Kërko

Foto nga vizita baritore e Papa Leonit XIV në Universitetin Sapienza, Romë. Foto nga vizita baritore e Papa Leonit XIV në Universitetin Sapienza, Romë.

Universiteti Sapienza i Romës mirëpriti Leonin XIV në shenjën e paqes dhe të dinjitetit njerëzor

Papa vizitoi universitetin kryesor të Romës ku la gjurmë të thella me fjalët e tij për miqësinë mes popujve. Menjëherë u pa qartë se Ati i Shenjtë dhe këshilli akademik i universitetit ishin të një mendjeje rreth temave të çarmatosjes dhe të ndërtimit të një shoqërie më të drejtë, më të hapur kundrejt të mënjanuarve dhe të rinjve të shpërngulur nga lufta. Pikërisht këto ditë, Universiteti Sapienza i Romës mirëpriti një grup studentësh nga Gaza të cilët do të studiojnë këtu.

R.Sh. / Vatikan

Besimtarë dhe jobesimtarë, italianë dhe joitalianë, studentë dhe jostudentë ishin mbledhur që herët në mëngjes, më 14 maj, në Universitetin Sapienza në Romë. Në këtë institucion arsimor, me histori 700-vjeçare, i pari i Romës, dëshironin të dëgjonin e të kuptonin këndvështrimin e Leonit XIV për botën tonë të trazuar nga luftrat, kriza ekonomike, politike, shoqërore dhe shpirtërore.           

"Mendoj se ishte diçka e rëndësishme të vija këtu, pavarësisht nëse e shohim ngjarjen si një ngjarje shpirtërore apo si takim me një kryetar shteti", tha një student mjekësie që priste në radhë për të hyrë në Auditorin e Madh ku do të mbahet takimi. "Pres fjalë paqeje në një botë që është e paaftë të krijojë paqe."

Një student kanadez shprehu të njëjtin kuriozitet dhe shpresë. "Udhëheqësit ndërkombëtarë të sotëm duken pak si karikatura. Ardhja e Papës këtu me siguri do të shërbejë për të përsëritur një mesazh të qartë në lidhje me nevojën për të ndërtuar një lloj pajtimi shoqëror që na duhet kaq shumë." Një ish- profesor i matematikës, tashmë në pension, kishe ardhur prap në këtë universitet për të shprehur falënderimet e tij për "Papën Amerikan", nga i cili pret fjalë për harmoni midis popujve.

Vitet e universitetit le të jenë vite takimi me Zotin

"Duhet të lëmë gjurmën e Tij në gjithçka që jemi", qenë fjalët e Papa Leonit ndërsa përshëndeste afërsisht 300 njerëzit e pranishëm në kapelën e universitetit. "Mbi të gjitha si bij dhe bija të Zotit, krijesa të krijuara sipas shëmbëlltyrës së Tij, por edhe sipas krijimit të Tij", vazhdoi ai, duke theksuar se "është Zoti që na e ka dhënë këtë krijim të mrekullueshëm, këtë botë, të gjithëve ne". "Kushdo që kërkon të vërtetën, në fund të fundit kërkon Zotin", tha Papa Leoni duke cituar një shprehje të Edith Stein-it – Shën Terezës Benedikta të Kryqit.

«Kjo periudhë studimesh që ju përjetoni në këtë universitet le të jetë me të vërtetë për të gjithë ju një takim me Zotin dhe me bukurinë e jetës.»

  (@Vatican Media)

Afërsia me studentët në zonat e luftës

Sapo hyri në kapelë, Papës iu afruan dy studentë të Fakultetit të Letërsi-Filozofisë. Ata ishin Mario Soldaini dhe Leonardo Tosti, redaktorë të librit "Britma e tyre është zëri im. Poezi nga Gaza" (Fazi, 2025). Ky libër ka mbledhur  200.000 euro për veprimtaritë e organizatës «Emergency» në Rripin e Gazës. Dy djelmoshat i dhuruan një kopje Papës, dhe ndërsa Papa dilte prej auditorit përsëritën ftesën e tyre: "Lexojeni atë libër, Atë i Shenjtë!"

