Kërko

2026.05.15 Cappella Papale per le esequie del Cardinale Paul Emil Tscherring

Papa kremton funeralin e Tscherrig: "Punoi për harmoninë e popujve"

Kardinali zviceran, diplomat i hershëm dhe nunc apostolik në Itali dhe San Marino, vdiq më 12 maj. Leoni XIV kryesoi liturgjinë në Altarin e Katedrës së Bazilikës së Shën Pjetrit dhe në homelinë e tij kujtoi misionin e kardinalit në vende të ndryshme "me durim dhe vetëmohim, me qëllimin për t’i bashkuar popujt në harmoni"

R.SH. – Vatikan

         Kardinal, vëlla, diplomat, bari, i cili i shërbeu Kishës universale me një punë "shpesh jo spektakolare, por megjithatë të zellshme dhe të lodhshme". Papa Leoni XIV kremtoi sot pasdite, në Bazilikën e Shën Pjetrit, funeralin për kardinalin zviceran Paul Emil Tscherrig, i cili vdiq në moshën 79 vjeçare, më 12 maj. Një "kardinal i dashur", që, ndërmjet detyrave të tij të ndryshme, nga viti 2017 deri në vitin 2024, udhëhoqi Nunciaturën Apostolike në Itali dhe San Marino, i pari jo-italian në këtë rol. U krijua kardinal nga Papa Françesku në konsistorin e 30 shtatorit 2023, në të njëjtin vit me krijimin kardinal të Robert Francis Prevost, tani Papa Leoni XIV. Ati i Shenjtë e shoqëroi këtë "vëlla" në takimin "e madh e solemn" me "Zotin të cilit i shërbeu bujarisht, me Mikun në krah të të cilit eci me besnikëri gjatë gjithë jetës së tij, më se gjysma e së cilës u kalua në shërbim të Selisë Apostolike, në Përfaqësitë e ndryshme Papnore dhe në Sekretarinë e Shtetit".

  (@Vatican Media)

Durim dhe vetëmohim

“Angazhimi i tij si diplomat, dhe akoma më shumë si bari i Kishës”, tha Papa në homelinë e tij, “e ka çuar këtë vëllain tonë të punojë për shumë vite, me durim dhe vetëmohim, për të bashkuar në harmoni popujt, që i janë besuar kujdesit të tij, duke u përballur me pengesat dhe sfidat që një përfaqësues papnor është i thirrur të përqafojë për të mirën e të gjithëve”.

Një përvojë e gjerë kishtare dhe ndërkombëtare

Papa Leoni XIV kujtoi më pas misionin e kardinalit Tscherrig në Burundi, Trinidad e Tobago dhe në disa vende të Karaibeve, në Korenë e Jugut, Mongoli, më vonë në Suedi, Danimarkë, Finlandë, Islandë, Norvegji dhe Argjentinë, duke mbërritur më në fund në Itali dhe San Marino. "Një përvojë e gjerë kishtare dhe ndërkombëtare, e cila dëshmon për gatishmërinë dhe aftësinë e tij për t'iu përshtatur, me bamirësinë e tij si bari, ambienteve shumë të ndryshme: vende dhe popuj në të cilët u dërgua, në emër të Atit të Shenjtë, për të ndërtuar marrëdhënie bashkimi midis Kishave lokale dhe Selisë Apostolike, si edhe për të forcuar lidhjet e miqësisë".

  (@Vatican Media)

Përhapës i së Mirës

Tani, kardinali Paul Emil "takohet me Zotin e tij" dhe "ne e shoqërojmë në këtë kalim të mistershëm", pohoi Papa, duke uruar që ky moment të jetë "rast për reflektim dhe inkurajim, për të çmuar të mirën që ai, me hirin e Zotit, e përhapi me besim dhe përkushtim".

Në këtë vazhdë, Leoni XIV citoi një fjalim, në të cilin Papa Françesku - i cili ishte takuar me Tscherrig në Buenos Aires - i nxiti diplomatët "ta lënë shpresën të lulëzojë përreth tyre, si përgjigje ndaj dëshirës dhe pritjes së popujve për të mirën". "Është një ftesë", tha ai, "që edhe ne mund ta pranojmë sot, ta vëmë në praktikë kudo që jemi të thirrur për t'u shërbyer dhe për t’i dashur vëllezërit dhe motrat tona. Bota ka shumë nevojë për lajmëtarë, që mund ta ndihmojnë të rifitojë besimin dhe, dëshmia e mirë e atyre që Zoti i ka zgjedhur si shërbëtorë të tij mund të na mbështesë në përgjigjen ndaj kësaj thirrjeje".

15 maj 2026, 17:33