Kërko

Leoni XIV drejtuar të rinjve: jini dritë në një errësirë, që mund të duket mbytëse

Në një videomesazh për Takimin Rinor Ankawa (AYM) në Irak, Papa i nxit brezat e rinj të zbulojnë "marrëdhëniet e gjalla me Zotin" për t'u shndritur dhe për t’i shndritur të tjerët. "Ndoshta nuk mund t'i kontrolloni rrethanat në të cilat jetoni, ose sprovat që jeni të thirrur t’i përballoni", pohon ai, "por gjithmonë mund të zgjidhni ta lini paqen e Krishtit të mbretërojë në zemrat tuaja"

Vatican News

         Rrethanat dhe sprovat nuk mund të kontrollohen, por ka një vendim, që mund ta marrë gjithkush: "ta lejojë paqen e Krishtit të mbretërojë" në zemra. Një dritë e butë, "në mes të errësirës, që nganjëherë mund të duket mbytëse". Ky është imazhi, që përdor Papa Leoni XIV në videomesazhin e sotëm, 8 korrik, për të rinjtë e mbledhur në Takimin Rinor Ankawa (AYM) në Irak. Deri të shtunën, veprimtaria e organizuar nga Kryeparkia e Arbilit bashkon të rinjtë e krishterë ardhur nga rajone të ndryshme të vendit për t'u takuar në një atmosferë besimi dhe bashkimi.

         “Lutem që ky takim të jetë për secilin prej jush një mundësi për ta shtuar miqësinë me Jezusin dhe me njëri-tjetrin”, u thotë Papa.

Të rinjtë, e ardhmja dhe e tashmja e Kishës

"Misioni" është tema e zgjedhur për këtë vit. Term, që pajtohet mirë me dëshirën rinore për të "arritur gjëra të mëdha dhe për të lënë gjurmë në botë". Rruga që Kisha na këshillon të ndjekim, kujton Leoni XIV, është të përhapim dritën e Krishtit.

“Edhe ju merrni pjesë në këtë mision dhe unë ju shikoj me besim, sepse ju do të konribuoni për ta plazmuar Kishën – dhe botën - në vitet që vijnë. Siç e kam thënë edhe më parë, të rinjtë nuk janë vetëm e ardhmja e Kishës, por edhe e tashmja e saj”.

Besimi i Papës dhe i Zotit

"Nuk është gjithmonë e lehtë" t'i sjellësh dritë botës, pranon Leoni XIV. Sidomos në botën e sotme me luftë dhe paqëndrueshmëri. Por Papa ka besim të madh tek të rinjtë, ashtu si edhe vetë Zoti.

“Jini drita e Krishtit në mesin e errësirës, që nganjëherë mund të duket mbytëse. Mos kini frikë! Dhe mos mendoni se jeni vetëm në këtë detyrë. Unë jam me ju; Kisha është me ju. Kini besim te Jezusi; dëgjojeni atë në lutje dhe përmes udhëzimeve të të tjerëve. Lejojeni Atë t’ju udhëheqë”.

Dritë për të parë, për të dashur, për të shpresuar

Papa shqyrton më pas tre aspekte të kësaj drite: së pari, funksionin e saj si udhërrëfyes për të parë, gjë që të kujton dhuratën e fesë: jo thjesht një mjet për t'u përballur me vështirësitë e jetës, por për ta parë botën me sytë e Zotit, të vetëdijshëm për praninë e Tij. Pastaj, çdo rreze të bëhet simbol dashurie, kërkon Ati i Shenjtë.

“Bazojini zemrat tuaja mbi sigurinë e patundur të dashurisë së Zotit për ju; zbulojeni Zemrën e Krishtit dhe mos kini frikë ta ngrini jetën mbi Të. Duke vepruar kështu, jo vetëm që do të gjeni plotësinë që dëshironi, por do të jeni edhe në gjendje t'u përcillni njerëzve përreth jush ngrohtësinë e dashurisë së Zotit dhe forcën pajtuese të hirit të tij”.

Së fundi, drita është edhe jetë e re e shpresë, pasi, edhe kur nuk mund të kontrollohen rrethanat, thekson Leoni XIV, të rinjtë mund ta lënë gjithnjë paqen e Krishtit të mbretërojë në zemrat e tyre.

Mos dyshoni kurrë në mirësinë e Zotit

Një virtyt, ai i shpresës, i cili na fton ta lartojmë vështrimin, pa e harruar botën, por duke ndarë me të paqen dhe jetën e Krishtit.

“Të dashur të rinj – përfundon Papa - mos dyshoni kurrë në mirësinë e Zotit dhe mos kini frikë nga plani, që Zoti ka për jetën e secilit prej jush. Edhe Jeremia profet kaloi kohë të vështira e dëshmon se planet e Zotit janë plane paqeje dhe jo fatkeqësie, për t'ju dhënë një të ardhme plot shpresë”.

08 korrik 2026, 17:21