Kërko

2026.05.14 Visita pastorale all'Universita' "Sapienza" di Roma

Papa, universitarëve: të jeni artizanë të paqes, riarmatimi pasuron elitat

Leoni XIV viziton Universitetin La Sapienza, më të vjetrin e Romës dhe, në fjalën e tij, përqendrohet në "ndotjen e arsyes, që nga plani gjeopolitik pushton çdo marrëdhënie shoqërore", duke krijuar një botë "të shtrembëruar" nga luftëra dhe fjalë konflikti. Ai bën thirrje për ta përdorur me urti kujtesën dhe "për të mbrojtur drejtësinë", si edhe për të vigjëluar mbi zhvillimin dhe zbatimin e inteligjencës artificiale në fushat ushtarake dhe civile: "Të mos e quajmë mbrojtje riarmatimin"

R.SH. – Vatikan

         Shenjë e një aleance të re edukative ndërmjet Kishës së Romës dhe universitetit prestigjioz, që u themelua pikërisht në gjirin e Kishës shtatë shekuj më parë. Ky është kuptimi i vizitës që Papa Leoni XIV bëri sot, më 14 maj, në Universitetin La Sapienza. Kjo aleancë u konsolidua shkurtin e kaluar me nënshkrimin - shumë të vlerësuar nga Papa - të marrëveshjes ndërmjet dioqezës së Romës dhe Universitetit për hapjen e një korridori humanitar universitar nga Rripi i Gazës për në kryeqytetin italian. Në fjalimin e tij në Aula Magna, Ati i Shenjtë reflektoi gjerësisht mbi riarmatimimin e shteteve, maskuar si strategji "mbrojtjeje"; bëri thirrje për inteligjencë dhe guxim në kërkimin e drejtësisë, të paqes dhe në ruajtjen e Tokës, duke zgjedhur gjithmonë rrugën e përdorimit etik të teknologjisë; si edhe i ftoi pedagogët të dëgjojnë, për të mos nxitur pakënaqësinë e shumë të rinjve, duke e interpretuar shtrembër pozitën e tyre si mësues.

“Po” për jetën

Në një vatër dijesh si bota universitare, e cila informon dhe formon mendjet dhe ndërgjegjet, Papa e ndjen edhe më urgjentisht nevojën për të përsëritur "jo"-në e tij kundër luftës dhe spirales vdekjeprurëse, nga e cila ushqehet ajo.

“Ç’po ndodh në Ukrainë, Gazë dhe në territoret palestineze, në Liban dhe Iran, tregon evolucionin çnjerëzor të marrëdhënieve ndërmjet luftës dhe teknologjive të reja, në një spirale asgjësimi. Studimet, puna kërkimoro-shkencore, investimet, të shkojnë në drejtim të kundërt: të jenë ato një "po" radikale për jetën! ‘Po’ për jetën e pafajshme, ‘po’ për jetën e të rinjve, ‘po’ për jetën e popujve, që duan paqe dhe drejtësi!”

  (@Vatican Media)

Kujdesi për kompleksitetin dhe ushtrimi i urtë i kujtesës

I vetëdijshëm se brezave të rinj po u dorëzohet "një botë e shtrembëruar trishtueshëm nga luftërat dhe fjalët e luftës", Leoni XIV denoncoi se ky është  "manipulim i arsyes, që nga niveli gjeopolitik pushton çdo marrëdhënie shoqërore". Që këtej, ftesa për të mos e reduktuar historinë, për të marrë në dorë Kushtetutën dhe për të rizbuluar vlerat, mbi të cilat themelohen demokracitë, liria e popujve dhe e individëve.

“Thjeshtimi që krijon armiq duhet të korrigjohet, sidomos në universitete, me kujdes për kompleksitetin dhe për përdorimin e mençur të kujtesës. Në veçanti, nuk duhet harruar tragjedia e shekullit XX. Britma "Kurrë më luftë!" e paraardhësve të mi, aq në përkim me mohimin e luftës të sanksionuar në Kushtetutën italiane, na nxit të formojmë një aleancë shpirtërore me ndjenjën e drejtësisë, që jeton në zemrat e të rinjve, me thirrjen e tyre për të mos u kufizuar brenda ideologjive dhe kufijve kombëtarë”.

