2026.05.14 Visita pastorale all'Universita' "Sapienza" di Roma

Leoni XIV në “La Sapienza”: “ata, që kërkojnë të vërtetën, në fund të fundit, kërkojnë Zotin”

Paradite intensive e Papës Leoni XIV, i cili u takua sot, 14 maj, me bashkësinë e studentëve e të pedagogëve të Universitetit “La Sapienza” të Romës. “Vizita ime është baritore”, u tha Papa, i cili i përshëndeti lirisht, së paku dy herë, për të folur më pas, zyrtarisht, në Aula Magna. “Ata që kërkojnë, ata që studiojnë, ata që kërkojnë të vërtetën, do ta gjejnë Zotin në format e shumta mbi të cilat Zoti ka zgjedhur të lërë gjurmën e tij”

R.SH. - Vatikan

Papa Leoni XIV shkoi sot, 14 maj, për një vizitë baritore në Universitetin La Sapienza të Romës. Në orën 10.20, në kapelën e universitetit "Divina Sapienza", e priti një turmë festive studentësh, që i përshëndeti përzemërsisht, si edhe kardinali Vikar Baldo Reina, rektorja e universitetit, Antonella Polimeni, dhe kapelani, Atë Gabriele Vecchione.

  (@VATICAN MEDIA)

“Doja ta filloja këtë vizitë këtë mëngjes këtu në Kapelë, në këtë kishë të bukur, një vend takimi me Zotin – tha Papa, duke folur lirisht me të pranishmit. - Sepse, para së gjithash, vizita ime është vizitë baritore: për ta njohur pak Universitetin, për t'ju njohur ju, për t'ju përshëndetur dhe për të ndarë një moment të shkurtër feje – vuri në dukje Ati i Shenjtë, duke iu referuar çastit të lutjes së heshtur në kapelën universitare. - Ata që kërkojnë, ata që studiojnë, ata që kërkojnë të vërtetën, në fund të fundit, kërkojnë Zotin, do ta takojnë Zotin, do ta gjejnë Zotin pikërisht në bukurinë e krijimit, në format e shumta mbi të cilat Zoti ka zgjedhur të lërë gjurmën e tij, në gjithçka jemi, si bij dhe bija të Zotit, krijesa sipas shëmbëlltyrës së tij, që bëjnë pjesë në krijimin e tij.

Është një moment i mrekullueshëm sot, për të ndenjur pak me bashkësinë universitare, në këtë qendër studimi... besoj se është më e madhja në të gjithë Evropën. E kështu është vërtet bekim, dhuratë nga Zoti, të jesh këtu dhe ta përjetosh këtë moment, duke e ditur se është Zoti që na thirri, është Zoti që bëri këtë krijim të mrekullueshëm për të gjithë ne. Ju uroj jo vetëm një ditë të mirë, por edhe studime të mbara. Kjo kohë që kaloni në këtë Universitet të jetë vërtet për të gjithë ju një takim me Zotin dhe me bukurinë e jetës”, u tha Papa studentëve para se t’u jepte bekimin.

  (@Vatican Media)

Pastaj shkoi me makinë drejt sheshit qendror e para se të takohej me raktoren dhe të nënshkruante Librin e Nderit, Ati i Shenjtë përshëndeti studentët të “La Sapenza”-s.

“Mirëdita të gjithëve! Faleminderit për mikpritjen! Jam shumë i lumtur që jam këtu me ju këtu… Shpresoj që të jetë një moment mirësie, një moment gëzimi për të gjithë bashkësinë e ‘La Sapienzs’-s. Ju uroj çdo të mirë”.

Në orën 11:00, u zbulua pllaka përkujtimore e ditës, e më pas, përshëndetja për anëtarët e Senatit Akademik dhe punonjësit e Universitetit.


Në orën 11:15, Papa Leoni XIV vizitoi ekspozitën "La Sapienza dhe Papati", vendosur në hapësirat e universitetit. Pesëmbëdhjetë minuta më vonë, i foli bashkësisë universitare në Aula Magna. Pas vizitës, shkëmbimi i dhuratave dhe një përshëndetje për delegacionin studentor. Së fundi, para se të kthehej në Vatikan, Papa u ndal në shkallët e Universitetit La Sapienza të Romës për përshëndetjen e fundit drejtuar studentëve.

14 maj 2026, 13:29