Leoni XIV: Shën Pjetri dhe Shën Pali, shembull i uniteti dhe shërbimi ndaj Kishës
Vatican News
Gjatë Meshës Solemne të kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, me rastin e Festës së Shenjtorëve Pjetër dhe Pal, Papa Leoni XIV vuri në qendër të homelisë së tij thirrjen për unitet, besnikëri ndaj Ungjillit dhe shërbim ndaj Kishës, duke paraqitur dy apostujt si modele për çdo të krishterë.
Ati i Shenjtë kujtoi se Shën Pjetri u zgjodh nga Jezusi për të udhëhequr popullin e Hyjit dhe për të ruajtur bashkimin e Kishës. Leoni XIV theksoi se, megjithëse Pjetri njohu dobësinë dhe gabimet e tij, ai u pendua sinqerisht dhe mbeti besnik ndaj misionit të besuar nga Jezusi deri në martirizim në Romë.
Papa shpjegoi gjithashtu simbolikën e çelësave të Shën Pjetrit, duke nënvizuar se ata përfaqësojnë detyrën për të hapur rrugët e dialogut, pajtimit dhe bashkimit, e jo për të ngritur ndarje mes njerëzve.
Duke ndalur te figura e Shën Palit, Leoni XIV kujtoi shndërrimin e tij të jashtëzakonshëm nga përndjekës i të krishterëve në apostull të palodhur të Ungjillit. Papa theksoi se fuqia e Fjalës së Hyjit e ndryshoi jetën e Palit, duke e bërë dëshmitar të dashurisë së Krishtit deri në flijimin e jetës.
Gjatë homelisë, Papa ftoi të gjithë besimtarët të bëhen ndërtues të unitetit, duke jetuar në të vërtetën dhe dashurinë, sipas shembullit të dy apostujve.
Në të njëjtën kremtim u zhvillua edhe ceremonia tradicionale e dorëzimit të simbolit të pallios për Kryeipeshkvijtë e rinj Metropolitë, që simbolizon përgjegjësinë baritore dhe përkushtimin për t’i shërbyer popullit të Hyjit.
Në përfundim, Papa Leoni XIV përshëndeti Delegacionin e Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës, të dërguar nga Patriarku Bartolomeu, dhe ftoi besimtarët të luten që Shenjtët Pjetër dhe Pal ta udhëheqin Kishën në rrugën e bashkimit, harmonisë dhe paqes.
