Kërko

Leoni XIV gjatë vizitës në universitetin e Yaoundé-së, në Kamerun. Leoni XIV gjatë vizitës në universitetin e Yaoundé-së, në Kamerun.

Papa: dituria nuk duhet të jetë vegël përjashtimi, por në shërbim të dinjitetit njerëzor

Mesazhi i Leoni XIV me rastin e 60-vjetorit të Universitetit Katolik Bolivian të San Pablos. Mes tjerash, Papa kujton moton e universitetit, "Veritas in Caritate", për të ripohuar rëndësinë e së vërtetës: "Për të krishterin, është një vepër dashurie që ndërton, shëron dhe e çon njeriun drejt plotësisë së tij"

R.Sh. - Vatikan

«Veritas in Caritate», e vërteta në dashuri. Papa Leoni XIV mbështetet në moton e Universitetit Katolik Bolivian të San Pablos për të ripohuar rëndësinë e së vërtetës. Nuk është "një ideal intelektual" apo "një koncept abstrakt", por një parim që "ka identitetin e tij" në Jezu Krishtin dhe që, nëse "kërkohet me rreptësi intelektuale dhe ndershmëri shkencore", gjen tek dashuria "horizontin dhe parimin e vet më të lartë”, pasi "të thuash të vërtetën është, për të krishterin, një vepër dashurie që ndërton, shëron dhe e udhëzon njeriun drejt plotësisë së tij".

Kur pranojmë se e Vërteta ka një fytyrë të posaçme dhe një anë që i lidh njerëzit, atëherë shohim se ajo nuk e lë diturinë të kthehet në një vegël për sundim, përjashtim ose thjesht dobi, por e vë atë në shërbim të drejtësisë dhe  të dinjitetit të çdo qenieje njerëzore, veçanërisht më të cënueshmëve.

Nga Universiteti, kontribut për zhvillimin e dinjitetit njerëzor

Papa u dërgoi një mesazh spanjisht anëtarëve të bashkësisë universitare me rastin e gjashtëdhjetëvjetorit të ateneut me qendër në La Paz dhe me seli në qytete të tjera boliviane. "Përkujtimi i këtyre gjashtëdhjetë viteve na bën të shohim një rrugëtim të frytshëm shërbimi kundrejt Kishës dhe shoqërisë", shkruan Ati i Shenjtë.

Në letër, Papa Leoni kujton po ashtu "identitetin më të thellë" të një universiteti që "nuk reduktohet thjesht në një qendër trajnimi teknik dhe as në një hapësirë ​​ për prodhimin e njohurive". Është, para së gjithash, "një bashkësi akademike që, me rigorozitet dhe në mënyrë kritike, kontribuon në mbrojtjen dhe zhvillimin e dinjitetit njerëzor dhe të trashëgimisë kulturore përmes kërkimit, mësimdhënies dhe shërbimeve të ndryshme të ofruara për bashkësitë vendase, kombëtare dhe ndërkombëtare".

Virtytet intelektuale, liria dhe angazhimi për të mirën e përbashkët

Prandaj, universiteti ekziston për të "nxitur formimin e plotë të personit", pasi, thekson Papa, "arsimi i vërtetë duhet të nxisë formimin e personit njerëzor si në kuptim të qëllimit të mbramë, ashtu edhe për të mirën e grupeve të ndryshme anëtar i të cilave ai është".

Brenda këtij kuadri, aftësitë intelektuale dhe morale, liria e përgjegjshme dhe angazhimi ndaj së mirës së përbashkët kultivohen në mënyrë harmonike, duke formuar njerëz të aftë për të menduar si lypset, për t'u angazhuar në dialog të hapur dhe për të vepruar drejt.

Thirrja drejt së Vërtetës

Nga kjo perspektivë, mund ta kuptojmë moton e Universitetit, «Veritas in Caritate» si "një përmbledhje që flet shumë për misionin universitar kur ky ndërmerret me besim", thekson Papa Leoni XIV në mesazhin e tij. Dhe "në një kontekst kulturor ku vërehet copëtimi i dijes, relativizmi dhe shfrytëzimi i dijes", «Veritas in Caritate» vijon të jetë "një parim për veprimtarinë akademike dhe baritore, si dhe një program kërkues për të ardhmen, për të cilin ju jeni të thirrur të jeni drita e botës".

Kështu, «Veritas in Caritate», shton Papa në mesazhin e tij, "shpreh thirrjen e një bashkësie akademike që synon të bashkojë dijen dhe jetën, inteligjencën dhe etikën, besimin dhe arsyen, përsosmërinë akademike dhe përgjegjësinë qytetare".

Kërkimi, mësimdhënia dhe trajnimi profesional konceptohen si shërbime dhe jo si qëllime vetë-referuese, dhe drejtohen drejt ndërtimit të një shoqërie më humane, më të drejtë dhe më transhendente, ku dija është gjithmonë në shërbim të personit.

Duke përkujtuar gjashtëdhjetë vjet të ekzistencës së këtij universiteti, pra, përfundon Leoni XIV, “Universiteti Katolik Bolivian është i thirrur ta kundrojë me mirënjohje rrugën që ka përshkuar dhe të ripërtërijë me guxim angazhimin e tij ndaj këtij misioni”.

14 maj 2026, 08:51