Papa: një ekonomi të re për shëndetin e krijimit, në shërbim të jetës
R.SH. – Vatikan
Në “Tokën e zjarreve”, ku bukuria e natyrës është helmuar nga kriminaliteti i asgjësimit të paligjshëm të mbetjeve dhe nga indiferenca, Papa Leoni XIV tregon rrugën e “një ndryshimi të vërtetë të mendësisë ekonomike, civile dhe madje fetare” për të “ndërtuar të mirën që do të shërojë këtë tokë dhe mbarë Planetin”.
Në sheshin e madh Calipari në Acerra të Italisë, ku Papa Françesku do të kishte dashur të kremtonte, në maj të vitit 2020, përvjetorin e pestë të Enciklikës Laudato si’ mbi kujdesin për Shtëpinë e përbashkët, pasardhësi i tij, Papa Leoni XIV bën thirrje për konvertim drejt një ekonomie “më pak individualiste, një sistemi më pak konsumator”, me njerëz dhe ndërmarrje “të cilat kultivojnë ndjenjën e kufirit, dhe jo atë të shkeljes së papërgjegjshme”.
Kështu, në vizitën e tij në Acerra, në zemër të zonës së njohur si “Toka e zjarreve” në Itali, Papa Leoni XIV në fjalën e tij solli një mesazh të fortë shprese dhe përgjegjësie. Ati i Shenjtë Prevost foli për plagët e kësaj toke, të helmuar prej vitesh nga hedhja ilegale e mbetjeve dhe nga indiferenca njerëzore, por njëkohësisht vlerësoi forcën dhe dinjitetin e banorëve që vazhdojnë të luftojnë për jetën dhe drejtësinë.
Papa theksoi se shërimi i kësaj toke dhe i gjithë planetit nuk mund të vijë pa një ndryshim të thellë të mënyrës si njerëzit mendojnë dhe jetojnë. Sipas Leonit XIV, duhet një ekonomi më pak egoiste dhe më pak e përqendruar te konsumizmi, ku njerëzit dhe bizneset të mësojnë të respektojnë kufijtë e natyrës dhe të vendosin jetën e njeriut mbi fitimin.
Duke u frymëzuar nga enciklika Laudato si', Leoni XIV paralajmëroi kundër një zhvillimi teknologjik që kërkon vetëm fitime të mëdha për pak njerëz, duke harruar pasojat mbi njerëzit, punën dhe të ardhmen e tyre. Papa tha se e mira e përbashkët duhet të jetë më e rëndësishme se interesat private dhe se rënia në fatalizëm apo indiferencë vetëm ushqen padrejtësinë dhe kriminalitetin.
Leone XIV bëri thirrje për edukimin e brezave të rinj dhe të të rriturve, duke e konsideruar këtë si çelësin e ndryshimit të vërtetë. Ati i Shenjtë Prevost i ftoi njerëzit të ndërtojnë komunitete më të bashkuara, më gjithëpërfshirëse dhe më solidare, ku të luftohet përjashtimi shoqëror dhe të mbrohen më të dobëtit. Së fundi, Papa kujtoi se bota, toka është shtëpia e përbashkët e të gjithëve dhe se njerëzit janë thirrur të jetojnë së bashku në paqe, duke u kujdesur për njëri-tjetrin dhe për krijimin.