Në Universitet, tema luftës është bërë gjithnjë e më e pranishme në debate dhe takime kulturore. Janë nisur projekte konkrete solidariteti për bashkëmoshatarët në vendet në luftë të cilëve u mohohet e drejta për arsim. Të martën e kaluar, për shembull, katër të rinjtë e parë palestinezë mbërritën në Romë falë marrëveshjes së nënshkruar shkurtin e kaluar midis Universitetit Sapienza të Romës, Dioqezës së Romës dhe Bashkësisë së Shën Egjidit. Studentët, tri vajza dhe një djalë, do të ndjekin programe studimi anglisht në Sapienza, do të qëndrojnë në rezidencat universitare të vëna në dispozicion nga Dioqeza dhe do të ndjekin kurset e gjuhës dhe të kulturës italiane që ofron Bashkësia e Shën Egjidit.

Projektet për mirëpritjen e studentëve palestinezë

Ky është një hap i mëtejshëm përpara në procesin e kujdesit për studentët dhe studentet palestineze duke u dhënë bursa dhe duke zbatuar projekte për mikpritjen e tyre, thotë Rektorja Antonella Polimeni, gruaja e parë që drejton Universitetin. Ideja është të mirëpriten edhe të tjerë që po kalojnë nëpër vende të tjera. Universiteti do t'i mbështesë ata gjatë gjithë studimeve të tyre me udhëzime dhe leksione akademike. Do t’u garantohet kujdesi shëndetësor dhe do t’u ofrohet ndihmë dhe shërbime, përfshirë këtu Qendrën e Këshillimit Universitar. Dioqeza e Romës do t'i presë të gjithë studentët falas në rezidencat universitare, që nga mbërritja e tyre në Itali deri në mars 2029, me mundësinë e 12 muajve shtesë për mbrojtjen e diplomës. Gjithashtu do të marrë pjesë aktive në ofrimin e udhëzimeve për veprimtaritë joakademike dhe bashkërendimin e nismave për përfshirjen e tyre në shoqërinë italiane, edhe përmes Kapelanisë së  Universitetit Sapienza.

Një qendër e shkëlqyer studimesh, me traditë çmimesh Nobel

Sapienza është universiteti kryesor në botë në «Classics & Ancient History» – për studimet klasike dhe historinë e lashtësisë dhe ndër 10 më të mirët për Arkeologjinë dhe Historinë e Artit. Vitin e kaluar, u rendit i pari midis universiteteve të përgjithshme italiane. Ka mbi 125,000 studentë, më shumë se 3,500 docentë, më shumë se 2,500 vetë staf administrativ, teknik dhe bibliotekar, dhe afërsisht 1,000 administratorë spitalesh; 58 departamente, 44 biblioteka. Dhjetë fitues të Çmimit Nobel kanë dhënë mësim këtu, duke marrë këtë çmim prestigjioz, veçanërisht në disiplinat shkencore. Ndër ta spikat fizikanti Guglielmo Marconi, ndërsa i fundit që e mori këtë çmim në vitin 2021 qe Giorgio Parisi.

  (@Vatican Media)

Rektorja: Angazhimi i palodhur i Papës për unitetin midis popujve na jep zemër

"Jehonat dhe pasojat e luftërave na thërrasin për reflektim mbi vlerat e kërcënuara, të poshtëruara dhe të harruara, por thelbësore për ne si: liria, paqja, demokracia dhe solidariteti", u shpreh Rektorja Antonella Polimeni në përshëndetjen e saj në Auditorin e Madh, ku Papa mban fjalimin e tij pasi vizitoi Sapienzën dhe ekspozitën në hapësirat e Universitetit. Më tej, ajo citoi Shën Augustinin, "Ne jemi si koha jonë. Si jemi ne, ashtu është koha jonë!", i cili na nxiti të mos ankohemi për kohët e liga, por të përmirësohemi për t'i bërë ato më të mira. "Prania e Papës këtu sot, angazhimi i tij i palodhur për unitetin midis popujve, na jep zemër", tha Rektorja Polomeni, "na jep besim dhe na nxit të forcojmë më tej angazhimin tashmë të fortë të Sapienzës për të ndërtuar shtigje dialogu dhe rrahje mendimesh".

Rimëkëmbja nga pandemia, pushtimi rus i Ukrainës, ringjallja e konfliktit në Lindjen e Mesme, rritja e intolerancës dhe e diskriminimit në Itali dhe në shoqëri të tjera evropiane, për të mos përmendur format e reja të pabarazisë që kanë lindur nga qasja e pabarabartë dhe e padrejtë në algoritme dhe teknologji të reja, na nxisin, tha rektorja në përshëndetjen e saj, për zhvillimin e mëtejshëm të "përgjegjësisë sociale". Nuk ka njohuri pa paqe," pohon ajo, "sepse njohuria lind nga dialogu, nga aftësia për të ndarë ide, për të sprovuar hipoteza dhe për të parë tek tjetri jo një kundërshtar që duhet mposhtur, por një bashkëudhëtar me të cilin të ndërtohen dhe të vlerësohen bindjet e përkohshme."

