Leoni viziton Ambasadorin e SHBA-së pranë Selisë së Shenjtë me rastin e 4 Korrikut
Vatican News
Më 4 korrik, u kremtua 250-vjetori i nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me këtë rast, paradite më 4 korrik, Vatikani publikoi letrën e Papa Leonit drejtuar popullit amerikan, në të cilën ai i siguron për lutjet e tij në këtë përvjetor të veçantë.
Pjesën e parë të së shtunës 4 korrik Papa e kaloi në një vizitë baritore në ishullin italian të Lampeduzës, duke dëshmuar afërsinë e tij me migrantët.
Në mbrëmje, pas përfundimit të vizitës, Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë njoftoi gazetarët se: «Duke pranuar ftesën e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara pranë Selisë së Shenjtë, Brian Burch, Ati i Shenjtë vizitoi rezidencën e ambasadorit në Romë, me rastin e festës kombëtare të Shteteve të Bashkuara».
Të premten në mbrëmje, sipas orës së Romës, në prag të këtij përvjetori, Papa Leoni pranoi Medaljen e Lirisë, akorduar nga Qendra Kombëtare e Kushtetutës (National Constitution Center) e Shteteve të Bashkuara, në shenjë mirënjohjeje për përkushtimin e tij të gjatë në mbrojtjen dhe promovimin e lirisë fetare, të lirisë së ndërgjegjes dhe të shprehjes në mbarë botën.
Papa Prevost, i lindur në Çikago, iu drejtua të pranishmëve në Filadelfia përmes një videomesazhi nga Vatikani. Ati i Shenjtë u lut që 250-vjetori i themelimit të Shteteve të Bashkuara të bëhet një rast për të ripërtërirë përkushtimin ndaj idealeve themelore mbi të cilat u ndërtua vendi, veçanërisht ndaj mbrojtjes së jetës dhe të lirisë. Mesazhin e tij Leoni XIV e përfundoi me fjalët: «Zoti e bekoftë Amerikën!»
«Si bir i këtij vendi të madh, të themeluar nga burra dhe gra guximtarë që ëndërruan lirinë dhe një jetë më të mirë për veten dhe për fëmijët e tyre», – tha Papa Leoni – «bashkohem me ju duke kërkuar bekimin e Zotit mbi të ardhmen e Amerikës, që idealet e larta të mishëruara që në fillim në Deklaratën e Pavarësisë të vazhdojnë të udhëheqin lulëzimin e kombit në unitet, drejtësi dhe paqe».
