Kërko

Papa: familjet e viktimave i dorëzojnë Leonit dekalogun mjedisor

Familjet e viktimave i dorëzojnë Leonit dekalogun mjedisor. "Shenjtëria Juaj, ne duam në thelb dhe thjesht, të jetojmë dhe të jetojmë mirë, të synojmë lumturinë", lexohet në letrën e hapur që familjarët e viktimave i kanë dorëzuar Papa Leonit XIV. "Kërkojmë një pakt ndërmjet brezave, një formë dëmshpërblimi mjedisor që na hap rrugën drejt një të ardhmeje më të mirë".

R.SH. / Vatikan

Dhjetë propozime për ndërhyrje mjedisore në Acerra, Itali: ky është dokumenti që familjarët e viktimave i kanë dorëzuar Papa Leonit XIV. "Kërkojmë një pakt ndërmjet brezave, një formë dëmshpërblimi mjedisor që na hap rrugën drejt një të ardhmeje më të mirë. Duam që nga dobësitë e territorit tonë të lindë një mundësi e re për t'u ndërtuar së bashku dhe që pasuritë që kemi, përkundrazi, të mbrohen e të vlerësohen.

Shenjtëria Juaj, ne duam në thelb dhe thjesht, të jetojmë dhe të jetojmë mirë, të synojmë lumturinë", lexohet në letrën e hapur që familjarët e viktimave i kanë dorëzuar Papa Leonit XIV. "Thuajuni [autoriteteve] të veprojnë, shpejt dhe në mënyrë konkrete e vendimtare. Kjo tokë nuk mund të presë më, kemi nevojë për guxim, për atë guxim që në të kaluarën ka munguar ose që është shndërruar në bashkëfajësi dhe krim. Thuajuni se nuk duam më të jemi Toka e zjarreve, por thuajuni se vetëm ndërhyrjet e menjëhershme dhe strukturore do të mund të na shndërrojnë në Tokë të mundësive", i kërkojnë Papës qytetarët e Acerra-s.

"Janë të shumtë fëmijët e kësaj toke që sëmuren dhe shumë herë nuk ia dalin mbanë - denoncojnë ata - çdo vit regjistrohen tejkalime të grimcave të imëta (pluhurave PM) përtej çdo limiti të lejuar nga ligji; studimet e fundit kanë nxjerrë në dritë praninë në ujërat nëntokësore të substancave që konsiderohen mjaft të rrezikshme.

Shenjtëria Juaj, megjithatë ne nuk e humbim shpresën dhe çdo ditë ka nga ata që vazhdojnë të luftojnë për t'i dorëzuar një të nesërme më të mirë njerëzimit të ardhshëm. Rruga është e vështirë dhe shumë shpesh ata që duhet të dëgjojnë kushtrimin e dhimbjes së Tokës sonë, kthejnë kokën në anën tjetër. Nuk duam dhe nuk mundemi të dorëzohemi, ia kemi detyrim atyre që sëmuren dhe atyre që nuk janë më, ia kemi detyrim vetvetes, fëmijëve tanë dhe brezave që do të vijnë", pohojnë familjarët e viktimave në letrën e tyre dorëzuar Papës.

23 maj 2026, 10:53