Papa lutet në vendin e atentatit kundër Gjon Palit II, 45 vjet më parë
R.SH. - Vatikan
Nga e mërkura - në të mërkurë. Nga audienca e përgjithshme - në audiencën e përgjithshme. Dyzet e pesë vjet më parë, në të njëjtin përqafim të Sheshit të Shën Pjetrit ku sot, 13 maj, Papa Leoni XIV kaloi me papamobilin për të përshëndetur besimtarët, paraardhësi i tij, Shën Gjon Pali II, pësoi atentatin, që mbeti i pashlyer në kujtesën e historisë. Në atë vend, që vijon të përkujtohet me një pllakë mermeri të bardhë vetëm pak hapa larg Portës së Bronztë, Leoni, pasi zbriti nga xhipi, eci...më pas u ndal për t'u lutur disa çaste në heshtje para pllakës së vendosur në mes të kalldrëmit. Më në fund, u gjunjëzua dhe e ledhatoi stemën e Karol Józef Wojtyła-s. Një pamje simbolike, që e përkujton atë ngjarje, e që, më shumë se katër dekada më parë, tronditi mbarë botën, e cila u mblodh në lutje për shërimin e shpejtë të Papës. Leoni XIV e kujtoi këtë edhe në përshëndetjet e tij anglisht në fund të katekizmit:
"Sot kujtojmë Zojën tonë të Fatimes. Në këtë ditë, dyzet e pesë vjet më parë, u bë një atentat kundër jetës së Papës Gjon Palit II, ndaj për këto arsye, ia kushtova katekizmin tim sot Virgjërës së Bekuar Mari".
E Zojës sonë, përsëri gjatë përshëndetjeve të tij, Papa ia besoi "britmën për paqe" të popujve të vuajtur nga lufta”.
Model, anëtare e Nënë e Kishës
E Lumja Virgjëra Mari e Fatimës dhe Gjon Pali II: një lidhje aq e thellë, sa Papa polak zgjodhi moton "Totus tuus", duke u frymëzuar nga nëna e Krishtit. Fjalët vazhdojnë rrugën e ndjekur nga katekizmat mbi kushtetutën dogmatike Lumen Gentium, që ia kushtoi kapitullin e fundit Virgjërës, duke e njohur "anëtare të shquar e tërësisht të veçantë të Kishës, figurë e model i shkëlqyer për të në besim dhe bamirësi", thotë Papa Leoni në reflektimin e sotëm.
"Këto fjalë na ftojnë të kuptojmë se si në Marinë, e cila nën veprimin e Shpirtit Shenjt e priti dhe e lindi Birin e Ζotit të ardhur mbi tokë, mund të njohim si modelin, edhe anëtaren e shkëlqyer, ashtu edhe nënën e të gjithë bashkësisë kishtare".
"Besimtare për antonomazi"
Nëna e Jezusit, shpjegoi Papa, është "modeli i përsosur i asaj që duhet të jetë mbarë Kisha". Duke pranuar të formohet nga Hiri e duke e mirëpritur dhuratën e Tejetlartit me besim e dashuri virgjërore, ajo u bë "krijesë e Fjalës së Zotit dhe nënë e bijve të Hyjit, lindur në bindjen e veprimit të Shpirtit". "Besimtare për antonomazi", për më tepër, ofron formën e përsosur të hapjes së pakushtëzuar ndaj misterit hyjnor në bashkësinë e popullit të Ζotit e, prej këndej, "anëtare e shkëlqyer e bashkësisë kishtare".
Së fundmi, për shkak se ajo lind bij në Birin, të dashur në të Dashurin e amshua, që erdhi ndërmjet nesh, Maria është nëna e mbarë Kishës, që mund t'i drejtohet asaj me besim bijnor, me sigurinë se do ta dëgjojë, do ta mbrojë e do ta dojë.
Shprehje e zbritjes dhe e ngjitjes
"Gruaja ikonë e Misterit" është një tjetër përkufizim i ofruar nga Papa për Virgjërën. Nxjerr në pah "konkretësinë historike" të saj si bijë e re e Izraelit, që e jetoi përvojën e jashtëzakonshme për t'u bërë nëna e Mesisë. Është edhe ikonë, sepse në të realizohet "lëvizja e dyfishtë e zbritjes dhe e ngjitjes", duke e bërë të shkëlqejnë "si zgjedhja e lirë e Zotit, ashtu edhe pëlqimi i lirë i besimit në Të".
