Kërko

Pallati Lateranit, selia e Vikariatit të Romës Pallati Lateranit, selia e Vikariatit të Romës

Leoni XIV përditëson Kushtetutën e Vikariatit të Romës

Ndryshimet kanë të bëjnë kryesisht me drejtimin e Vikariatit: konfirmohet roli i Kardinalit Vikar, ndërsa koordinimi i zyrave dhe i strukturës administrative i besohet figurës së "Moderator curiae".

Vatican News

Tre vjet pas reformës së Vikariatit të Romës, të ndërmarrë nga Papa Françesku, Papa Leoni XIV ndërhyn me Motu Proprio-n Confirma Fratres Tuos për të përditësuar Kushtetutën Apostolike In Ecclesiarum Communione.

Në dokument, Papa kujton misionin që Krishti ia besoi Pjetrit – «Forcoji vëllezërit e tu në fe» (Lk 22,32) – dhe nënvizon rolin e veçantë të Kishës së Romës, e cila është e thirrur ta bëjë të dukshme bashkimin kishtar që buron nga shërbesa e Pjetrit. Në këtë këndvështrim, Ati i Shenjtë thekson se edhe strukturat kishtare duhet të orientohen vazhdimisht drejt misionit dhe shërbimit ndaj Popullit të Zotit.

Kjo ndërhyrje lindi pikërisht nga kjo nevojë. Pas hyrjes në fuqi të In Ecclesiarum Communione në janar të vitit 2023, përvoja baritore dhe administrative e Vikariatit të Dioqezës së Romës nxori në pah disa aspekte që kërkonin rishikim. Për këtë arsye, më 25 shkurt të këtij viti, Papa urdhëroi krijimin e një grupi të posaçëm pune, të ngarkuar me shqyrtimin e legjislacionit në fuqi dhe me propozimin e përditësimeve të nevojshme.

Parimet themelore që udhëhoqën reformën e Vikariatit, të promovuar nga Papa Françesku, mbeten të pandryshuara, duke filluar nga përmasa misionare dhe sinodale e Kishës së Romës. Ndër risitë më të rëndësishme është formulimi më i qartë i parimit të bashkëpërgjegjësisë së besimtarëve, të cilët janë të thirrur të marrin pjesë, sipas thirrjes dhe karizmave të tyre, në jetën dhe misionin e bashkësisë kishtare.

Ndryshimet prekin mbi të gjitha drejtimin e Vikariatit. Kushtetuta e re thjeshton dhe qartëson ndarjen e përgjegjësive ndërmjet organeve të ndryshme. Konfirmohet roli i Kardinalit Vikar si drejtues i Vikariatit dhe gjykatës i zakonshëm i Dioqezës së Romës, ndërsa koordinimi i zyrave dhe i strukturës administrative i besohet figurës së Moderator curiae, i emëruar nga Ati i Shenjtë për një mandat pesëvjeçar.

Gjithashtu saktësohen disa dispozita që lidhen me Zëvendësregjentin, ipeshkvijtë ndihmës, si edhe procedurat për emërimin e famullitarëve dhe zëvendësfamullitarëve.

Një kapitull tjetër i Kushtetutës i kushtohet organeve të pjesëmarrjes dhe konsultimit. Këshilli Ipeshkvnor ripërcaktohet si një organ i përhershëm këshillimor, i thirrur të shoqërojë Kardinalin Vikar në çështjet kryesore baritore dhe administrative. Gjithashtu, rregullimi i organeve të tjera dioqezane është bërë më i thjeshtë dhe më funksional.

Nga ana tjetër, mbetet në thelb i pandryshuar organizimi i Zyrave dhe Shërbimeve, i vendosur me reformën e vitit 2023. E njëjta gjë vlen edhe për Gjykatat e Vikariatit të Dioqezës së Romës, funksionimi i të cilave nuk pëson ndryshime.

Ndërkohë, rishikohet rregullorja e Komisionit të Pavarur të Mbikëqyrjes. Kushtetuta konfirmon rolin e tij si organ i kontrollit të brendshëm, ndërsa përcaktimi i hollësishëm i kompetencave dhe mënyrës së funksionimit i lihet një rregulloreje të veçantë.

Qëllimi mbetet ai i reformës së vitit 2023: ta bëjë Vikariatin e Dioqezës së Romës një instrument gjithnjë e më të aftë për të mbështetur misionin ungjillëzues të Kishës, për të forcuar bashkimin kishtar dhe për të shoqëruar jetën baritore të Dioqezës së Romës.

 

30 qershor 2026, 11:31