Papa: liturgjia na kërkon ta jetojmë dhe mishërojmë atë që kremtohet

Duke vazhduar ciklin e katekizmit mbi dokumentet e Koncilit të Dytë të Vatikanit, gjatë audiencës së sotme të përgjithshme Papa mbajti katekezën e parë mbi Kushtetutën Sacrosanctum Concilium dhe shpjegoi se “ritualiteti i Kishës shpreh fenë e saj” dhe njëkohësisht “formëson identitetin kishtar”; “shpallja e Fjalës së Zotit, kremtimi i sakramenteve dhe lutja e përbashkët” i inkurajojnë dhe i ripërtërijnë besimtarët “në misionin e tyre”.

R.SH. / Vatikan

Nisi, në audiencën e përgjithshme të 20 majit, në Sheshin e Shën Pjetrit, seria e katekizmave bazuar mbi Kushtetutën e Leonit XIV, kushtuar Liturgjisë së Shenjtë Sacrosanctum Concilium, si pjesë e ciklit mbi dokumentet e Koncilit II të Vatikanit.  Pranë Papës, sot ishte Katolikosi i Kishës Apostolike Armene – Selia e Kilikisë, Arami I, i cili u prit të hënën e kaluar dhe të cilit i drejtoi fjalë mirëseardhjeje.

Të zhytur në Misterin e Krishtit

"Liturgjia në misterin e Kishës", kjo është tema e zgjedhur nga Papa Leoni XIV për të shpjeguar përmbajtjen e dokumentit të parë shpallur nga asambleja ekumenike e Koncilit të II të Vatikanit Sacrosanctum Concilium, që dëshironte ta "ndërmerrte reformën e riteve" liturgjike dhe "ta çonte Kishën drejt soditjes e thellimit... të misterit të Krishtit". Liturgjia prek "zemrën" e misterit të fesë, duke qenë "hapësira, koha dhe konteksti në të cilin Kisha e merr vetë jetën e saj nga Krishti".  

Kur flasim për "misterin e Krishtit", nuk kujtojmë "një realitet të errët", sqaroi Papa Leoni XIV, por "planin shëlbues të Zotit, të fshehur nga amshimi e të  zbuluar në Krishtin". Ja, pra, Misteri i krishterë: ngjarja e Pashkëve, domethënë mundimet, vdekja, ngjallja dhe lumnia e Krishtit, që pikërisht në liturgji u bë sakramentalisht i pranishëm, në mënyrë që sa herë marrim pjesë në asamblenë e mbledhur "në emrin e tij", të zhytemi në këtë Mister.

Bashkimi me Krishtin në liturgji

Krishti, në praktikë, "është parimi i brendshëm i misterit të Kishës", "i popullit të shenjtë të Hyjit", i cili popull "lindi" nga "brinja" e Jezusit shporuar "në kryq", kujton Papa Leoni. Në të vërtetë, në liturgji, Krishti "me fuqinë" e "Shpirtit", "e shenjtëron dhe e shoqëron Kishën, nusen e tij, me ofertën për Atin" dhe "është i pranishëm në Fjalën e shpallur, në Sakramentet, në shërbyesit që kremtojnë, në bashkësinë e mbledhur" e, mbi të gjitha, "në Eukaristi".

Sipas Shën Augustinit, duke kremtuar Eukaristinë, Kisha "merr Korpin e Krishtin dhe bëhet ajo që merr": bëhet Korpi i Krishtit, "banesa e Zotit, përmes Shpirtit". Kjo është "vepra e shëlbimit tonë", e cila na përngjason me Krishtin dhe na ndërton në bashkësi. Në liturgjinë shenjte, kjo bashkësi realizohet "përmes riteve dhe lutjeve".

Kulmi drejt të cilit synon Kisha

Në "ritualitet", Kisha "shpreh fenë e saj", por njëkohësisht, ritualiteti "e formon identitetin kishtar", sqaroi Papa, sepse "Fjala e Zotit e shpallur, kremtimi i Sakramentit, gjestet, heshtjet, hapësira" i përfaqësojnë dhe u japin "formë njerëzve të thirrur nga Ati, Korpi i Krishtit, Tempulli i Shpirtit Shenjt". Prandaj, "liturgjia është në shërbim të misterit të Krishtit", e prandaj dokumenti i Koncilit të II të Vatikanit Sacrosanctum Concilium e përcakton atë si "maja drejt së cilës tenton veprimtaria e Kishës dhe, në të njëjtën kohë, gurra nga e cila rrjedh e gjithë energjia e saj". Çdo "veprimtari" e Kishës - predikimi, shërbimi ndaj të varfërve, shoqërimi në çështjet njerëzore - konvergojnë" në liturgji, që është limfë jetike për besimtarët.

Liturgjia i mbështet besimtarët duke i zhytur gjithnjë e vazhdimisht në Pashkët e Zotit. Prandaj, nëpërmjet shpalljes së Fjalës së Zotit, kremtimit të sakramenteve dhe lutjes së përbashkët, ata rifreskohen, inkurajohen dhe ripërtërihen në angazhimin e tyre ndaj fesë dhe misionit. Me fjalë të tjera, pjesëmarrja e besimtarëve në veprimin liturgjik është njëkohësisht si "e brendshme" ashtu edhe "e jashtme".

Dinamikë etike dhe shpirtërore

Liturgjia krijon "dinamikë etike dhe shpirtërore", shpjegon Papa, e për këtë arsye, "shndërrohet në jetë dhe kërkon ekzistencë besnike, të aftë për ta bërë konkrete, çka u jetua në kremtim".

"Liturgjia çdo ditë i mëson ata që janë në Kishë, si tempull i shenjtë në Zotin" dhe formon një bashkësi të hapur e mikpritëse për të gjithë. Ajo, e banuar nga Shpirti Shenjt, na shoqëron me jetën e Krishtit, na bën Korpin e Tij e, në të gjitha përmasat e saj, përfaqëson një shenjë të uniteti të të gjithë njerëzimit në Krishtin.

Lejo të formësohesh

Në Letrën apostolike Desiderio desideravi mbi formimin liturgjik të Popullit të Zotit, Papa Françesku shkruan se "bota ende nuk e njeh, por të gjithë janë ftuar në festën e dasmës së Qengjit". E, së fundi, kujton Leoni XIV, i fton të gjithë besimtarët ta lejojnë veten të "formohen" në liturgji "nga ritet, simbolet, gjestet e, mbi të gjitha, nga prania e gjallë e Krishtit".

20 maj 2026, 10:42

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >