Kërko

2025.08.17 Saluto di Papa Leone XIV al Pranzo con i Poveri

Borgo Laudato Si': Papa do të drekojë me 200 të varfër nga Dioqeza e Romës më 11 korrik

Nisma e organizuar në Kopshtet e Castel Gandolfos titullohet "Dreka me Papën". Synon të përsërisë një përvojë afërsie e miqësie, që nga gushti 2025, kur Papa drekoi në Albano me njerëz që kalonin çaste të vështira. Më 11 korrik është në program edhe një kremtim eukaristik e një turne e udhëhequr në territorin e Vilave Papnore. Kardinali Baggio: "Kisha është e thirrur të banojë në vende ku dinjiteti njerëzor kërkon dëgjim e shpresë"

Vatican News

Të shtunën, më 11 korrik, afërsisht 200 vetë me gjendje të vështirë shoqërore nga Dioqeza e Romës, do të marrin pjesë në ngjarjen "Dreka me Papën", ditë mirëseardhjeje dhe shoqërie në Borgo Laudato Si', në Kopshtet Papnore të Castel Gandolfos. Programi përfshin kremtimin Eukaristik me Liturgjinë e Ruajtjes së Krijimit, një seancë mirëseardhjeje dhe freskimi, një turne me prijës në Borgo Laudato si' dhe, së fundi, një drekë të përbashkët me Papën Leoni XIV.

Çdo vit të varfrit e një dioqeze, në drekë me Leonin XIV

Nisma buron nga përvoja e 17 gushtit 2025, kur Papa drekoi me njerëz që jetonin në varfëri, në dioqezën e Albanos. Nga kjo përvojë, lindi një takim vjetor, organizuar nga Qendra Laudato si', që kujdeset për zhvillimin e projektit Borgo Laudato si'. Çdo vit, një dioqezë do të ftohet të angazhojë njerëz që jetojë në varfëri, refugjatë, migrantë dhe grupe të tjera, e t’u dhurojë një ditë të stolisur me bukurinë e krijimit dhe me mundësinë për të takuar Papën. Ngjarja e këtij viti është rezultat i  bashkëpunimit ndërmjet Qendrës Laudato si' për Trajnim të Avancuar, Dikasterit për Shërbimin e Bamirësisë dhe Dioqezës së Romës.

Dreka e vitit 2025
Dreka e vitit 2025   (@Vatican Media)

Kisha, pranë të ligshtëve

"Borgo Laudato si' u krijua për të dëshmuar se mbrojtja e krijimit dhe kujdesi për individin janë një mision i vetëm", ​​thotë Kardinali Fabio Baggio, Drejtor i Përgjithshëm i Qendrës së Formimit të Lartë Laudato si'. "Pas Lampeduzës, kjo ditë përfaqëson një fazë të re të udhës së Papës Leoni XIV drejt periferive shoqërore të kohës sonë. Në Borgo Laudato si', Ati i Shenjtë takon njerëz që jetojnë në situata të vështira, duke ripohuar se Kisha është e thirrur të banojë në vende ku dinjiteti njerëzor kërkon dëgjim, afërsi dhe shpresë". Ky udhëtim mishëron shërbimin e Kishës ndaj të varfërve, siç thekson Imzot Luis Marín de San Martín, Prefekt i Dikasterit për Shërbimin e Bamirësisë. "Zgjedhja e Atit të Shenjtë", shpjegon lëmoshëdhënësi i Papës, "tregon se bamirësia bëhet në afërsi, takim dhe ndarje. Kur Kisha vendos njerëzit më të prekshëm në qendër, e bën Ungjillin të dukshëm dhe dëshmon se askush nuk është ndër skuta, por në zemrën e Zotit".

"Dëshironim që protagonistët e kësaj dite të ishin njerëz, të cilët shoqërohen çdo ditë nga famullitë, Caritas dhe organizatat e shumta kishtare dhe shoqatat e Dioqezës së Romës. Takimi me Atin e Shenjtë e rikthen vëmendjen tek ata që shumë shpesh mbeten në skaje e skuta dhe i bën thirrje mbarë bashkësisë së krishterë për përgjegjësinë e mirëpritjes së tyre", shtoi Kardinali Baldassare Reina, Vikari i Përgjithshëm i Papës për Dioqezën e Romës.

08 korrik 2026, 10:49