  (@Vatican Media)

Mbi riarmatimimin, që paraqitet si "Mbrojtje"

Përballë shtimit të shpenzimeve ushtarake, veçanërisht në Evropë, Papa përsëriti paralajmërimin e tij se ky është një moment shumë i rrezikshëm. Mbi të gjitha, ai bëri thirrje të distilohet fjalori publik nga mistifikimet:

"Të mos e quajmë 'mbrojtje' riarmatimin, i cili shton tensionet dhe pasigurinë, pakëson investimet në arsim dhe në shëndetësi, minon besimin në diplomaci dhe pasuron elitat, që nuk interesohen fare për të mirën e përbashkët".

"Të vigjëlohet mbi zhvillimin dhe zbatimin e inteligjencës artificiale në fushat ushtarake dhe civile", vazhdoi Leoni XIV, "që vendimet njerëzore të mos privohen nga përgjegjësia dhe të mos përkeqësohet tragjedia e konflikteve". Ky është një paralajmërim veçanërisht i rëndësishëm në një epokë përshpejtimi të paparë në fushat e kërkimit, që kërkojnë orientim etik, pasi kanë të bëjnë me fatin e njeriut.

  (@Vatican Media)

"Ne jemi dëshirë, jo algoritëm!"

Brenda këtij kuadri plot vëmendje për të mirën e përbashkët dhe për paqen, Papa i ikurajoi të rinjtë, pa i harruar vështirësitë me të cilat përballen. Vështirësi që duhen parë e duhen pranuar, duke i ndihmuar studentët t’i kapërcejnë, në mënyrë që "padrejtësitë e tmerrshme" të botës të mos e mbytin talentin dhe energjinë, ose të mos e shuajnë shpresën. Askush nuk mund t'ua vjedhë të ardhmen të rinjve dhe të rejave, kujtoi Leoni XIV, duke përmendur të kaluarën e tij si student e si mësues. Rëndësi ka, u tha ai të rinjve, të mbahet larg ankthi i nevojës për t’u pëlqyer të tjerëve me çdo kusht, shpesh, në rrënjë të vështirësive të moshës:

“Sot, kjo varet gjithnjë e më shumë nga shantazhi i pritshmërive dhe nga presioni i rendimentit. Është gënjeshtra mbizotëruese e një sistemi të shtrembëruar, i cili i redukton njerëzit në numra, duke e çuar në kulm konkurrencën dhe duke na braktisur në spirale ankthi. Pikërisht kjo sëmundje shpirtërore e shumë të rinjve na kujton se ne nuk jemi shuma e asaj që zotërojmë, as ndonjë materie e grumbulluar rastësisht në një kozmos të heshtur. Jemi një dëshirë, jo një algoritëm!”

  (@Vatican Media)

Kultivimi dhe mbrojtja e drejtësisë

Transformojeni ankthin në profeci: ky është mandati i sotëm i Pasardhësit të Shën Pjetrit, i cili shqetësohet për shëndetin e shtëpisë sonë të përbashkët. Më se dhjetë vjet pas “Laudato si'”, ai nënvizoi se paradigma konsumiste nuk i lë të qeta ndjetet dhe praktikat e mira, të frymëzuara nga enciklika e Papës Françesku. Por është koha për të vepruar:

“Studioni, kultivoni dhe mbroni drejtësinë! Së bashku me mua dhe me kaq shumë vëllezër e motra, jini artizanë të paqes së vërtetë: një paqe të çarmatosur dhe çarmatosëse, të përvuajtur dhe këmbëngulëse, duke punuar për harmoninë midis popujve dhe për mbrojtjen e Tokës”.

  (@Vatican Media)

Mësimdhënia është bamirësi, mikpritje, është të thuash të vërtetën

Dituria nuk është e dobishme vetëm për arritjen e qëllimeve profesionale, por edhe për të kuptuar kush je. Në fund të fjalimit, Leoni XIV iu drejtua pedagogëve. Profesioni i mësuesit, theksoi ai, ka një përgjegjësi që nuk mund të reduktohet në nocione pragmatike.

“Mësimdhënia është një formë bamirësie, ashtu siç duhet të jetë shpëtimi i një emigranti në det, i një të varfri në rrugë, ose i një ndërgjegjeje të dëshpëruar. Bëhet fjalë për të dashur gjithmonë e pa kushte jetën njerëzore, për të vlerësuar mundësitë e saj, në mënyrë që t'u flasë zemrave të të rinjve, pa u mbështetur vetëm në njohuritë e tyre. Mësimdhënia pastaj bëhet dëshmi e vlerave me jetën personale: është kujdes për realitetin, është ndjenja e mikpritjes së asaj që ende nuk është kuptuar, është të thuash të vërtetën”.

14 maj 2026, 12:41