Papa: mes pengesave dhe harresës, vetëm Zoti mund ta na i shuajë shqetësimet
R.SH. – Vatikan
Të pranojmë dështimet dhe harresat tona ndaj atij Zoti që, "në thellësitë e qenies", e dimë se është i vetmi, në gjendje t’i plotësojë dëshirat tona dhe t’i qetësojë ankthet tona të brendshme. Prandaj, t’i drejtohemi Zotit me guximin e atyre që kërkojnë afërsi, për të realizuar planin e një "bote të re" ku mbretëron paqja dhe uniteti, e një bote të banuar nga një "shumicë njerëzish dhe, njëkohësisht, nga një njeri, sepse megjithëse ka shumë të krishterë, një i vetëm është Krishti". Këto janë disa nga temat e trajtuara nga Papa Leoni XIV në videomesazhin e publikuar sot, 14 maj, me rastin e lutjes ekumenike “Ardhtë Mbretëria Jote” (Thy Kingdom Come).
"Eja, Emanuel"
Emri i veprimtarisë kujton lëvizjen e lindur në vitin 2016 nga një ftesë, bërë Kishës së Anglisë, nga kryeipeshkvijtë e Canterbury-t dhe të York-ut. Me kalimin e viteve, kjo lëvizje është kthyer në një nismë ndërkombëtare, e cila i fton të krishterët e mbarë botës të luten që gjithnjë e më shumë njerëz ta njohin Jezu Krishtin. Papa reflekton pikërisht në këtë drejtim, duke kujtuar thirrjen e Kohës së Ardhjes: "Eja, Emanuel".
“Me urgjencë të madh, kërkojmë që të përmbushet profecia e Isaisë: lindja e Emanuelit, emri i të cilit do të thotë "Zoti është me ne"”.
Guximi i lutjes
Një lutje që bëhet "gjithnjë e më urgjente", për shkak të dëshirës së fuqishme për t'u shëlbuar "nga mëkatet, nga marrëzia jonë dhe nga çdo gjë, që mund të na bëjë keq". Gjithashtu, Papa kërkon praninë e Zotit për të shëruar ç’është thyer brenda nesh e në botë.
“Dëshirojmë që Ai të shërojë ç’është thyer brenda nesh dhe ç’është thyer në botë. Edhe pse e dimë se Zoti është i gjithëpushtetshëm dhe transhendental, jemi gjithsesi mjaft të guximshëm për t'i kërkuar Atij të rrijë vërtet me ne: jo larg, por afër. Jemi mjaft të guximshëm për të thirrur me profetin: "Oh, sikur t’i hapje qiejt dhe të zbrisje!"”
"Zoti është me ne"
"Krishti është gjithçka për ne!" pohon Papa, duke theksuar se në Të gjejmë kuptimin dhe plotësinë e jetës. "Nuk është diçka për të cilën mund të heshtim", vëren ai, por Lajm i Mirë, që duhet përhapur.
“Zoti është me ne, dhe ne që e kemi takuar jemi të thirrur t'u flasim të tjerëve për të”.
Një botë paqeje dhe uniteti
Së fundi, duke kujtuar rëndësinë e lutjes që gjithnjë e më shumë njerëz ta njohin "dashurinë shpëtuese dhe liruese të Hyjit të zbuluar në Jezusin", Leoni XIV përmend predikimin e tij në Vigjiljen e Pashkëve, në Bazilikën e Shën Pjetrit.
“Ashtu si gratë, që vrapuan për t'ua shpallur lajmin vëllezërve dhe motrave të tyre, edhe ne duam të nisemi për t'u çuar të gjithëve lajmin e mirë se Jezusi është ringjallur dhe se me forcën e tij, të ringjallur me Të, edhe ne mund t'i japim jetë një bote të re paqeje dhe uniteti, si "një shumicë njerëzish dhe, njëkohësisht, si një njeri i vetëm, sepse megjithëse ka shumë të krishterë, një i vetëm është Krishti".
