Kërko

TSCHERRIG-Card.-Emil-Paul-03742_30092023.jpg

Papa kujton kardinalin Tscherrig: "Dëshmoi dashurinë e tij për Kishën"

Leoni XIV dërgon një telegram ngushëllimi për vdekjen e kardinalit zviceran sot, më 12 maj, në moshën 79 vjeçare. "Mendoj me mirënjohje për shërbimin e tij besnik si përfaqësues papnor në vende të ndryshme dhe, më vonë, si anëtar i disa dikastereve të Selisë së Shenjtë"

R.SH. – Vatikan

         Papa shpreh "ngushëllimet e tij më të ndiera” për vdekjen e kardinalit zviceran Paul Emil Tscherrig, ish-nunc apostolik në Itali dhe në Republikën e San Marinos, që ndërroi jetë sot, më 12 maj, në moshën 79 vjeçare. Në një telegram, Leoni XIV i drejtohet familjes së Tscherrig dhe bashkësisë dioqezane të Sionit, ku ishte i inkardinuar kardinali, duke u shprehur me mirënjohje për "shërbimin e tij besnik si përfaqësues papnor në vende të ndryshme dhe, më pas, si anëtar i disa dikastereve të Selisë së Shenjtë".

Një "shërbëtor i Ungjillit"

Kardinali, shkruan Papa, "veproi me bujari, duke dëshmuar dashuri për Kishën dhe për Pasardhësin e Pjetrit". Telegrami përfundon duke ia besuar Zotit shpirtin e "këtij shërbëtori të Ungjillit", në mënyrë që "Ai ta mirëpresë në dritën, që nuk njeh perëndim", si edhe ndërmjetësimit të Virgjërës Mari. Papa u jep bekimin e tij apostolik të gjithë atyre, që janë prekur nga kjo ndarje.

Një shërbim i gjatë në nunciaturë

Kardinali Paul Emil Tscherrig lindi në Unterems të Zvicrës, më 3 shkurt 1947. U shugurua meshtar në vitin 1974 dhe më pas, mori një doktoraturë në të drejtën kanonike nga Universiteti Papnor Gregorian. Papa Gjon Pali II e emëroi atë në shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë në vitin 1978, si sekretar i nunciaturës apostolike, me shërbim në Ugandë, Korenë e Jugut, Mongoli dhe Bangladesh. Në vitin 1996, u shugurua kryeipeshkëv titullar i Volit dhe u emërua nunc apostolik në Burundi. Si nunc shërbeu edhe në Trinidad e Tobago, në Republikën Dominikane, në Xhamajkë, Grenadë, Gujanë e në shumë vende të tjera. Në Itali dhe San Marino, ishte i pari nunc jo-italian në këtë pozitë. U krijua kardinal nga Papa Françesku në koncistorin e 30 shtatorit 2023.

12 maj 2026, 15:02