Papa: të investohet në arsimimin e të varfërve dhe migrantëve për të nxitur integrimin
Vatican News
Nëpër shkolla, ne mësojmë dhe rritemi përmes historive. Dhe shpesh, përvojat dhe këndvështrimet më pasuruese nuk vijnë nga rrugët më të drejtpërdrejta, por nga ata njerëz që pothuajse gjithmonë i gjejnë shkollat të mbyllura për ta. Po flasim për emigrantët, refugjatët dhe të varfërit.
Papa Leoni XIV, duke u takuar këtë mëngjes, më 25 qershor, me drejtorët e kolegjeve dhe të universiteteve jezuite në Amerikën e Veriut, foli për një investim me potencial të madh: t’u jepet mundësia kategorive më në nevojë për të "përfituar një kurs studimesh të përparuara". Ky gjest nuk ka të bëjë vetëm me përfshirjen, por edhe me një shkëmbim të ndërsjellë dhuratash. Kështu, ata do të jenë në gjendje të "integrohen më plotësisht në shoqëritë ku jetojnë, si dhe të pasurojnë bashkësinë studentore në tërësi", të përbërë nga të rinj tek të cilët ndihet një "uri e prekshme dhe në rritje për Zotin".
Sfidat e "ndryshimeve epokale" të sotme
Audienca, mbajtur në Sallën e Koncistorit, trajton sfidat e shumta të "ndryshimeve epokale" të sotme. Një shoqëri, ajo në të cilën funksionojnë universitetet, të cilën Papa e përshkruan si gjithnjë e më të laike, në të cilën shumëkush "kërkon të zhdukë çdo përmendje të Zotit nga sfera publike dhe kultura popullore".
Politika nuk i jep përgjigje klithmës të të mënjanuarve, të rinjtë nuk dinë më si të shpresojnë, mjedisi po rrënohet nga interesa të veçanta dhe ndërgjegjësimi për ndikimin e inteligjencës artificiale – e bashkë me të edhe rreziku që sjell – po rritet dita-ditës.
Prapaseprap, kjo tablo e ndërlikuar mund të merret në shqyrtim nëpërmjet zbatimit të katër përparësive universale apostolike të Urdhërit të Etërve Jezuitë, të konfirmuara nga Papa Françesku në vitin 2019. Nga ana e vet, Papa Leoni i analizon këto në dritën e sfidave të tashme me të cilat përballet arsimi i lartë.
Kush studion kërkon Zotin
E para, "dëftimi i rrugës drejt Zotit nëpërmjet Ushtrimeve Shpirtërore dhe gjykimit", është në harmoni me angazhimin akademik, siç theksoi Ipeshkvi i Romës gjatë vizitës së tij baritore në Universitetin Sapienza.
Ata që kryejnë kërkime, ata që i përkushtohen studimit dhe ata që kërkojnë të vërtetën, në fund të fundit, po kërkojnë Zotin, pavarësisht nëse e kuptojnë apo jo.
Prandaj, nëpërmjet komunitetit akademik që të rinjtë mund t'i përgjigjen "urisë së tyre në rritje për Zotin", pasi shumë prej tyre, siç u vu re gjatë vigjiljes së lutjes në Barcelonë gjatë udhëtimit të fundit apostolik në Spanjë, po rizbulojnë besimin e krishterë, ndonjëherë pasi janë larguar nga Zoti.
Në këtë mënyrë, anëtarët e bashkësive tuaja akademike mund të jenë në gjendje të zhvillojnë një takim personal me Zotin tonë dhe të kërkojnë lirisht t'i shërbejnë Atij në jetën e tyre të përditshme.
Të jepen mjetet për ndryshimin
Përparësia e dytë, "të ecësh bashkë me të varfrit dhe të mënjanuarit e botës", hyn te programi i një lloj arsimi që e ka me detyrë të mësojë cilat janë padrejtësitë që përjetojnë ata që jetojnë në qoshet e shoqërisë. Të hedhësh dritë mbi këto padrejtësi do të thotë t'u ofrosh brezave të rinj mjete efektive për të nxitur ndryshimin e sistemit, bazuar te solidariteti dhe tek e mira e përbashkët.
Është gjithashtu e rëndësishme t'u ofrohen emigrantëve, refugjatëve dhe atyre me status më të ulët shoqëror dhe ekonomik mundësi për të përfituar nga studimi i përparuar. Në këtë mënyrë, ata do të jenë në gjendje të përfshihen plotësisht në shoqëritë ku jetojnë dhe të pasurojnë bashkësinë studentore me përvojat dhe këndvështrimet e tyre të larmishme.
Të ushqehet vrulli rinor
Përparësia e tretë, "të shoqërohen të rinjtë në krijimin e një të ardhmeje shprese". Ky parim kujton rolin e universiteteve në kultivimin e idealizmit dhe të entuziazmit të studentëve, tipik për fillimin e karrierës së tyre akademike. Ky çast duhet lënë të zhvillohet nëpërmjet gjykimit kritik të mendimtarëve dhe studiuesve të mëdhenj të së kaluarës dhe të së tashmes, për të "sjellë një ndjenjë shprese dhe premtimin e asaj që mund të ndryshojë për mirë".
Vazhdoni të kultivoni atë ndjenjë shprese midis anëtarëve të bashkësive tuaja përmes mundësive për dialog, shërbim dhe lutje, duke kujtuar gjithmonë se ringjallja e Krishtit është burimi përfundimtar i shpresës sonë dhe se me Të gjithçka është e mundur.
Ruajtja e mjedisit dhe e njerëzimit
Në fund, vlera e katërt është të ketë bashkëpunim për kujdesjen që duhet treguar kundrejt krijimit. Papa nxit që të ngulet këmbë në këtë drejtim, duke ndërtuar bashkësi që janë shembuj të qëndrueshmërisë ekologjike, thjeshtësisë dhe mirënjohjes për dhuratat e Zotit, duke edukuar nëpërmjet shembullit, si edhe mësimdhënies teorike.
Këtyre sa u thanë më lart, u shtohet edhe një reflektim përfundimtar mbi ndikimin e inteligjencës artificiale, e cila, siç tregohet në enciklikën «Magnifica Humanitas», çel horizonte të reja dhe ende të paparashikueshme deri diku. Prandaj, universitetet kanë detyrën thelbësore të shqyrtojnë natyrën e dyfishtë të kësaj lloj inteligjence, duke propozuar rishtas parimet e Doktrinës Shoqërore të Kishës, në mënyrë që këto parime të mbeten "të rëndësishme për të tashmen dhe efektive" përballë revolucionit dixhital.
