Kërko

Pope Leo XIV holds weekly general audience in St. Peter's Square at the Vatican

Papa-Tawadros: në një botë me konflikte, të krishterët të dëshmojnë unitetin

Bisedë telefonike dhe mesazh nga Leoni XIV drejtuar patriarkut me rastin e "Ditës së miqësisë kopto-katolike", themeluar në vitin 2013 për të festuar marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Pjetrit dhe Selisë së Markut. Papa ka shpresë për rifillimin e punës së Komisionit të përbashkët Ndërkombëtar për Dialogun Teologjik ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishave Ortodokse Lindore dhe i inkurajon koptët e katolikët të vazhdojnë shtegtimin e tyre në të vërtetë e bamirësi "drejt bashkimit të plotë"

R.SH. - Vatikan

Nuk është vetëm qëllim i largët "uniteti i plotë" ndërmjet të krishterëve, por nevojë urgjente e diktuar, mbi të gjitha, nga konfliktet që prekin botën, duke shkatërruar veçanërisht Lindjen e Mesme. Leoni XIV e përsërit nevojën për një angazhim më të mprehtë ekumenik në këtë epokë lufte e përçarjeje, në një letër dërguar Tawadros, Patriarkut Kopt-Ortodoks të Aleksandrisë, me rastin e Ditës së Miqësisë ndërmjet Koptëve dhe Katolikëve. Pikërisht “dëshira për të rigjallëruar kremtimin” e këtij përvjetori, një nga më të rëndësishmit në dialogun ekumenik, ishte në qendër edhe të bisedës së sotme telefonike, e cila u zhvillua — sipas një deklarate të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë — “në një atmosferë të përzemërt dhe vëllazërore”. Gjatë telefonatës, u ripohua dëshira për të “kapërcyer çdo pengesë të mundshme në dialogun e fesë dhe të dashurisë”. Gjithashtu u shpreh “vetëdija për përgjegjësinë e përbashkët në shpalljen e Ungjillit dhe në promovimin e paqes e të pajtimit, veçanërisht në Lindjen e Mesme”.

"Tradita fisnike" e nisur nga Papa Françesku

Ky është një nga përvjetorët më të rëndësishëm të dialogut ekumenik, i nisur nga vetë Tawadros e i vazhduar nga Papa Françesku më 13 maj 2013, dy muaj pas zgjedhjes së tij, për të përkujtuar dyzetvjetorin e takimit historik të Palit VI me Shenoudën III (1973), që arritën kulmin me nënshkrimin e një deklarate të përbashkët kristologjike. Tawadros dhe Françesku u takuan përsëri dhjetë vjet më vonë, në maj 2023, së pari në Sheshin e Shën Pjetrit, e së bashku, në audiencën e përgjithshme për të bekuar turmën, ndërsa më pas, të nesërmen, në Pallatin Apostolik, për të riafirmuar shpresën e bashkimit eukaristik dhe për të përkujtuar 21 të krishterët koptë të cilëve ua preu kokat Shteti Islamik në vitin 2015, në një plazh libian. Që nga ajo ditë, ata u përfshinë në Martirologjinë Romake si "shenjë e bashkimit shpirtëror" ndërmjet Selisë së Pjetrit dhe Selisë së Shën Markut. Kështu, Leoni XIV ndjek gjurmët e kësaj "tradite fisnike" të filluar nga "paraardhësi i tij i dashur" Françesku, për të festuar Ditën e Miqësisë Kopte-Katolike dhe kërkon, në letrën e tij, që ky përvjetor t'i japë shtytje të re udhëtimit të përbashkët, me ndarje dhe "keqkuptime" të vjetra, e me pajtime të reja.

Në një çast kur bota jonë është e tronditur nga kaq shumë konflikte, veçanërisht në Lindjen e Mesme, të krishterët duhet, më shumë se kurrë, të përpiqen për unitet të plotë, në mënyrë që të mund ta dëshmojmë së bashku Princin e Paqes. E të mund të besojmë në ndërmjetësimin e fuqishëm dhe shembullin e martirëve të panumërt, që vuajtën për emrin e Krishtit.

Duke dëshmuar për mirësinë e Zotit ndaj njerëzimit

Papa Leoni e kishte kujtuar tashmë "Ditën" në lutjen e Mbretëreshës Qiellore të fundit të dielën, më 10 maj, duke i dërguar një "përshëndetje vëllazërore" Papës Tawadros II i cili, një ditë më parë, kishte kremtuar Eukaristinë në Bazilikën e Shën Markut, në Venecia, së bashku me disa ipeshkvij dhe priftërinj koptë.

Të dy ende nuk kanë mundësinë të takohen personalisht: Tawadros i dërgoi një letër urimi Papës Amerikan për zgjedhjen e tij në vitin 2025, e pati edhe një bisedë telefonike. Ndërsa pret takimin, Papa Leoni, nga dritarja e Pallatit Apostolik, të dielën, kërkoi lutje për të gjithë Kishën "e dashur" Kopte, "me shpresën - pohonte - se udhëtimi ynë i miqësisë do të na çojë drejt unitetit të përsosur në Krishtin".

Në letrën e nënshkruar më 4 maj, por të botuar sot, të premten, më 15 maj, ai e përsëriti këtë shpresë, duke u përqendruar në veçanti në vetë konceptin e "miqësisë". Për të krishterët, nuk është "ndjenjë e paqartë", por "qendër e jetës dhe e fesë sonë", duke u mbështetur në mësimin e Krishtit: "Nuk ka dashuri më të madhe, sesa të japësh jetën për miqtë e tu".

Ndaj Papa kujton:

Prandaj, duke u mbështetur në miqësinë e Krishtit me ne, ne mund ta forcojmë miqësinë ndërmjet nesh dhe Kishave tona, duke vazhduar ta dëshmojmë së bashku filantropinë hyjnore për të gjithë njerëzimin!

Dialogu dhe uniteti

Në këtë udhë, Leoni XIV shpreh besimin se Komisioni i Përbashkët Ndërkombëtar për Dialogun Teologjik ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishave Ortodokse Lindore, i angazhuar në një dialog teologjik "jashtëzakonisht të frytshëm" që nga viti 2003, duke shkruar tre dokumente që "demonstrojnë një kuptim teologjik në rritje" - do të jetë në gjendje ta "rifillojë punën sa më shpejt të jetë e mundur me të gjitha Kishat e familjes Ortodokse Lindore, për t'iu përgjigjur lutjes së Krishtit: që të gjithë të jenë një".

Gjithnjë në letër, Papa e falënderon Kishën Ortodokse Kopte për mikpritjen e ofruar pjesëmarrësve - përfshirë disa delegacione katolike - në Konferencën VI Botërore të Komisionit "Fe e Rend", mbajtur në tetor 2025 në Manastirin e San Bishoy në Wadi El Natrun.

Leoni XIV më pas shpreh "besimin" e tij se reflektimet e ndërmarra për 1700-vjetorin e Koncilit të Parë Ekumenik të Nikesë "do të ringjallin dëshirën tonë për të arritur unitetin e dukshëm të Kishës":

Një unitet i rrënjosur në pagëzimin e vetëm që ne e pranojmë në Besojmën e Nikesë dhe të cilin, lutem sinqerisht, do të jemi në gjendje ta arrijmë.

Në dritën e Rrëshajëve, Papa i lutet Shpirtit Shenjt "t'i prijë koptët dhe katolikët në shtegtimin e përbashkët në të vërtetë dhe bamirësi drejt bashkimit të plotë".

15 maj 2026, 12:18