Kërko

2026.05.02 Papa Leone riceve la prima copia del libro con i suoi interventi da Priore generale degli Agostiniani

Mesazhi i Papës për Panairin Ndërkombëtar të Librit «SalTo»: Letërsia le të jetë "shkollë vëllazërimi dhe paqeje"

Gjatë ceremonisë së hapjes së edicionit të 38-të, në auditoriumin «Lingotto», Torino, u lexua një telegram i Papës, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit Kardinal Pietro Parolin, drejtuar kryeipeshkvit Metropolitan Kardinal Roberto Repole dhe pjesëmarrësve në panairin ndërkombëtar.

R.Sh. / Vatikan

"Ekziston nevoja për letërsi që ndihmon në njohjen dhe pranimin e dinjitetit të çdo personi, veçanërisht të më të cënueshmëve, dhe që bëhet gjithnjë e më shumë një shkollë vëllazërimi dhe paqeje." Kjo është shpresa e Papa Leonit XIV, në telegramin e tij të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit Kardinal Pietro Parolin, për Panairin Ndërkombëtar të Librit që zhvillohet në Torino nga 14 deri më 18 maj. Përshëndetja u lexua këtë mëngjes nga drejtoresha e Panairit, Annalena Benini, gjatë ceremonisë së hapjes së kësaj ngjarjeje kulturore, tema e së cilës këtë vit frymëzohet nga vepra e shkrimtares Elsa Morante: «Bota e shpëtuar nga fëmijët». Papa e përshkroi titullin e zgjedhur për këtë edicion të panairit si "shumë domethënës dhe në kohën e duhur".

"Në një kohë që duket e përmbytur nga tmerri i luftës," shtoi Papa, "dhe nga ftohtësia e mospërfilljes, fëmijët, me aftësinë e tyre të lindur për ta parë botën me sy të rinj, ndezin një dritë shprese në shoqëri."

Duke dërguar bekimin e tij, Leoni XIV shprehu shpresën "se ngjarja do të frymëzojë një vetëdije të ripërtërirë për rëndësinë e kulturës në ndërtimin e dialogut dhe të harmonisë."

Në rreshtat e mesazhit ndihej jehona e fjalëve të thëna nga Papa kur u takua me stafin me rastin e 100-vjetorit të Shtëpisë Botuese të Vatikanit, e cila do të jetë e pranishme në «SalTo» me një stendë dhe takime të ndryshme. Më 7 maj, Leoni XIV pohoi se "leximi ushqen mendjen, ndihmon për të ushqyer një ndjenjë kritike të vetëdijshme dhe të formuar mirë dhe mbron nga fundamentalizmi dhe dritëshkurtësia ideologjike."

Papa Leoni i nxiti "të gjithë të lexojnë libra, si një bar kundër mendjes së shkurtër që pasqyrohet në qëndrime të ngurta dhe në përceptime të gabuara të realitetit."

14 maj 2026, 12:04