drejt një porti të sigurt

Nëse në çdo entitet shoqëror ndihet nevoja për të pasur “njerëz dhe struktura adekuate që merren me udhëheqjen dhe koordinimin e jetës së përbashkët”, në Kishë qeverisja “nuk lind nga nevoja e thjeshtë për të koordinuar kërkesat fetare të anëtarëve të saj”, me këto fjalë Papa e nis fjalimin e tij, duke ritheksuar natyrën sakramentale të një institucioni që nuk ka vetëm një përmasë të jashtme.

Në rrënjën e tij, termi “të qeverisësh” i referohet veprimit për “të mbajtur timonin”, për “të pilotuar një anije”. Bëhet fjalë, pra, për një orientim e drejtim të sigurt, në mënyrë që komuniteti të jetë një vend rritjeje për njerëzit që bëjnë pjesë në të. 

Jo një qeverisje e thjeshtë

Në dritën e këtyre karakteristikave të veçanta, në Kishë qeverisja “nuk është kurrë vetëm teknike”, por përkundrazi, sqaron Papa, “ka në vetvete një orientim shpëtimtar, domethënë duhet të synojë të mirën shpirtërore të besimtarëve”. Sa u përket shoqatave të besimtarëve dhe lëvizjeve kishtare, qeverisja e tyre – “përgjithësisht e besuar mbi laikët” dhe shprehje e munus-it (detyrës, përgjegjësisë, bashkëndarjes së dhuratave) të Krishtit të marrë në Pagëzim – “vihet në shërbim të besimtarëve të tjerë dhe të jetës së shoqatës”, vijon Papa, dhe është fryt i zgjedhjeve të lira “shprehje e një shoshitjeje të përbashkët”. Termi latin munus do të thotë kryesisht "dhuratë", por gjithashtu edhe "detyrë", "funksion" ose "përgjegjësi".

Për një qeverisje të dobishme, të lirë dhe të rregullt

Janë tri, pra, pasojat e qeverisjes së kuptuar si “dhuratë e veçantë e Shpirtit të Zotit”: qeverisja a udhëheqja duhet të jetë për dobinë e të gjithëve, domethënë e orientuar drejt së mirës “së komunitetit, të shoqatës, të mbarë Kishës” dhe jo e shfrytëzuar “për interesa personale apo forma mondane të prestigjit dhe pushtetit”; nuk mund “të imponohet kurrë nga lart”, por duhet të jetë një “dhuratë e dallueshme në komunitet dhe e pranuar lirisht”; duhet t'i nënshtrohet “shoshitjes të Barinjve, të cilët vigjilojnë mbi origjinalitetin dhe përdorimin e rregullt të karizmave”.

Dëgjimi reciprok, bashkëpërgjegjësia, transparenca, afërsia vëllazërore dhe shqyrtimi komunitar janë karakteristikat që sipas Papës “duhet të jenë gjithmonë të pranishme në qeverisje a në drejtimin e një komuniteti” në gjirin e Kishës. Për të qenë një udhëheqje “e mirë”, duhet të promovojë subsidiaritetin dhe pjesëmarrjen e përgjegjshme të të gjithëve.

Nga karizma drejt së jashtmes

Udhëzime “të thjeshta”, thotë Papa Leoni XIV, “por që duhen mbajtur gjithmonë parasysh në ushtrimin e autoritetit”. Prandaj, Ati i Shenjtë uron hapjen e shoqatave apo lëvizjeve, dhe të secilit prej anëtarëve të tyre, “ndaj situatave historike”.

Në fakt, përkatësia është autentike dhe frytdhënëse kur nuk shteron në pjesëmarrjen në aktivitete të brendshme të grupit, por interpreton shenjat e kohës dhe projektohet drejt së jashtmes, duke iu drejtuar të gjithëve, kulturës së kohës dhe fushave të misionit ende të paeksploruara.

Vlera e bashkimit

Më pas, Papa vendos theksin mbi bashkimin, njëjtësinë “një tjetër element me rëndësi jetike” për shoqatat e lëvizjet kishtare. Kush qeveris, nënvizon Leoni XIV, është i thirrur të ketë “një ndjeshmëri të veçantë për ruajtjen, rritjen dhe konsolidimin e bashkimit”, brenda strukturës, në raport me realitetet e tjera kishtare dhe në mbarë Kishën.

Kush ushtron një mision qeverisës në Kishë duhet të mësojë të dëgjojë dhe të pranojë mendime të ndryshme, orientime të ndryshme kulturore e shpirtërore, temperamente të ndryshme personale, duke kërkuar gjithmonë të ruajë, veçanërisht në vendimet e detyrueshme dhe shpesh të vështira për t'u marrë, të mirën supreme të bashkimit.

Të hapur ndaj rrugëtimit të Kishës

E gjithë kjo kërkon “dëshmi butësie, shkëputjeje dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve dhe motrave të komunitetit”, sqaron Papa, përpara se të ndalet te karizma themeluese, “një pikë referimi e pashmangshme për qeverisjen e një realiteti kishtar”.

Të qeverisësh në mënyrë besnike ndaj karizmës themeluese do të thotë, prandaj, të gjesh në të frymëzimin për t'u hapur ndaj rrugëtimit që Kisha kryen në të tashmen, pa u mbyllur apo zhytur pas modeleve të së kaluarës, qofshin këto edhe pozitive, por duke u nxitur nga realitete dhe sfida të reja, në dialog me të gjithë komponentët e tjerë të trupit kishtar.

Së fundi, nga Leoni XIV vjen një falënderim për shoqatat e besimtarëve dhe lëvizjet kishtare, “një dhuratë e paçmueshme për Kishën”, shumëllojshmëria e karizmave dhe e metodave të apostullimit të të cilave, të zhvilluara përgjatë viteve, mundëson “të jenë të pranishme në fushat e kulturës, artit, sferës sociale e të punës, duke çuar kudo dritën e Ungjillit”.

21 maj 2026, 11:48