"Papa Leoni në Romë", më 1 korrik dokumentari mbi vitet e Prevost në Qytetin e Amshuar
Vatican News
Pas León de Perú dhe Leo from Çikago, Radio Vaticana - Vatican News publikon "Leoni në Romë", dokumentar i ri që ndjek gjurmët e viteve të kaluara nga Robert Francis Prevost, tani Papa Leoni XIV, në Qytetin e Amshuar, Romën. Përfshin afërsisht njëzet vjet prej mbërritjes së tij në Itali nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin 1981, deri në dy mandatet: nga kreu i Urdhrit të Shën Augustinit, deri në emërimin e tij si Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Ipeshkvijtë dhe krijimin kardinal në vitin 2023.
Vite studimesh, miqësish, udhëtimesh, ekskursionesh, takimesh, tubimesh, shtegtimesh e pune. Gjithçka e treguar përmes soditjeve, pamjeve të papara dhe zërave të bashkëpunëtorëve, studentëve të tjerë, miqve të vjetër, anëtarëve të Urdhrit Augustinian dhe Dikasterit për Ipeshkvijtë.
Në Romë Leoni XIV e përfundon kështu udhëtimin e medias së Vatikanit për t’u zhytur më thellë në figurën dhe jetën e Papës, që filloi me dokumentarin León de Perú, publikuar në qershor 2025 mbi vitet e misionit në vendin e Amerikës së Jugut, dhe vazhdoi me Leonin nga Çikago, publikuar në nëntor, mbi rrënjët amerikane të Prevost.
Është prodhim i Drejtorisë Editoriale të Dikasterit të VAtikanit për Komunikimin Shoqëror. U drejtua nga gazetarët Felipe Herrera-Espaliat, Salvatore Cernuzio dhe Tiziana Campisi, me redaktim nga Jaime Vizcaíno Haro dhe Stefano Anella.
Në orën 18:00 (ora e Romës) të mërkurën, më 1 korrik, dokumentari do të publikohet në kanalin YouTube Vatican News, fillimisht në tri gjuhë (anglisht, italisht dhe spanjisht), dhe do të shpërndahet edhe në mediat ndërkombëtare, me kërkesë.
Për gazetarët e akredituar në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, është planifikuar një shfaqje paraprake të mërkurën, në orën 17:00, në Bibliotekën e Filmit të Vatikanit.
