Kërko

Leoni: në gjurmët e Shën Pjetrit dhe Shën Palit, të ndërtojmë unitetin

Në Bazilikën e Vatikanit, Leoni XIV kryeson sot, 29 qershor, Meshën për solemnitetin e dy shenjtorëve pajtorë të qytetit dhe të dioqezës së Romës, me vendosjen e pallium për akryeipeshkvij të rin mitropolitë — petku liturgjik që shpreh angazhimin e çdo bariu "për të marrë mbi supet e veta" grigjën e Zotit. Në homeli, ftesa për bashkim në Kishë, që "nuk ndërtohet duke u ngurtësuar në pozicionet personale, por duke kërkuar, në zemrat e të gjithëve, pikat e takimit në të Vërtetën"

Vatican News

Në Solemnitetin e Shenjtërve Pjetër dhe Pal, mbrojtës qiellor të qytetit dhe dioqezës së Romës, Papa kremtoi Meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit, gjatë së cilës u zhvillua edhe riti tradicional i dorëzimit të palliumeve për 35 kryeipeshkvij të rinj metropolitë të ardhur nga vende të ndryshme të botës. Në homelinë e tij, Ati i Shenjtë Leoni XIV i ftoi besimtarët të ndjekin shembullin e dy apostujve, duke u bërë ndërtues të unitetit, shërbëtorë të së vërtetës dhe dëshmitarë të dashurisë së Krishtit.

Duke iu drejtuar kryeipeshkvijve të rinj metropolitë, Papa shpjegoi se simboli i pallium, i endur me leshin e qengjave, nuk është vetëm një shenjë e bashkimit me Selinë Apostolike, por mbi të gjitha simbolizon përgjegjësinë e bariut për të mbajtur mbi supe popullin e Zotit që i është besuar. Ky shërbim, tha Ati i Shenjtë, kërkon gatishmëri për të dhuruar energji, kohë, mundime e madje edhe jetën, në mënyrë që Ungjilli të arrijë tek të gjithë dhe bota të gjejë në Krishtin harmoninë dhe paqen.

Në qendër të homelisë ishte figura e Shën Pjetrit, të cilin Papa e paraqiti si rojtar të bashkimit në Kishë. Duke kujtuar episodet kryesore të jetës së apostullit – nga thirrja pranë Liqenit të Galilesë, rrëfimi i fesë në Jezu Krishtin në Cezare, mohimi dhe pendesa, deri te martirizimi në Romë – Papa vuri në dukje se madhështia e Pjetrit nuk qëndronte në përsosmërinë e tij, por në aftësinë për të njohur gabimet, për t'u penduar dhe për t'i qëndruar besnik misionit të besuar nga Krishti.

Duke u ndalur te simboli i çelësave të Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë Prevost theksoi se ata nuk shërbejnë për të mbyllur dyert, por për t'i hapur ato. Edhe bashkimi në Kishë, tha Leoni, nuk ndërtohet duke u ngurtësuar në bindjet personale, por duke kërkuar në zemrën e secilit pikat e takimit në të Vërtetën, e cila i bën njerëzit të ecin së bashku dhe të rriten në dashuri.

Papa kujtoi se ky mision nuk u përket vetëm Pjetrit dhe pasardhësve të tij, por çdo të krishteri dhe i ftoi besimtarët të dëgjojnë me vëmendje, të dallojnë frymëzimet e Shpirtit Shenjt, të korrigjojnë me dashuri, të inkurajojnë dhe të shoqërojnë njëri-tjetrin në rrugën e fesë, duke e vendosur gjithmonë Zotin në qendër të jetës.

Në pjesën e dytë të homelisë, Papa ndaloi te figura e Shën Palit, apostullit të popujve, i cili u shndërrua nga përndjekës i të krishterëve në predikues të palodhur të Ungjillit. Ati i Shenjtë theksoi se fuqia e Fjalës së Zotit e ndryshoi rrënjësisht jetën e Palit, duke e larguar nga dhuna dhe duke e udhëhequr në rrugën e dashurisë, deri në dëshminë supreme të martirizimit në Romë.

Në përfundim, Papa Leoni XIV i ftoi besimtarët të ecin në rrugën e bashkimit sipas shembullit të Shenjtërve Pjetër dhe Pal, duke iu lutur që ndërmjetësimi i tyre ta ndihmojë Kishën të jetojë gjithnjë e më shumë në bashkim, sipas dëshirës së Krishtit, i cili u lut që të gjithë të jenë një. Ai përshëndeti gjithashtu delegacionin e Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës, duke ripohuar rëndësinë e dialogut dhe të ecjes së përbashkët drejt unitetit të plotë të të krishterëve.

29 qershor 2026, 11:10