Maria prandaj, është gruaja - ikonë e Misterit, domethënë e planit hyjnor të shëlbimit, dikur i fshehur, e i zbuluar plotësisht në Jezu Krishtin.
Roli "i veçantë" në Shëlbim
Koncili II i Vatikanit, vijoi Papa, na la një mësim të qartë mbi rolin "e veçantë" të Virgjërës në veprën e shëlbimit. Lumen Gentium kujton se "ndërmjetësi i vetëm i shpëtimit është Jezu Krishti" dhe se nëna e tij "në asnjë mënyrë nuk e errëson e as nuk e zvogëlon këtë ndërmjetësim unik të Krishtit, por përkundrazi, na tregon efikasitetin e tij".
Në të njëjtën kohë, Virgjëra e bekuar, e paracaktuar që prej amshimit në planin e Mishërimit të Fjalës për të qenë Nëna e Zotit, bashkëpunoi në një mënyrë shumë të veçantë në veprën e Shëlbuesit, me bindje, fe, shpresë dhe bamirësi të zjarrtë, për t'u rikthyer jetën mbinatyrore shpirtrave. Për këtë arsye, ajo u bë nëna jonë në rendin e hirit.
Për çka është e thirrur të jetë Kisha
Vetë Kisha dhe misteri i saj mund të pasqyrohen në Marinë, e cila përfaqëson origjinën, modelin e atdheun. Në të, populli i Zotit sodit misterin e vet, duke gjetur në të modelin e fesë virgjërore, bamirësisë amtare dhe besëlidhjes martesore për të cilën është thirrur, "por gjithashtu, e mbi të gjitha, sepse njohin në të arketipin e tyre, figurën ideale të asaj që është thirrur të jetë".
Siç mund të shihet, reflektimet mbi Virgjërën Nënë të mbledhura në Lumen Gentium, na mësojnë ta duam Kishën dhe t'i shërbejmë në të përmbushjes së Mbretërisë së Zotit që vjen dhe që do të realizohet plotësisht në lavdi.
Ta lëmë Marinë të na pyesë
Leoni XIV e përfundoi katekizmin e tij duke ua lënë besimtarëve disa pyetje që kërkojnë përgjigje, me ndihmën e Marisë:
A e jetoj me fe të përvuajtur e aktive anëtarësimin tim në Kishë? A e njoh në të bashkësinë e besëlidhjes që Zoti ma dha për t'ia kthyer dashurinë e tij të pafundme? A ndihem pjesë e gjallë e Kishës, me bindje ndaj barinjve të dhënë nga Zoti? A e shikoj Marinë si model, si anëtare e shkëlqyer dhe nënë e Kishës, dhe a i kërkoj asaj të më ndihmojë për të qenë dishepull besnik i Birit të saj?
Vështrim mbi Shenjtëroren e Fatimes
Në përfundim, gjatë përshëndetjes së tij në gjuhën portugeze, Papa na ftoi të lutemi së bashku:
"T'ia besojmë Zemrës së Papërlyer të Marisë britmën e paqes dhe të harmonisë, që lartohet nga të katër anët e botës, veçanërisht nga popujt e prekur prej luftës", theksoi Papa. Pastaj nxit ta drejtojmë shikimin nga Shenjtërorja e Fatimës, "ku Zoja jonë u dorëzoi tre barinjve të vegjël një mesazh paqeje. Në atë vend, kaq të dashur për Krishterimin, sot mblidhen shtegtarë të shumtë nga të pesë kontinentet: prania e tyre është shenjë e nevojës për ngushëllim, unitet dhe shpresë të njerëzve të kohës sonë".
Gjatë përshëndetjes në italisht, Papa Leoni iu drejtua anëtarëve të Komitetit Koordinues të Komisionit të Përbashkët Ndërkombëtar për Dialogun Teologjik ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishave Ortodokse Lindore, të pranishëm në Romë për takimin studimor dhe planifikues: "Shpresoj që të mund ta vazhdojmë rrugën e nisur më shumë se njëzet vjet më parë".
Kjo shpresë jehoi gëzueshëm në Sheshin, që ushtoi nga duartrokitjet, si të donte ta siguronte Papën se rruga nuk mund të mos vazhdojë...
