Kërko

Leoni XIV: të jemi ndërtues të unitetit dhe të dashurisë për një botë në harmoni

Gjatë homelisë së Meshës së kremtuar në Solemnitetin e dy Apostujve, Ati i Shenjtë Prevost theksoi se jeta e tyre mbetet një model për çdo të krishterë. “Për ne është e rëndësishme sot të shohim këta dy Shenjtorë – Pjetrin dhe Palin – për të kuptuar se si të bëhemi edhe ne apostuj dhe ndërtues të unitetit, shërbëtorë bujarë të së vërtetës në dashuri”, tha Papa.

Vatican News

Papa Leoni XIV u bëri thirrje besimtarëve të jenë ndërtues të unitetit dhe të dashurisë, duke marrë shembull nga Shenjtët Pjetër dhe Pal Apostuj. Gjatë homelisë së Meshës së kremtuar në Solemnitetin e dy Apostujve, Ati i Shenjtë Prevost theksoi se jeta e tyre mbetet një model për çdo të krishterë.

“Për ne është e rëndësishme sot të shohim këta dy Shenjtorë – Pjetrin dhe Palin – për të kuptuar se si të bëhemi edhe ne apostuj dhe ndërtues të unitetit, shërbëtorë bujarë të së vërtetës në dashuri”, tha Papa.

Duke iu referuar ritit tradicional të dorëzimit të simbolit të pallium për Kryeipeshkvijtë e rinj Metropolitë, sot ishin 35 të ardhur nga vende të ndryshme, Papa nënvizoi se kjo ceremoni shpreh misionin e çdo bariu të Kishës, por edhe të çdo të krishteri.

“Pallium, punuar me lesh të bardhë dhe stolisur me kryqe, simbolizon angazhimin për të mbajtur mbi supe vëllezërit dhe motrat që u janë besuar, si qengja të grigjës së Zotit, duke u kushtuar atyre energji, kohë, mund dhe, nëse është e nevojshme, edhe vetë jetën”, theksoi Ati i Shenjtë Leoni XIV.

Papa përfundoi duke kujtuar se qëllimi i këtij shërbimi është që Ungjilli të arrijë te të gjithë njerëzit dhe që mbarë bota të gjejë në Krishtin harmoninë, pajtimin dhe paqen.

29 qershor 2026, 10:23