  (@VATICAN MEDIA)

Të rinjtë kanë vërtet dëshirë për jetën e shpirtit

Me kërkesë të rektores, disa përfaqësues të shërbimit shëndetësor të spitalit «Umberto I», që bën pjesë në Universitet, qe gjithashtu e pranishme në këtë takim me Papën. Me ta ishin edhe studentë nga 24 profilet e kujdesit shëndetësor. Dëshira për të përfshirë ata që kujdesen çdo ditë për njerëzit më në nevojë u pa qartë në këtë pikë. Sepse arsimi nuk ka të bëjë vetëm me shpërndarjen e njohurive, por edhe me zhvillimin e të gjithë personit. Ky është pikërisht mesazhi i Ungjillit, mësimi i Kishës dhe ajo që Papa Leoni erdhi t’u kujtonte të gjithëve.

Në kapelën e Universitetit, ku Papa u përqendrua në lutje, qe edhe një grup etërish jezuitë, mes të cilëve gjendeshin edhe ata që për vite me radhë kanë shoqëruar të gjithë studentët dhe studentet që dëshironin të bisedonin me dikë apo që dikush t’i dëgjonte çfarë kishin për të thënë.

"Sipas meje, ajo që ka tërhequr kaq shumë të rinj të vijnë këtu sot", shpjegoi Atë Giancarlo Pani, jezuit i cili ka shërbyer në këtë kapelë për 34 vjet, "është mënyra se si Papa flet për paqen dhe mënyra se si është i përkushtuar për të arritur paqen, me të gjitha vështirësitë që paraqet kjo ndërmarrje. Të rinjtë e vënë re këtë; ata janë në gjendje ta kuptojnë këtë guxim. Dhe më bëri përshtypje, sapo hyra, gjunjëzimi i tyre para tabernakullit. Nuk është vetëm pamja e jashtme te këta të rinj. Ata tërhiqen vërtet nga Shpirti Shenjt. Dëshirojnë vërtet një përvojë të brendshme shpirtërore." Kjo u duk këtë mëngjes nga duartrokitjet e zgjatura ndërsa makina papnore kalonte nëpër rrugët e qytetit studenti, dhe kur Papa theksoi rrezikun e riarmatimit botëror. Shpresa dhe aktivizmi i të rinjve janë të forta dhe shprehen në dhjetëra nisma: nga marrëveshja me Universitetin e Betlehemit deri te koncerti i organizuar të hënën e kaluar në këtë auditor, ku morën pjesë muzikantë nga konservatori «Magnificat» i Jeruzalemit dhe shkolla e muzikës «Scampia».

  (@Vatican Media)

Dhuratat që u shkëmbyen, një urë lidhëse me Lindjen e Mesme

Një model bashkëpunimi ndërkombëtar i bazuar tek ekuilibri institucional, rigoroziteti shkencor dhe respekti për traditat e ndryshme. Këto cilësi përmbledh në vetëvete dhurata që iu bë Papës: riprodhimi i një shembulli të rrallë epigrafik në greqisht me një citat nga një fragment nga Ungjilli i Lukës, kapitulli 23, verseti 42: Μνήσθητί μου, Κύριε, ὅταν ἔλθῃς ἐν τῇ βασιλείᾳ σου “O Zot, le të bjerë ndërmend për mua kur të hysh në mbretërinë tënde”.

Mbishkrimi, që daton midis gjysmës së dytë të shekullit V dhe mesit të shekullit VI, u zbulua në Varrin e Shenjtë në Jeruzalem, në një vend që lidhet me zonën e Kryqëzimit. Kjo dhuratë, e krijuar nga laboratori «Officine museali Polo museale Sapienza Cultura», ishte vendosur në një kuti druri ulliri të punuar me dorë nga artizanët e Sapienzës. Që prej vitit 2022, Universititeti Sapienza, me ftesë të bashkësive fetare që mbarështojnë atë Bazilikë, merr pjesë në një projekt kërkimor dhe gërmimesh arkeologjike në Varrin e Shenjtë.

Ndërsa largohej nga mjediset e këtij universtiteti, në shkallët e Auditorit të Madh, kumboi prap thirrja e Papës:

«Kini gjithmonë shpresë te mundësia e ndërtimit të një bote të re! Faleminderit që gjendeni këtu dhe mirupafshim!»

15 maj 2026, 11:11